Enveri(zmi) mes intelektuales dhe intelektu(h)ales. (Romeo Kodra)

Ky shkrim ka dy versione në regjistrin e tij gjuhësor. I pari, më i natyrshmi për mua, është vulgar dhe i paprezantueshëm në publik. Më vjen natyrshëm sepse – më thonë – kam filluar rrugëtimin tim në shqipen kombëtare, kur isha vetëm 10 muajsh, me një sharje ndaj nënës së pediatres që me stetoskopin e saj të akullt mundohej të më kontrollonte për bronshit. Ime më justifikohej, dhe vazhdon të justifikohet, se ishin komshinjtë jevgjë (clichè që vazhdon nga terri i kohërave) që m’i mësonin këto fjalë, por s’e kam besuar kurrë, sidomos kur vërej leksikun enciklopedik të xhaxhallarëve dhe dajallarëve mbi argumentin delikat.
Kështu pra, nuk po e përdor këtë gjuhë instiktive dhe po i nënshtrohem mirësjelljes publike apo, thënë ndryshe, qytetarisë.
Shkas i këtij shkrimi është publikimi sot 04/05/’14, në gazetën “Panorama”, i një interviste të Teuta Hoxhës (më poshtë “nusja”) që jepte opinionin e saj mbi pseudo-performancat e pseudo-artistëve të hallakatur në “ish-Vilën e Enver Hoxhës”. Dhe përshtypja që të lë intervista është se “nusja” ka të drejtë mbi shumë gjëra. “Nusja” është edhe nga të paktat – sëbashku me të nënshkruarin – që ka vënë re se performancat janë ide direkte e Ramës. Madje nuk e ka vënë re edhe redaksia e gazetës “shqiptarja.com” që kishte botuar artikullin – ‘Rrëfehet’ Edi Rama: Telefonata që më bëri ministër – më 6 shkurt 2014, edhe pse ka reklamuar, nga ana tjetër, eventin e 29 prillit. [Po e marrim si rastësi dhe jo si rreshtim kundrejt pushtetit të kësaj gazete këtë mungesë vëmendjeje ndaj shkrimeve të veta].
“Nusja” e intervistuar po përligj Enverin duke vënë në dukje enverizmin e pushtetarëve të tanishëm. Kush mund t’i thotë të kundërtën? Nëse duam të jemi objektivë, kush mund t’i thotë “nuses” që Enveri jetonte si pasha edhe se populli “hante barë”, kur Meta fton 600 veta në ditëlindjen e tij (të marrë të gjithë sëbashku besoj e kapnin 80% të pasurisë kombëtare)? Kush mund t’i thotë “nuses” dhe “Nexhmijes së dënuar për kafe të shpërndara në vdekjen e Enverit” që nuk janë kafet problemi, por “Spaçi”, “Burreli” e sa e sa kampe të tjerë, kur kemi “21 janarin” dhe “Gërdecin” që ulërasin për drejtësi?
“Nusja” thotë që “[p]ër atë shtëpi ne paguanim edhe qira. Nexhmija me Enverin paguanin 2000 lekë, ndërsa fëmijët nga 1000 lekë, ndërkohë që mesatarja e qirave ishte 150-300 lekë”. “Nusja” harron që shqiptarët si im gjysh (nga ana e tim eti), konservator, monarkist dhe besimtar (Hafiz), antifashist i orëve të para, që me një grusht donkishotësh si Mujo Ulqinaku (ndokush e kujton që është dëshmori i parë antifashist në Evropë?) dolën në Durrës dhe Shëngjin për të pritur me mushqeta zbarkimin e superfuqisë italiane, u kalb në burgjet e Enverit dhe kur doli për të vdekur në shtëpi, pa të shoqen me 5 fëmijët të gatuante në hale me furnellë vajguri. Po prej një haleje dhe një furnellë vajguri të ngjashme hante edhe i ati i sime mëje, bashkëthemelues me 20 donkishotë të tjerë i “Çetës së Pezës” (ndokush e kujton si grupimin e parë antifashist t’armatosur në Evropë?) të cilit “rastësisht” nuk i vinin më ftesa për “festën e Pezës” (kishte gabuar zgjedhjen e krushqëve) pas 1977. Dhe kjo është vetëm familja ime, pa dashur të shoh përtej hundës, por sa e sa të tjerë kanë histori të ngjashme edhe më të dhimbshme që dëshmojnë dinjitetin njerëzor dhe virtyte të karakterit të një populli që del në pah vetëm në këto situata ekstreme.
Por, gjithsesi “nusja” ka gojë e flet. Flet sepse po t’i përmbahemi objektivish fakteve dalim që jemi të udhëhequr nga Edi Rama, që ka fiksim ndërtimet, arkitekturën dhe hapësirën urbane, të cilave u fut nga një patinim me ngjyra, ose prej tyre u hap pjesërisht dyer apo dritare pseudo-artistëve qenushë-barktharë-bashkëkohorë që të mbulojë paaftësinë e një artikulimi historik të hapësirës sociale, publike, kulturore dhe artistike (Ndoshta ngaqë është e vështirë të justifikohet babai deputet? Ende me komplekse edipike? Po jap një ndihmë: Deleuze thotë që “kompleksi i Edipit është një kurth freud-ian pas të cilit fshihet Laius-i”, kështu që, jepi! Do guxim kjo punë, sepse ka pak për të humbur; duam Rilindje!).
Ka gojë “nusja” të flasë. Madje i pëlqen edhe ideja e muzeut sepse e ka të qartë që artikulimi historik i përqëndruar tek objektivizmi i objekteve (siç konceptohet muzeu nga muzeologët-muzeofagë të anëve tona) do t’i japë gjithmonë të drejtë Enver Hoxhës. I pëlqen ideja e muzeut “nuses”, sepse e di shumë mirë që enverizmit të liderave të tranzicionit 24 vjeçar nuk u leverdis të jenë objektivë, të numërojnë objektet e përvetësuara falë lloj lloj aferave me të cilat janë përlyer, për të mos dalë më enveristë se Enveri.
Tek shkruaj këto rreshta më duket sikur dëgjoj ende ekon e fjalëve të Enverit tek shpreh gjithë cinizmin e tij në mbledhjet e Komitetit Qëndror, “jam materialist” duke nënkuptuar të qenurit objektiv, i kufizuar tek objekti, tek gjëja, realja për të cilën politikanët e së ardhmes nuk do të mund ta konkurrojnë. Kush mund t’i thotë këtij qorri dhe horri të vdekur dhe të gjallë njëkohësisht, kush mund t’i thotë “nuseve” të tij, kush mund t’i thotë këtyre që “Kapitalin” e Marx-it e kanë përthithur në rrugë oralo-anale, që të qenurit materialist përfshin materien si koncept dhe jo vetëm si material? Për këtë duhet lexuar dhe studiuar filozofia, lënda e gjenerimit të koncepteve, dhe dihet, Enverit dhe enveristëve nuk u ka pëlqyer kurrë studimi.
Nuk ka kush i thotë asgjë “nuses”, sepse politikanë, historianë dhe artistë nuk kemi (“Chapeau!” Armando Lulajt që nuk u paraqit në masturbimet nekrofilike të 29 prillit por dërgoi vetëm një “guest list” me emra që neo-liberistët e Ministrisë së Kulturës, Mirëqenies Sociale dhe Rinisë duhet t’i njohin; nëse jo, pyesni andej nga MJAFT ose SOROS) përveç kryeministrit që vazhdon e prostituon me artin dhe kulturën.
Nëse duam të ripërpunojnë një histori pa na ngecur në grykë halat e “nuseve”, duhet të përqëndrohemi tek proçesi i gjenerimit të fakteve historike me të cilat realizohet e përditshmja jonë; në pak fjalë, përtej objektivizmit dhe objekteve. Objektet mbeten si librat e intelektualit Enver Hoxha, të cilët dy prej dajallarëve të mi i përdornin si letra higjenike kur nuk kish ujë (fshehurazi gjyshit natyrisht, sepse ky i fundit deri sa vdiq në ’94 betohej ende “për ideal të Partisë [asaj komuniste]” dhe “për gjakun e shokëve”, dhe i perceptonte librat e Enverit si libra të një shoku të cilit i kish dhënë besën). Dhe nëse do të përqëndrohemi tek proçesi i organizimit dhe ideimit të “Perdes së Hekurt” do të shohim që në thelb ka një zbrazëti, ka artistët të telekomanduar prej Edi Ramës (i zbrazët artistikisht edhe ky), vepra/t e të cilit/ëve – njësoj si për veprën e shokut Enver – kanë për destinacion (intelektu)halen e historisë bashkëkohore shqiptare.
P.S. Ndjesë lexuesve për kromatizmin gjuhësor, por jua siguroj që filtrat nuk mbajnë më shumë se kaq.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s