Shënime nga Simpoziumi i Off Biennale-s së Budapestit. (Romeo Kodra)

off biennale budapest

off biennale budapest

Nga data 16 deri 20 shtator të 2015 isha i ftuar, si kurator dhe menaxher i projekteve të Tirana Art Lab-it, në simpoziumin dhe takimet e Off Biennale-s së Budapestit. Interesi i kolegëve hungarez ishte të dinin më shumë mbi praktikën e punës në TAL dhe aktualitetin artistiko-kulturor shqiptar. Analogjitë e praktikave tona – ku ndërthuren arti, politika dhe angazhimi artistiko-kulturor në çështjet shoqërore – na bënin të ishim në një sintoni që bashkëtingëllon dhe rezonon, në të njëjtat frekuenca, përtej kufijve gjeopolitikë që na ndajnë. Dhe na bashkojnë jo vetëm me kolegët organizatorë hungarezë, por edhe me të ftuarit e tyre grekë, italianë, rumunë, boshnjakë, moldavë, ukrainas, etj, prej të cilëve organizatorët kërkonin të mblidhnin sa më shumë informacion që do t’iu mund t’u nevojitej për vazhdimësinë dhe të ardhmen e Off Biennale-s.

Nuk është as çudi e as rastësi që dëgjoja këtë sintoni, këtë polifoni zërash “me të njëjtin ton” dhe mbi të njëjtin ton: në fakt simpoziumi ishte mbi “iniciativat e qëndrueshme nga poshtë dhe ushtrimin e veprimtarisë artistiko-kulturore në situata politike të vështira (është e njohur tashmë politika anti-demokratike – shpesh fashistoide, korporativiste dhe oligarkike – e kryeministrit hungarez Orban), në të cilat arti bashkëkohor arrin të rimendojë dhe riformulojë kompetencat e veta”.

Off Biennale ishte një iniciativë e suksesshme që, besojeni ose jo, nuk pati mbështetjen e asnjë institucioni shtetëror hungarez (të zaptuara këto nga figura partiake apo parapolitike pro-Orban), por ishte vetëm fryt i një bashkëpunimi vullnetar të një grupi artistësh, kuratorësh, menaxherësh arti, galeristësh dhe koleksionistësh. Off Biennale e Budapestit – bëjnë me dije organizatorët – është gjithashtu një iniciativë qytetare me qëllim afrimin e publikut me kulturën dhe artin bashkëkohor, duke shpallur rëndësinë e mendimit dhe veprimit të pavarur, dhe për të favorizuar e vërtetuar në këtë mënyrë efektin katalizues të aktiviteteve të saj – në pak fjalë, që arti bashkëkohor është më shumë sesa një luks dhe një burim kënaqësie estetike.

Prej shumë dëshmive, ndërhyrjeve, diskutimeve, madje edhe debateve, në ditën e fundit u mblodhëm për të diskutuar mes nesh për të ndarë në mënyrë informale konkluzionet që gjithsecili pati nxjerrë dhe që kërkonte të bashkëndante me kolegët. Po hedh në bit atë që hodha në ajër … me fjalë.

revoluti - on/off

revoluti – on/off

“Po e përsëris edhe në këtë takim përmbyllës, që kontekstet tona janë aq të njëjta sa edhe të ndryshme. Ato na kushtëzojnë mbi të gjitha në përdorimin e terminologjisë dhe akteve tona të resistencës duke i bërë të duken kontradiktore edhe kur nuk janë, sepse mbartin në thelb të njëjtin akt rezistence ndaj përfitimit dhe abuzimit politik me artin.

Edhe dje e bëra dallimin dhe nënvizova paradoksin që në sytë e mi prej shqiptari më duket mos-pjesëmarrja juaj si Off Biennale në thirrjet për fonde publike. Unë si shqiptar e shoh si detyrim qytetar p.sh. kërkimin e fondeve prej Ministrisë sonë të Kulturës sepse e perceptoj si një institucion publik për të cilin kemi paguar dhe paguajmë të gjithë. Për mua do të ishte një mosangazhim dhe menefregizëm të lija që politika jonë aktuale të vazhdonte klientelizmin, mostransparencën apo abuzimin me fondet publike dhe si rrjedhojë me vetë institucion, të cilin di që dikush shumë më përpara se unë ka luftuar, punuar dhe mbrojtur. Po flas për të parët e mi, pra e shoh si një detyrim ndaj tyre, të cilët natyrisht nuk zgjodhën institucione mafioze, por institucione që të mbronin të mirën publike dhe si rrjedhojë artin e të gjithëve dhe për të gjithë. Por natyrisht kuptoj që edhe ju si Off Biennale keni dashur të distancoheni sa më shumë dhe të jepni shembullin që arti ka potenciale të pafundme edhe përtej rreshtimit orbanist. Për këtë keni mbështetjen dhe solidaritetin tim të plotë.

Një gjë që do të më interesonte shumë të diskutoja në këtë takim të fundit do të ishte sqarimi i diçkaje që m’u duk se mbeti në dritëhije. E kam fjalën për “artistët e alienuar”. Nuk e di nëse duhet të mbetemi ende në nivelin e të parit të artistëve hungarezë – por mund të themi, mesa dëgjuam nga dëshmitë që u dhanë dje, rumunë ose shqiptarë apo moldavë, etj. – si apatikë, të paangazhuar, menfregistë, të alienuar. Unë madje përtej çdo metafore do të doja që artistët të ishin me të vërtetë, dhe në kuptimin më rrënjësor të të qenit, të alienuar. Kjo, natyrisht, ka një ndryshim të madh me të qenit startistë. Nuk do të doja t’i ngatërroja artistët tanë të alienuar me ata që marrin pozat e surfer-ave të sistemit dhe ideologjisë neo-liberiste. Dhe ndryshimi midis tyre është – për mendimin tim – lehtësisht i dallueshëm nëse shohim sjellen që kanë kundrejt instancave të pushtetit: startistët janë të parët që angazhohen me opinionin dhe si rrjedhojë pushtetin e masave, janë të parët që angazhohen në thirrjet e pushtetit politik apo institucional kur këta të fundit garantojnë dukshmëri, famë, benefite, bursa apo residenca turistiko-artistike. Të paktën në Shqipëri unë e shoh kështu.

Por duhet kujtuar gjithashtu që vijmë edhe nga një traditë e përbashkët si ish-lindorë me një angazhim social të detyrueshëm, si ai i realizmin socialist 50, 60 apo 70 vjeçar, ku “arti i shtetit” shihte si degjenerim çdo alternativë përtej vetevetes. Dhe është mëse normale kjo periudhë fobie nga angazhimi social, që ne si operatorë kulturorë me ngulm kërkojmë të evitojmë. Duhet kuptuar që s’mund t’i kërkojmë artistit atë që duhet të bëjë operatori kulturor: të ndajë të alienuarit nga startistët është detyrë e këtyre të fundit dhe meqë dje citova Derrida-në [kultura si kultivim dhe kolonizim] duhet patur kujdes që të mos bien pre e aspekteve kolonizuese të kulturës, pre e sistemit neoliberal të fasadave dhe startistëve, por të pranojmë diferencën e të tëhuajzuarve/alienuarve që vjen nga poshtë dhe nga brenda. Madje dua të kujtoj se arti, për sa e njohim, që prej formulimit të parë të Poetikës, është diçka që shmang me çdo kusht socialen, kërkon periferinë, diferencën, të ndryshmen, të ultën dhe të përbuzurën e sociales/shoqërisë. Konflikti i tragjedisë, forma e parë e artit të angazhuar dhe të institucionalizuar prej shoqërisë, nuk është gjë tjetër veçse konflikti i individit me moralin apo ligjet e shoqërisë.

Do të doja të thosha më shumë: tek këta artistë të alienuar personalisht shoh analogji formale të paeksploruara që nuk shihen në vende të tjera përveçse në vendet tona apo në shoqëritë perëndimore në krizë kronike, dhe kanë të bëjnë mbi të gjitha me tranzicionin. Madje arrijnë ta deshifrojnë dhe transformojnë këtë tranzicion të patranzitueshëm apo krizë kronike në potencial ripërtëritës ndryshe nga këneta me të cilën zakonisht e asociojmë. Tek veprat e tyre arrihet të lexohet realiteti i shoqërive tona në një mënyrë kirurgjikale. Dhe i gjithë sekreti i deshifrimit që bëjnë qëndron vetëm nëse kalohet fasada, sipërfaqja, aspektet përshfaqëse dhe përfaqësuese të veprave; nëse lexohet nënshtresa historike, sociale, konceptuale, por e pamediuar, e artit të tyre, nëse lexohet gjesti fillestar, i pakryer, hera herës i papërpunuar, krejtësisht brut, që nuk bën asgjë veçse kultivon pezullinë e ekzistencës së subjektit pa e spektakolarizuar, pa e zbukuruar, pa e shitur, pa e bërë politikisht të përtypshëm apo dëshirueshëm për turistin e rradhës.

Por nuk janë pjellorë dhe stimulues këta artistë të alienuar vetëm për teorinë apo kritikën e artit, por edhe për menaxhimin. Nuk besoj p.sh. se mund të bëhen aktivitet tona si operatorë kulturorë, sado të aftë të jemi si kuratorë, menaxherë, galeristë, etj., pa u bazuar mbi të gjitha mbi artistët e alienuar apo artistët e diferencës, pa u bazuar mbi vlerën e shtuar, vlerën e ndryshme, vlerën origjinale, vlerën e re që sjell arti i tyre.

Menaxhimi fillon nga përcaktimi i vlerës së shtuar dhe maksimalizimi i saj. Ripërsëris: pa dashur që artistët dhe arti i tyre të bëhen social friendly, të vetëdeklarohen të angazhuar, të bëhen narrativ dhe si rrjedhojë të kuptueshëm prej publikut. T’i bëjnë të kuptueshëm është detyrë e operatorëve kulturorë si kuratorë, menaxherë, galeristë, koleksionistë. Por, edhe në këtë rast, nuk duhet harruar prej operatorëve kulturorë që nuk do të mund të ezaurohet me fjalë një artist apo vepër arti, nuk duhet rënë në idiotësinë e politikës, si ajo e Shqipërisë së ditëve të sotme, që ju përmenda dje në konferencë, ku dekodifikohet dhe dialogohet (COD – Center for Openness and Dialogue) nga lartësia e pushtetit institucional politik dhe nga tëhuajzimi i pushtetit institucional i starsistemit konsumerist të të ashtuquajturës botë e artit bashkëkohor.

Siç ka thënë dikush, nuk ka kulturë nëse nuk ka kuptime të reja, që, në sektorin tonë, vijnë nga arti dhe diferenca totale e artistëve të alienuar, e cila përbën, apo duhet të përbëjë, njëkohësisht vlerën e shtuar që u intereson operatorëve kulturorë (kuratorë, menaxherë, galeristë, etj.). Nuk ka kulturë nëse nuk ka teknikë, dhe, siç jua përmenda edhe dje, në Tirana Art Lab, duke qenë një qendër laboratorike natyrshëm jemi të fokusuar tek teknikat e procesit dhe kërkimit artistik. Nuk ka kulturë nëse nuk ka kultivim/lidhje me kontekstin, përndryshe do të ishte kolonizim, implantim apo modifikim biogjenetik. Pikërisht për këtë organizojmë rezidencat e artistëve të huaj që kultivojnë dhe kultivohen brenda kontesktit tonë, duke jetuar të njëjtën hapësirë, nga poshtë dhe nga brenda fasadave turistike, ku ndërthurin artin e tyre me një art tjetër, me atë të artistëve të alienuar shqiptarë”.

off

off

Kjo ishte pak a shumë vetëm një përmbledhje informale e ndërhyrjes sime ditën e fundit të simpoziumit të Off Biennale-s së Budapestit. Dua të falenderoj për pasioni, mikpritjen dhe mirësjelljen Nikolett-ën, Fanni-n, Hajnalka-n, Tijana-n, Kati-n, Anna-n, Bori-n dhe t’u rikujtoj që është pikërisht diferenca që na bashkon në një miqësi (edhe për “friendship” u diskutua gjatë, sidomos në marrdhënie me organizimin midis artistëve dhe operatorëve kulturor) të pamatshme në orë të kaluara sëbashku apo hapësira të bashkëndara, por të sintonizuar në një frekuencë ku rezonon pasioni i përbashkët për artin dhe kulturën q ë s’rresht së prodhuari me akte rezistence potencial krijues, që s’rresht së dhuruari tjetrit/shoqërisë vetveten si diferencë mes diferencash, duke u ndryshuar dhe duke e ndryshuar atë. Edhe një herë faleminderit.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s