“e-mages” e Helidon Gjergjit dhe trekëndëshi i vjetër edipik frojdian. (Romeo Kodra)

lideri absolut - edipi perseri

lideri absolut – edipi perseri

Sot, 24-08-2014, u mbyll ekspozita e parë e Helidon Gjergjit në Galerinë Kombëtare të Arteve. Triptiku i veprave që përbënin këtë ekspozitë – dy video e një video instalacion – i përkiste dekadës së shkuar të eksperiencës artistike të artistit, dhe pikërisht vitit 2003 – “pixture”, vitit 2007 – “Danubi Blu” dhe vitit 2009 – “e-mages”.

“Pixture” është një hulumtim i Gjergjit mbi elementin piktorik (pix + el) nën imazhin masmediatik par exellence, televizionit. Me këtë video artisti survejon duke u fokusuar nga afër në mikrobotën kuptimore të përcjellë nëpërmjet mediumit televiziv, duke u fokusuar në elementin e saj më bazik. Në këtë mikrobotë të pickuar të pikselit piktorik (“piktura” – etmol. lat. “pungere”/pickoj/shpoj), ku modifikimi i imazhit kryhet me një funksion të veçantë të aparatit televiziv, shpërhapet si një reaksion infektues logjika fiktive që elementi më bazik i imazhit televiziv na përcjell si imazh koherent të montuar dhe të gatshëm për konsum në përditshmërinë tonë sipërfaqësore.

Ndërrimi i stacioneve televizive, si dhe ndërrimi i gjuhëve të këtyre stacioneve, nuk bëjnë veçse përforcojnë idenë e shpërthyer të realitetit në fragmentet e reales së montuara në hiper-realizmin e përditshëm përballë të cilit konsumatori maspediatik mpikset dita ditës. Në fakt, 10 minutat e kësaj videoje do të kishin shpalosur të gjithë fuqinë hipnotizuese të videos nëse do të ishte vënë në një ambjent më të mbyllur dhe izoluar.

Interesant, për ta mbyllur me këtë video, është fakti i realizimit të saj, plot 11 vite më parë. Duhet çmuar në fakt koha historike e hulumtimit të Gjergjit, një kohë kur në Tiranë “pixtur-imi” i fasadave, i sipërfaqeve të lyera të pallateve në akset kryesore të rrugëve të kryeqytetit, në të cilat do të merrte pjesë edhe vetë artisti, shkonin në një tendencë të kundërt me hulumtimin e tij që hetonte thellësitë materiale të imazhit masmediatik.

“Danubi blu” i 2007 është videoja e filmimit të tubacioneve të mbetjeve urbane që, të shoqëruara nga valsi shtrausian “Mbi Danubin e bukur blu”, ironizojnë mbi sublimimin e perandorisë austro-hungareze dhe aristokracisë së saj që shkonin ekzaktësisht në proporcion të zhdrejtë me rrënimin e tyre të pakthyeshëm.

Në fakt shumëkush që ka dashur të shohë Danubin “blu” – duke marrë udhën e Vjenës – ka mbetur pashmangshmërisht i zhgënjyer. Danubi nuk ka qenë ndonjëherë blu, dhe jo vetëm për shkarkimin e burgjive urbane të gjysmës së Evropës. Është një reflektim ky i Helidon Gjergjit që na riorjenton edhe një herë vëmendjen drejt një epokë (perandorake) ku konstruktimi dhe manipulimi i reales në realitet fiktiv i kishte rrënjët e thella deri në burgjitë e themeleve të saj. Prej këtej, prej esencës më profane, prej burgjive të veta, modeli i fundit perandorak i Evropës kontinentale ngrihej drejt sublimes në mënyrë paradoksale, për të mos thënë absurde, siç ka demonstruar historia me fatet e të gjitha perandorive që kanë besuar të kalëronin në triumf mbi të.

“e-mages” i 2009 është video instalacioni me të cilin Gjergji hulumton mbi konstruktin hiper-real apo simulakrial të realitetit, mbi maskimin me çdo kusht të reales së një pushteti autoritar të bazuar në karizmën e liderit absolut. Artisti thuajse në mënyrë didaktike ndjek në këtë video instalacion marrdhënien psikanalitike të fëmijës dhe “pasqyrës së thyer” të egos, imazhin e ankthshëm që fëmija percepton në krizën e parë të identifikimit të vetvetes si qenie e braktisur në univers. Dhe kësaj qenieje të vetmuar dhe të vetëdijshme për tredhjen e pësuar – të faktuar materialisht në kordonin e prerë kërthizor – imazhi i thyer i pasqyrës i restaurohet me ndërhyrjen e nënës, me ndjenjat afektive të saj përkundrejt kësaj qenieje të braktisur (është nëna e Stalinit që i hap account-in e facebook-ut).

Nga metafora e pasqyrës frojdiane kalohet në bashkëkohësi me metaforën e Helidon Gjergjit, në të cilën është përsëri nëna që ndërhyn për të restauruar imazhin e liderit karizmatik absolut, i cili na ripropozohet i virgjëruar në new media. (Sikur të mos kish mjaftuar koka e prerë e Luigjit XVI, internimi i Napoleonit në Shën Helenë, etj., etj., njerëzimi këmbëngul të udhëhiqet me përrallën e liderit karizmatik!) Nëpërmjet çelësit të vjetër frojdian, edhe sot, e përditshmja jonë kushtëzohet dhe planifikohet – duke ndërruar mjetin/mediumin e propagandimit – nga karizma e liderave tanë të dashur; duke filluar nga Obama, Papa i Romës, Sali Berisha apo Edi Rama.

Edhe në këtë rast është domethënës fakti që Gjergji kryen këtë hulumtim artistik që në 2009 – vit i realizimit të video instalacionit -, vit i boom-it të liderave në new media sipas shembullit të fituesit të ri të garës për Shtëpinë e Bardhë në 2008, Obama.

Gjithsesi, deri këtu, “asgjë të re nga fronti i perëndimit”. E reja ishte boom-i që do të plaste në Shqipëri, fillimisht me Edi Ramën në Twitter, i cili duke parë që po kalohej nga Berisha në Facebook kaloi edhe ai në këtë platformë masmediatike gjërësisht të konsumuar prej shqiptarëve.

Ndërsa e reja e Gjergjit, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për Perëndimin, konsiston në problemin e përfshirjes së artistëve, dhe artit të tyre, në funksion të krijimit të imazhit karizmatik të udhëheqësit, që falë masmedias është hiper-real, super i inflacionuar, dhe ende – sipas Gjergjit – me bazë në trekëndëshin edipik (egoja e thyer e pasqyrës – imazhi restaurues i Nënës/Tjetrit – imazhi spektral i Atit/trashendetalizmi). Për këtë, jo më kot, Gjergji përdor Shostakoviç dhe Valsin n. 2 (kam përshtypjen se autori dhe kuratori Artan Shabani janë gabuar në etiketën prezantuese të veprës ku citohej si “Suite for Jazz Orchestra n. 2” vepra e kompozitorit rus). Me këtë vals të trishtë, Shostakoviç, si artisti më i angazhuar i artit të realizmit socialist me matricë zhdanoviane, aludonte në 1956 disfatën e bindjeve staliniste dhe të vetë artit të angazhuar në krijimin e imazhit restaurues të egos së liderit karizmatik dhe absolut.

Për Helidon Gjergjin – si dhe për Shostakoviçin e fundit – konstrukti fiktiv i imazhit të liderit është një përrallë e vjetër në të cilën vazhdon e sakrifikohet arti dhe artisti (kujtoj se Shostakoviç ishte talenti i fundit i kompositorëve klasik sovjetik që shpenzoi dhe sakrifikoi talentin e tij për “idealin” e përbashkët).

Po t’i hedhim një sy sot – 5 vjet pas realizimit të “e-mages” – faqes së facebook-ut të Kryministrit Rama, ku në wall-in e tij vezullon një “vepër artistike” e tij e botuar dhe e pistonuar si “art i mirëfilltë” nga artisti Anri Sala – artist i angazhuar jo në ndonjë ideologji, por në konstruktin dhe restaurimin ekskluziv të imazhit të egos së thyer të liderit –, do të vërejmë se sa nuk është kuptuar trekëndëshi i vjetër i Edipit frojdian. Një trekëndësh i keqkuptuar apo relativisht i kuptuar si në Shqipëri ashtu edhe në Evropë, ku “artisti nga shpirti dhe kryeministër nga misioni” Edi Rama ka mesa duket një lloj efekti “origjinal” në sytë e Merkel-it (nuk di sa? dhe deri kur?) apo tek socialistët e internacionales evropiane.

artist nga shpirti dhe kryeminister nga misioni

artist nga shpirti dhe kryeminister nga misioni

Po ndalem këtu me sugjerimet që më ndjell vepra e Gjergjit sepse i përkasin një shkrimi tjetër.

P.S. Do kishte qenë më mirë që ekspozita të kishte patur një tekst kuratorial shoqërues, sepse – me përcjelljen papagallizuese të gazetarëve të kulturës të mediave tona – diskuri i fragmentuar i artistit dhe kuratorit nëpër intervista nuk transmetonte thelbin dhe potencën e saj, të cilat mund të krijonin dhe hapnin debate që, në shkretëtirën artistiko-kulturore shqiptare, mungojnë si “ujët e pakët”.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s