Komunikatë e TAL: Protestë për procesin e përzgjedhjes së kuratorit të aktivitetit ACAS të Ambasadës Franceze në Tiranë dhe Ministrisë së Kulturës.

Për: Albanie France Art Contemporain
Cc: Ambasadorit Francez në Tiranë, z. Bernard Fitoussi; Ministres së Kulturës së Shqipërisë znj. Mirela Kumbaro; Ministres së Kulturës dhe Komunikimit të Francës znj. Fleur Pellerin; Drejtorit të Muzeut Historik Kombëtar Shqiptar z. Melsi Labi; Drejtorit të Galerisë Kombëtare Shqiptare z. Artan Shabani; Drejtorit të Centre Pompidou z. Bernard Blistène.

Ne, Adela Demetja dhe Romeo Kodra, kuratorë të Tirana Art Lab, pjesëmarrës si aplikantë-kuratorë për aktivitetin e “Albanie France Art Contemporain” të mbështetur nga Ambasada e Francës në Tiranë, nga Ministria e Kulturës së Shqipërisë, Ministria e Kulturës së Francës, në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar Shqiptar, Galerinë Kombëtare Shqiptare dhe Centre Pompidou të Parisit, duam të shprehim indinjatën dhe revoltimin tonë të thellë për trajtimin ofendues dhe mospërfillës që na u rezervua nga juria e këtij aktiviteti, e përbërë nga znj. Christine Macel, znj. Alicia Knock dhe z. Saâdane Afif.

Nuk kuptojmë arsyetimin e mosdhënies së vendimit për kuratorin përfaqësues shqiptar të cilin juria bazon sipërfaqësisht me «The jury has only received two applications in the category “curator”, which has not allowed them to make a legitimate choice, due to the very low number of applications». Ne duam dhe meritojmë të kuptojmë se cili kriter ka bërë jurinë të vendosë që numri i vogël i alpikantëve-kuratorë pjesëmarrës (dy) automatikisht sjell asgjesimin total të tyre pavarësisht se kanë shpenzuar kohë dhe energji intelektuale për të hartuar projekt-propozimin. Koha dhe mundi ynë nuk vlejnë? Vlejnë më pak se koha dhe mundi i jurisë? Propozimi ynë nuk ishte cilësor? Do na pëlqente mendimi dhe ekspertiza e jurisë për këtë. Do të rrisnim nivelin tonë duke krahasuar propozimin kuratorial me gjykimin kompetent të jurisë mbi artin bashkëkohor shqiptar dhe jo vetëm. Pse nuk na u dha kjo mundësi? Pra, duam dhe meritojmë të kuptojmë se cila arsye mund të mbështesë logjikisht asgjesimin e një hapësire për një komunitet minoritar si ai i kuratorëve të artit bashkëkohor, asgjesimin e një hapësire nga të paktat që politika aktuale ende nuk kishte zaptuar.

Ne kemi idetë tona mbi presionin që pushteti politik ushtron në përditshmërinë e veprimtarisë sonë intelektuale, artistike dhe kulturore; po ashtu kemi idetë e qarta mbi këtë pushtet politik, që çdo ditë e më pak toleron mos-integrimin, papajtueshmërinë, rezistencën ndaj homologimit dhe homogjenizimit; por nuk kuptojmë dinamikat që bëjnë këtë juri të nderuar të rreshtohet me një pushtet të tillë.

Nuk kuptojmë se si kjo juri që justifikon që në krye të herës përzgjedhjen e artistëve me «This selection reflects the liveliness and diversity of the Albanian artistic scene» të asgjesojë “diversitetin” e interpretimit kuratorial.

Ne duam dhe meritojmë të kuptojmë të gjitha këto përgjigje të munguara. I meritojmë sepse këtë e tregojnë kurrikulumet e studimeve dhe eksperiencës sonë, puna jonë e përditshme, mundi dhe djersa që derdhim për t’i ruajtur dhe pasuruar ato denjësisht.

Në pritje dhe duke Ju uruar punë të mbarë
Adela Demetja & Romeo Kodra

Qasja Kuratoriale për ACAS

Tirana Art Lab
Adela Demetja / Romeo Kodra

Ne, Adela Demetja dhe Romeo Kodra, kemi programuar duke punuar në grup Tirana Art Lab, një qëndër jo fitimprurëse për artin bashkëkohor, duke kultivuar ekskluzivisht – në territorin shqiptar dhe përtej – akte rezistence kreative ndaj flukseve të kapitalizmit neoliberal. Me këtë ekskluzivitet përpiqemi të sfidojmë ose përjashtojmë të gjitha kontaminimet që vijnë pikësëpari nga lart: ku përgjithësisht alokohet pushteti institucional vendas, i karakterizuar – historikisht dhe aktualisht – nga mania e përthithjes autoritare të të gjithave dukurive artistike për t’i shndërruar në propulsorë të imazhit karizmatik të pushtetarëve të vet; dhe së dyti nga jashtë: ku përqëndrohet një (star)sistem artistik konsumerist, i cili toleron aspak ose gjithnjë e më pak vënien në diskutim të statusit të tij autoritativ dhe vetëreferencial.

Vendndodhja e Tirana Art Lab – në mes të një lagjeje “normale” të kryeqytetit, të betonizuar për shkak të bulimisë degjenerative të një pushteti konsumerist, që ka shpalosur potencialin e tij mbi të gjitha në hapësirat publike – është treguesi i parë dhe më simptomatik për mënyrën tonë të rezistencës ndaj “normalitetit” të përditshëm, ku “arti nga lart dhe nga jashtë” duket i kristalizuar në alienimin e fasadave shumëngjyrëshe. Në këtë mënyrë kemi mëse të qartë dinamikën aksiomatike të rezistencës sonë: nga poshtë dhe nga brenda.

Me këtë aksiomë Tirana Art Lab, dhe ne, Adela Demetja e Romeo Kodra si kuratorë përfaqësues, për eventin e ACAS kemi menduar të shtyjmë më tej këtë praktikë të përditshme pune duke fokusuar konceptin e qasjes sonë kuratoriale mbi ato elemente apo detaje të veprave artistike dhe artistë që nxjerrin në pah kultivimin e tranzicionit.

Kemi zgjedhur tranzicionin sepse si koncept është tërësisht antiproduktiv për pushtetin politik dhe për sistemin konsumerist të startistëve të afirmuar; është antiproduktiv për konceptimin e çdo statusi statik, hierarkik, vertikal.

Gjithashtu, nga kërkimet dhe studimet tona në territorin dhe shoqërinë tonë tranzicionale, kemi vënë re që artistët e “tranzicionit” – ndryshe nga retorika e politikës dhe opinionit masmediatik në Shqipëri apo vende të tjera – kanë kuptuar mësimin historik të sakrificës së të përditshmes për një botë më të mirë nesër. Ata përballen me “tranzicionin” apo me “krizat periodike” siç po njihen gjithnjë e më shumë në shoqëritë Perëndimore. Ata, artistët – në mënyrë paradoksale – nuk tranzitojnë mbi to.

Në fakt, artistëve shqiptarë u është e qartë tashmë, që këtyre 25 viteve “tranzicioni” drejt “demokracisë” dhe “kapitalizmit” u duhen shtuar edhe gjysëm shekulli sakrifica për ndërtimin e “Botës së Re” komuniste që nuk mbërriti kurrë.

Duke vrojtuar këto dekada sakrifikale dhe sakrale, dekada shprese dhe durimi, ne do të gjejmë të njëjtin emërues të përbashkët: edhe një herë, tranzicionin. Dhe këtu lindin disa pyetje: po sikur kultivimi i makthit të Vendeve të Lindjes, kultivimi i “tranzicionit”, kultivimi i zbrazëtise heterotopike të së djeshmes, i së sotmes, dhe me shumë mundësi, i së nesërmes të shndërrohet në një aksiomë për interpretimet e ardhëshme te realitetit?

Po sikur këta artistë të kishin zbuluar aksiomën për heterotopinë globale dhe fundin e ideologjive? Po sikur, të ndërgjegjshëm dhe të pasur me atë mësim historik mbi planifikimin (jo vetëm) ekonomik totalitar, siç ishte realizmi socialist, këta artistë të jepnin një profil të planifikimit (jo vetëm) ekonomik të ditëve tona? Po sikur, me këtë aksiomë, ne të mund të deshifronim formulën e erotizimit të “heroit politik dhe artistik” me të cilin “ne” biem në “dashuri”, herë pas here, duke ripërtërirë qarkun vicioz të sakrificës sakrale për të ardhmen duke harruar të tashmen?

Adela Demetja dhe Romeo Kodra, Qershor 2015

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s