Center for Openness and Dialogue … COD-i ia bën muuuuu!!! – Pjesa II (Romeo Kodra)

COD-i ia bën muuuuu, jo sepse e them unë, por sepse ka nja dyzet vjet që po flitet mbi të. Ka nja dyzet vjet që është kuptuar tashmë se shoqëria e disiplinës së individit, ajo e tipit enverist – ku hapësirat ishin të mbyllura, të kufizuara dhe të mirëpërcaktuara në kalueshmërinë e kufijëve të tyre (familja, çerdhja, kopështi, shkolla, fabrika, azili i pleqëve, burgjet, çmendinat) – është në krizë në të gjitha nivelet e saj.

Familja – edhe ajo shqiptare – është në krizë, e ndjejnë mësëmiri intelektualët që firmosin peticione idiote kundër LGBT-vë. Burgjet duhen reformuar se po plasin, siç thotë Avokati i Popullit, nga numri i të mbyllurve brenda. Sistemi arsimor duhet reformuar dhe po reformohet nga kodoshë që aprovojnë ligje që mundësojnë shitjen e klientëve (apo studentëve taksapagues) fabrikave të diplomave, siç njihen ndryshe universitetet tona private. Sistemi i punësimit duhet reformuar dhe po reformohet sipas logjikës së Erjon Veliajt dhe Edi Ramës ku sindakatat janë pengesa për fleksibilitetin (që konsiston në orare të zgjatura dhe rroga të shkurtuara) e punëtorëve dhe profesionistëve, të cilët shohin ekspertizat e tyre çdo ditë e më të pavlera. Gjithmonë e më shumë do të kemi nevojë për kurse azhornimi, për trajnime, skills dhe çertifikime (pyesni infermierët!!!). Institucionet e artit dhe kulturës po reformohen. Natyrisht duke u zbrazur, duke u lënë t’i hanë krimbat që të shkëlqejë vetëm “Njëri”, esenca e pushtetit.

Por, askush nuk i beson më këto reforma fiktive. As vetë ata që na i propozojnë si të tilla. Pra, siç thoshte Deleuze, “[t]ë gjithë e dinë që këto institucione janë të mbaruara, cilado qoftë data e tyre e skadencës. Tanimë çështja mbetet vetëm tek administrimi i riteve të tyre të fundit dhe mbajtja e njerëzve në punë deri në instalimin e forcave të reja që po trokasin tek dera. Këto janë shoqëritë e kontrollit të cilat janë në procesin e zëvendësimit të shoqërive të disiplinës”.

Dhe ne, pikërisht tani, po përjetojmë këtë proces. Administrata është aty për të bërë të mundur mbajtjen e njërëzve në punë, për të shoqëruar ritualin e vdekjes së institucioneve të një shoqërie që tashmë nuk është më e njëjta. Shoqëria po evoluon në një stad tjetër. Jemi shoqëria e “gjeneratës tjetër”. Jemi futur në shoqërië e kontrollit të masës. Edi Rama, natyrisht, nuk është Enver Hoxha që vendos mbi jetën a vdekjen e individit që guxon të kalojë kufijtë e parapërcaktuar nga ligjet në emër të popullit, por është ai që vendos se cila është mirëqënia, siguria e saj dhe në fund mbrojtja. Dhe këtë e dinë të gjithë shqiptarët. Dhe të gjithë, të parcelizuar në jetët dhe ambiciet e tyre mediokre, janë bashkëpunëtor.

Natyrisht ka edhe një minoritet që reziston, por nuk do flitet për të në këtë shkrim. Siç thashë atij i dedikohet.

Por, nga më vjen kjo bindje që më bën të them se shqiptarët janë bashkëpunëtor? Nga një tjetër bashkëpunëtor. Emri i tij është Thomas Demand. Duke shfletuar një katalog të punëve të tij, që na janë ofruar zemërgjerësisht nga Kryeministri Rama tek COD-i, lexoj në tekstin shoqërues të Raum/Room, 1994, E-Print/Diasec, 183,5×270 cm një frazë të shkurtër: «The Volk was not “seduced – it seduced its seductor». Pra, “[p]opulli nuk u josh – ai joshi joshësin e tij”. Dhe fjala natyrisht ishte për një tjetër leader me tendenca artistike: Adolf Hitler-in.

Thomas Demand, natyrisht, nuk thotë asgjë të re me këtë provokim artistik. E vetmja gjë që thotë është që ka lexuar dy rreshta histori. Në fakt, kjo tendencë e dëshirës së masave përkundrejt dhunës, është cituar nga Deleuze tek Anti-Edipi i cili nga ana e tij citonte librin e Wilhelm Reich-ut, Psikologjia e masave të fashizmit, të 1933. Pra asgjë të re, aq më pak artistike.

Pyetja e vërtetë është si e vendos veten artisti në këtë mes? Reziston si Krisht i izoluar: noli me tangere? Apo armikut “pushtet” tenton t’ia marrë kalanë nga brenda, siç duket se provojnë të bëjnë me provokimet e tyre artistët e ftuar në Pallatin Rama?

Përshtypja ime është se, duke luftuar që të merret kalaja nga brenda, të tre këta artistë po bëhen palë e pushtetit.

P.sh., Parreno nuk provokon aspak me spektakolarizimin e pushtetit duke kthyer fasadën e Kryeministrisë në hyrje kinemaje. E dimë të gjithë që pushteti është spektakël. Pa hapur librat e historisë, Rama dhe Top-Channel docet! Madje ne shqiptarët e dimë aq mirë sa kemi edhe rrugën kryesore të Tiranës, e cila të mundëson hyrjen nga autorstrada në kryeqytet, të dedikuar Tanit të Top-it. Dhe e dimë të gjithë, po aq mirë, që nuk ishte Skëndërbeu! Kështu që këto provokime as na gudulisin. Ne me këto provokime gudulisëse na është bërë kallo një pëllëmbë.

As “Kërpudha gjigande me tri pjesë” e Carsten Höller-it nuk na gudulis. Nuk na gudulis simboli i një kërpudhe helmuese në oborrin e pushtetit. Gjithmonë e kemi ditur që në oborrin e pushtetit arti ka tentuar t’i fusë vaksinën popullit në mënyrë të dyshimtë, me një dyfytyrësi që tashmë nuk na thotë asgjë. Këtë lojë simbologjike e ka bërë Enver Hoxha me kohë, i cili e ka eksperimentuar në mënyrë ekstreme me Kadarenë. Dhe aq shumë e ka eksperimentuar sa sot e gjithë ditën nuk dimë si ta marrim Kadarenë si artist apo bashkëpunëtor, paçkase vetë ai mundohet të distancohet nga ky epitet i fundit. Shkrimtari ynë më i madh, sot e gjithë ditën, është në dorë të publikut për të kuptuar vendin që i takon brenda historisë bashkëkohore shqiptare. Duket sikur nuk do e ketë asnjëherë faqen e bardhë që t’i kundërvihet me vendosmëri këtij publiku pervers që nga një anë ngriti në tribunë Enverin, dhe gjithë sa i rrinin rrotull (përfshi Kadarenë), dhe nga tjetra i degdisi kockat brenda natës duke i përdhosur varrin në mënyrë makabre si në tragjeditë greke.

Nuk gudulisemi as nga Sign e Thomas Demand-it, sepse me atë provokim mbi shenjën simbol të Panairit Botëror të Nju Jorkut “Ndërtimi i Botës së të Nesërmes”, ku promovohej “një nga narrativat më të mëdha, nga të fundit e Epokës së Makinerive: besimi i padiskutueshëm te shkenca dhe teknologjia si mjete që çojnë në nxitjen e mirëqenies ekonomike dhe të lirisë personale, duke theksuar ndërkaq konsumin e produkteve dhe risitë e ideve e të formave”, jemi gudulisur për 50 vjet me Enver Hoxhën.

Pra, në pak fjalë, nuk gudulisemi me narrativa të thëna e stërthëna, të bëra bajate, madje të shitura për vepra arti që maksimumi lujanë me ambiguitetin e simbolit. Na ka ardhur në majë të hundës me simbolin dhe “përshkrimin” siç vazhdojnë e bëjnë tekstshkruesit e COD-it. Hartimet dhe përshkrimet e veprave janë për shkollat fillore. Është koha për poezi, për revoltën reale që poezia shkakton, dhe jo për jargavitje me pushtetin.

Dhe poezia do guxim dhe hov. Nuk duron dot rreshtim. Po nuk pati poezi rrezikojmë që nesër pasi të ngrihet prej postit të Kryeministrit Edi Rama të na tregojë sesi dhe sa provokues ishte me Merkel-in tek i tregonte punën e Demand-it mbi të këqijat e kapitalizmit që për momentin Merkel mishëron (nga perspektiva greke duket më qartë!). Rrezikojmë që zotëria “artist nga shpirti dhe Kryeministër nga misioni” një të nesërme të na ngrihet e të na justifikojë sjelljen e tij bishtlëkundëse karshi atyre që ka mbi kokë. Të na justifikojë dhe bishtlëkundësit e ftuar në oborr. Rrezikojmë, pra, që mediokriteti dhe bythlëpirja të na shiten për art.

4 mendime mbi “Center for Openness and Dialogue … COD-i ia bën muuuuu!!! – Pjesa II (Romeo Kodra)

  1. Pershendetje, kam pershtypjen qe as Ti e as Vehbiu nuk keni bagazh teorik, e Per me teper, as mundesine per te shkuar deri Tek “kocka” e problemit, pasi “palca” juaj eshte e njejta me ate te Kryeministrit!!!
    Ky aspekt percakton edhe fitoren e tij. Vehbiu kerkon te vjele mjaltin pa u cumbithur, ndersa ti Romeo i ngjan me shume asaj shprehjes se ‘rinise se dikurshme’ – Pushk e Jevgut!
    Keshille: intervistoni ‘each-other’ ose bashkebisedoni, ose ndertoni nje link bashkebisedimi (me te gjithe) per ceshtjen e artit ne pergjithesi dhe COD. Nese kerkoni te ndihmoni situaten, veproni. Mbase kjo eshte nje menyre e mire per te therritur te tere ne debat e me pas postoni kete analize. ANALIZE!!!!

    Ps:mjaft u morret me gabimet e njeri tjetrit. Bashkepunim.

    1. Ke te drejte por Vehbiu kur morri cmimin tek Tirana Open 1 Nuk u ndje, sepse ne ate kohe filluan problemet. Tani vehbiu prape i di problemet por i bia pak rreth e qark, nuk thote emra. Nuk e kritikon rkyeministrine apo Flokekrehuren por ben diskutime konceptuale. Bashkepunimi behet kur ka fonde, eshte me i frytshem. pa kur ke rene nga karrigja fol sa te duash , sta degjon njeri.

  2. Moj te Carturat e Ministrise, Vehbiu fitoi PaMur dhe jo Tirana Open 1!!!! Sa per te perdorur kthjelltesine qe na karakterizon. Sa per Zonjat e Sprovuara (sidomos njera: oj nene-oj nene) me Korrupsionin alla Kumbaro, mund te them vetem qe Mjere ne Se ku Kemi rene. KLSH-ja u dorezua perpara kercenimeve te Qeverise per te mbrojtur aferat korruptive qe Sekretari Jaupi ka ne shtepine e tij e qe une i kam pare te fotografuara, qe keto 2 Zonja kane dhe mbrojne. Eshte Turp i Zotit qe keto nickname perdoren pasi duhen lene ne harresen e publikut por ne kujtesen e Sistemit te Drejtesise.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s