MIGJENI … Thesaret! (Pjesa I – Romeo Kodra)

Migjeni

Migjeni

Migjeni është një akronim. Ekstrem. In nomine omen … ‘akron’ në greqisht është ‘ekstrem’.

Migjeni është edhe një lutje. Laike, natyrisht. E padëgjuar deri në fund. Sepse Migjeni nuk ka fund, është ekstrem si emri i tij, një hon marramendës dhe spiraleform.

Migjeni! – thotë Millosh Gjergj Nikolla.

Çfarë me i gjet Migjenit? Ç’ka humb? Ç’kërkon nga ne? Ç’ka në këto rrokje që duhet të rrokim? Pse kjo lutje në emër të vetzgjedhur na është drejtuar në shumës?

Personalisht nuk mund ta lexoj Migjenin si teorik, as si dijetar e studiues i letrave. Më vjen natyrshëm ta lexoj me zë. Si aktor. Me teori dhe teknika aktoriale. Nuk është një rrugë e shkurtër dhe oportuniste për të shfrytëzuar dhe shpalosur sa më mirë njohuritë e mia personale. Kam parë mjaftueshëm akademikë të pjerdhur, intelektualë narçizë, frekuentues sallonesh masmediatike për të vjellë gojarisht dhe mendërisht eskremente të ngjashme.

E bëj sepse nuk më rezultojnë qasje kundrejt autorit shkodran që fillojnë dhe mbarojnë me trupin e tij, pa iu ndarë. Nuk më rezultojnë aktorë që të kenë ndjekur tingullin migjenian. Dhe është një tingull i infektuar. I sëmurë. Po filloj, nëse mundem, të shpjegoj përse-në.

Nuk mund të kuptohet Migjeni nga jo të sëmurë, nga trudhjamosur. Për të duhet pranuar infektimi cerebral dhe pulmonar. Me Nietzsche-n: Përtej së mirës dhe të keqes!

Njeriu i Ri migjenian nuk është njeriu i ri i krishterë. Njeriu i Ri migjenian nuk është njeriu i ri socialist. Njerëzorë, tepër njerëzorë janë këta larvorë trashendentalë. Njeriu i Ri migjenian është ri-kthimi i përjetshëm, kthimi i përjetshëm tek e reja dhe jo rikthimi i së vjetrës, i Atit të shenjtë apo idealit socialist të masës proletare. Migjeni nuk është për të gjithë, edhe pse i referohet të gjithëve.

Migjeni nuk u bë nietzsche-an. Migjeni u gjet nietzsche-an. Për këtë pret që t’ja gjejmë sintezat e produktit të tij artistik, intensitetet psiko-fizike të hedhura në letër.

Për filozofin gjerman tragjedia lind nga muzika (shih “Lindja e tragjedisë”). Çdo aktor, i denjë për tu quajtur i tillë, pas Antonin Artaud-së, e ka mëse të qartë që tragjedia është edhe më e thellë; ajo nuk lind nga çdo muzikë, nuk lind nga muzika e Wagner-it siç zbuloi shpejt Nietzsche: lindja e tragjedisë vjen nga tingulli, nga elementi primar i muzikës, vjen – duke u perceptuar fizikisht prej njeriut – nga kordat zanore, nga takim-përplasja e tyre.

Por, nuk ka tingull kur dhe ku nuk ka ajër, kur dhe ku nuk ka oksigjen, kështu që ky i fundit është i domosdoshëm. Me këtë domosdoshmëri Migjeni merrte jetën dhe vdekjen. I infektuar që në adoleshencë (1927) nga një sëmundje pulmonare, që i kish marrë jetën të vëllait në 1925 (pleurit), Migjeni dashje pa dashje thith jetën duke pranuar vdekjen. Me ajrin e jetës pranonte vdekjen, përtej së mirës dhe të keqes, që mbërriti me një tuberkuloz në 26 gusht të 1938 (them ‘përtej së mirës dhe të keqes’ sepse sëmundjet pulmonare janë degjenerative nëse nuk kurohen, dhe Migjeni kishte dijeni për këtë).

“[T]rupi i aktorit mbahet nga frymëmarrja, frymëmarrja e mundësit, e atletit mbahet nga trupi” thoshte Artaud në “Një atletikë afektive” (Le Théâtre et son double) për të hartuar kartografinë e formimit të aktorit sipas konceptit të tij radikal. Këtë trup atlet-aktori Migjeni e mbante me jetë dhe vdekje. Kemi tek poeti shkodran një dystim imanent të jetës dhe vdekjes që janë pjesë e ndërgjegjes së tij në çdo çast, në çdo frymëmarrje, që është edhe një marrje fryme në fund të fundit. Është kjo shifra deshifruese e corpus-it të veprës migjeniane, kjo jetë që bren jetën nga brenda, kjo marrdhënie tradhëtare që merr dhe jep në të njëjtën kohë, kjo përkundje në një djep-qivur.

Kam dëshirë të filloj e të kërkoj, e ndoshta të gjej, tek Migjeni jo nga fillimi, as nga fundi, por në mes, aty ku ndjej se ka më shumë intensitet, më shumë presion pneumatiko-cerebral apo psiko-fizik. Por edhe në mes Migjeni ka fundin, edhe në mes ka fillimin. Kudo, si edhe në mes, Migjeni është vullkan. Mesi, syri, i ciklonit është i qetë; Migjeni jo! Me këtë bindje po e filloj pra, me fillimin e “Kangëve të fundit”, me të parën prej tyre.

Pak dritë! Pak dritë! Pak dritë, o shok, o vlla.
Të lutem, pak dritë në kët natë kur shpirti vuen,
kur të dhemb e s’di ç’të dhemb, e syni gjum nuk ka,
urren nuk din ç’urren, don e s’din se ç’don.

Pak dritë! O burrë! O hero! ngado që të jesh! ….
Burrë që shkatrron edhe që ndërton sërish!
Pak dritë vetëm, të lutem, mshirë të kesh,
se do çmendem në kët natë pa gjumë dhe pa pishë.

Oh! ta kisha pishën të madhe edhe të ndezun!
Me flakën e pishës në qiellin e ksaj nate
ta shkruejshe kushtrimin … Ehu Burrë i tretun!
Do ta shifsha vallen tande në majë të një shpate.

Por pishë nuk karn e vetëm janë burrat, shokët …
Dergjem n’errsinë pa gjumë dhe pa dritë …
Askush s’më ndigjon, çirren kot më kot …
Hesht more, hesht! por qindro, o shpirt.

Gjeli këndon dhe thotë se asht afër drita
– Gjel, rren a s’rren? cila asht fjala e jote?
Kur ti këndon thonë se asht afër drita …
Por un s’besoj sonte në fjalët e ksaj bote.

Hiqmuni qafe, mendime!
O jastëk ty të rroki, të përqafoj si shpëtimin,
më fal atë që due: gjumin dhe andrrimin
e dy buzve që pëshpërisin ngushllimin.

Si fillim, duhet patur kujdes: Migjeni shkruan “kangë”. Pa përjashtim në “Vargje të lira” kemi “Kangët e ringjalljes”, “Kangët e mjerimit”, “Kangët e Perëndimit”, “Kangë në vete”, “Kangët e rinis”, “Kangët e fundit”, “Kanga e qytetit të huej” dhe “Kanga e trumcakut” (Për këtë renditje jam bazuar tek Migjeni – “Vepra”, Shtëpia botuese Migjeni, Tiranë 2011). Etimologjikisht, prej sanskriptishtes, ‘kanga’ ka të bëjë me kumbimin, rezonancën, britmën, vajtimin. Pra, jo mëkot kam zgjedhur qasjen teatrore apo trupore, sepse ‘kanga’ ka të bëjë me kumbimet, rezonancat me tingëllimet që materializohen në kordat zanore, dhe tek Migjeni edhe më thellë.

E lexuar me zë kjo ‘kangë’, e para prej të fundmeve migjeniane, kërkon mbështetjen në zë. Sforcimi fizik konsiston tek fryma e nxjerrë dhe e dalë që prej fundit të barkut, aty ku lidhet me pjesën pubike. Sipas Artaud-së cituar më sipër “[a]ty ku atleti mbështetet për të vrapuar, aktori mbështetet për të ulëritur një mallkim spazmik, por vrapi i tij është për nga brenda”. Po kështu kjo ‘kangë’ e ulëritur me spazma të infektimit pulmonar është e drejtuar përbrenda. Fryma del më shumë nga hundët sesa nga goja.

“Shoku”, “vllai”, “burri”, “heroi” të cilëve u kërkohet me ngulm “drita” janë shumatorë të apoteozës së njeriut të ri, atij që “shkatrron edhe që ndërton sërish”, pranimit të tij nëpërmjet kësaj ‘kangë’ rituale, pranimit të një njeriu që faktikisht jeton duke u shkatërruar dhe ndërtuar sërish nëpërmjet ajrit që thith. Është Migjeni që ndjell forcat brenda vetes për të përballur fatin dhe natën e tij pa dritë.

Sesa pa dritë ishte kjo natë mjafton të rilexohën panegjirizmat pro-fashiste të “Hyllit të Dritës” në epokën e fundviteve ’30 të ‘900, mjafton të lexohen hareja e hallakatur e shkrimeve të shumicës së intelektualëve klerikalë, borgjezë apo feudalë, mjafton të shihen shitjet dhe spekulimet kompromentuese me Musolinin prej Zogut, mjafton të shihet prostitucioni 360°, fizik dhe intelektual, i plasur sheshit në çdo rang të jetës.

Por Migjeni ka armikun më të madh brenda, në trup e në mendje. Në strofën e tretë e kuptojmë që revolucionin më të madh e ka dhe e ndjell brenda vetes, e ka dhe e ndjell kundër atij ‘burri të tretun’ fizikisht e mendërisht të cilit dëshiron t’ja shohë vallen ‘në majë të një shpate’. E urren me ndërgjegje atë ‘burrë të tretun larvor’ që jeton ende brenda tij dhe shokëve të tij, edhe këta nga ana e tyre të braktisur dhe të shastisur në vetmi (‘… vetëm janë burrat, shokët … çirren kot më kot’). E megjithatë PO-ja e thënë jetës për asnjë çast nuk mungon: ‘Hesht more, hesht! por qindro, o shpirt’.

Edhe gjeli i mëngjesit ‘thotë se asht afër drita’. ‘Punë, punë natë e ditë që të shohim pakëz dritë’ thoshte Ati i Rilindjes kombëtare (asaj të vërtetës), por a i besohet më fjalëve të Atit? A shkohej më qorrazi pas prostituimit atëror që mbreti Zog, Ati i shqiptarëve, po kryente me fashizmin dhe Atin e tij, Musolinin? A nuk do të vinte një tjetër At kombi, Adolf Hitler, që do të hapte “kampet e punës” me parrullën ‘Arbeit macht frei’ / Puna ju bën të lirë? Duket se Migjeni e ka patur një përgjigje, a priori, dhe të qartë madje.

Në strofën e fundit, atëherë kur duket se fuqia e ka lënë, dhe drita e ditës së re po i sjell këshillën e duhur (Merrja një sy gjumë!), Migjeni gjen mënyrën për të larë hesapet edhe me një lloj pozitivizmi sentimental që shpesh thotë: mos u ndje! ç’të duhet ty? ke për të parë, gjërat do të shkojnë më mirë! Përsa i përket këtij aspekti një lexues i pakujdesshëm do të lexonte vargjet ‘më fal atë që due: gjumin dhe andrrimin / e dy buzëve që pëshpërishin ngushllimin’ si një dëshirë e Migjenit për të ëndërruar të dashurën, buzët e saj. Pra do e lexonte nën lupën e erotizmit. Por, jo. Migjeni kërkon ironikisht ‘gjumin dhe andrrimin’ e së dashurës, lehtësinë e vështrimit të saj mbi jetën, pëshpëritjen ngushllëlluese dhe të frikësuar përkundrejt natës që mesa duket sheh dhe lufton i vetëm autori i rreshtave. Drama është e kompletuar në vetmi.

Në mbyllje doja të nënvizoja edhe një herë fizicitetin e ‘kangës’ migjeniane. ‘Hiqmuni qafe, mendime!’ thotë poeti duke treguar se mendimi peshon, dhe peshon fizikisht pas qafe. Nëse do të lexohet me zë Migjeni në mënyrën spazmodike që tregova më sipër, duke nxjerrë frymën nga fundi i barku, aty ku lidhet me zonën pubike, atëherë pas një kohe relativisht të shkurtër aktorit i fillon një dhimbje koke, pikërisht pas qafe, aty ku lidhet fundi i kokës me qafën (eksperimentuar nga Carmelo Bene).

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s