Pa titull sepse pa fjalё … mbi “Perden e Hekurt”. (Romeo Kodra)

Tё gjithё presin qё unё tё bёj njё kritikё. Kёtё pres edhe unё, dhe jo vetёm nga vetja, por edhe prej tё tjerёve. Kritika kёrkon nё rend: 1. ndershmёri intelektuale, 2. guxim, 3. saktёsi (jo vetёm artikulimi tё mendimit, por edhe referencash). Tё treja kёto janё tё lidhura ngushtё njёra me tjetrёn dhe influencohen reciprokisht.

Duke ju pёrmbajtur kritereve tё mёsipёrme dje, menjёherё pas “Perdes sё Hekurt”, ngjarjes mё tё fundit tё organizuar nё Vilёn 31 (nё ish-vilёn e Enver Hoxhёs) doja tё bёja njё kritikё, por shihja qё kisha njё pengesё tё mёtejshme kriteriale: mё mungonin fjalёt. Mё mungonin fjalё klasifikuese tё eventit qё tё shkonin pёrtej zbrazёtisё, ose pёr sё paku ta qarkonin atё. Detyrohem kёshtu, nё kёtё shkrim, tё pёrdor atё masturbim intelektual “par exellance” qё ёshtё citimi i vetvetes duke i kёrkuar lexuesit mundin e leximit tё dy artikujve tё mёparshёm nё “aksrevista” tё titulluar “Praktika psikogjene dhe proksemika e hapёsirёs: ‘Blloku’ i Tiranёs”, si dhe “Teatri, arti, kultura dhe prostitucioni”. Nё tё parin lexuesi do tё orjentohet nё konceptin e pёrshenjimit (proksemika) hapёsinor dhe territorial prej pushtetit me konotacione historike (shqiptare), dhe nё tё dytin njё profil fillestar tё raportit tё njeriut mё tё pushtetshёm nё kёtё vend me artin, kryeministrit Edi Rama.

Po e nis aty ku e kisha ndёrprerё shkrimin e djeshёm duke u munduar tё shtjelloj parantezёn e mёsipёrme.

Sot, mё 29 prill 2014, nё vilёn e ish-diktatorit Enver Hoxha disa artistё tё lajthitur, tё vetquajtur bashkёkohorё, organizuan njё ngjarje tё titulluar “Perdja e Hekurt”, ku shpalosёn deliret e tyre me mbёshtetjen e minstrave Erjon Veliaj dhe Mirela Kumbaro-Furxhi. Kjo ngjarje kurohej nga Ema Andrea dhe Klodjan Dedja (tё Fondacionit M.A.M.) dhe shihte pjesёmarrjen e artistёve Brigel Gjoka, Heldi Pema, Edit Pulaj, Armando Lulaj, Olson Lamaj, Helona Ruli, Rubin Beqo dhe disa studentёve tё Universitetit tё Arteve.

Nuk e di nёse tё gjithё artistёt e pranishёm nё banner-in e varur nё muret e Vilёs 31 morёn realisht pjesё nё kёtё ngjarje. Me siguri do e dinё tё privilegjuarit qё morёn ftesa nga organizatorёt e ngjarjes. Gjithsesi shpresoj qё tё pranishmit – sidomos artistёt – tё na e artikulojnё ndonjё ditё vendimin e pjesёmarrjes sё tyre.

Kronikёn e kёsaj ngjarjeje e kam ndjekur pёr sё largu, jo vetёm nё distancё fizike, por edhe kohore. Fillimet i ka nё njё intervistё tё kryeministrit Edi Rama tё publikuar tek http://www.shqiptarja.com mё 6 shkurt 2014. Nё tё kryeministri Rama hedh idenё e tij mbi rishfrytёzimin e ish-vilёs sё diktatorit duke thёnё “[m]ё pёlqen vёrtet ideja e pёrdorimit tё saj si bujtinё lagjeje. Duke mbajtur shtёpinё ashtu siç ёshtё, duke mbajtur çdo gjё, madje edhe mobiljet e Hoxhёs – por duke ndryshuar natyrёn e jetёs brenda. Pёr momentin, kjo ёshtё njё rezidencё qeveritare, por ajo mund tё jetё njё bujtinё pёr shumё njerёz, njё vend pёr çdo gjё dhe gjithkush qё Hoxha do tё kishte urryer tё kishte pёrreth. Ai do tё kishte urryer tё kishte atje njё artist bashkёkohor.”

Duke lёnё mёnjanё injorancёn totale tё kryeministrit pёrreth pёrshenjimit tё hapёsirёs prej njё subjekti, duke lёnё mёnjanё injorimin e shpalosjes sё dinamikave dhe logjikёs territorializuese tё sintezave pasive nё bazё tё sё cilave formёsojmё tё pёrditshmen tonё si qenie njerёzore, duke anashkaluar edhe injorancёn historike, teorike dhe artistike tё Ramёs … nё pak fjalё nuk mund tё pres qё tё ketё dijeni mbi koncepte deleuze-iane; pra duke lёnё mёnjanё tё gjitha kёto, abstrakti i mёsipёrm denoncon edhe “spontanitetin” e “artistёve bashkёkohor” si Ema Andrea & Co (Ju kujtoj qё edhe hapja e parё e Vilёs, qё pёrmend Klod Dedja nё intervistёn televizive pёrpara “Perdes sё Hekurt”, ka ardhur pas intervistёs sё E. Ramёs).

Mё vjen keq t’i pёrmbledh tё gjithё pjesёmarrёsit nё njё kallёp, por nuk e kuptoj dot kёtё lloj arti me “propozim nga poshtё dhe urdhёr nga lart”. Si ka mundёsi, tё dashur artistё dhe spektatorё, tё merret pjesё nё njё event tё titulluar “Perdja e Hekurt” me njё anakronizёm prej çerek shekulli? Si nuk kuptohet qё, tё marrёsh pjesё nё njё ngjarje tё tillё tё prezantuar si art bashkёkohor, ёshtё njё kontradiktё nё terma? Po kur jua prezantojnё si art “social dhe jashtё protokollit”, dhe mё pas ju thonё qё hyrja ёshtё vetёm me ftesa, nuk ju duket si kontradiktё? Nuk ju duket absurde pjesёmarrja nё njё “event social” nё njё territor sot e kёsaj dite tё rrethuar me gardh dhe tela me gjemba? Nuk ju duket sikur po pёrshenjoni edhe ju territorin? Nuk ju duket sikur po krijoni njё status? Nuk mendoni se duke pёrshenjuar po pёrshenjoheni?

Nuk besoj se tё gjithё artistёt dhe spektatorёt kanё nivelin e rrafshtё tё pёrgatitjes teoriko-artistike tё aktoresalternative/profesoreshёsuniversitare/personazhitVIP Ema Andrea, por nga ana tjetёr nuk kuptoj verbёrinё e tyre kundrejt megaplatformёs LED tё vendosur pёr tё pistonuar imazhin simulakrial tё ngjarjes. Dy libra nuk janё lexuar?

Shumё artistё vihen nё rresht prej urdhёrave nga lart (tё maskuara si propozime nga poshtё) duke pёrdorur justifikimin e “tё bёrit art duke taposur hundёt”. Zgjedhja sipas tyre ёshtё e reduktuar nё dilemёn urino-fekale. E pёrkthyer nё shqip: pranojmё tё bёjmё art me Edin sepse me Salёn s’ka shanse! “Ёshtё mё mirё tё mos dimё asgjё, sesa tё dimё shumё gjёra pёrgjysёm” thoshte filozofi qё hapi epokёn bashkёkohore, Friederich Nietzsche. Unё pёrgjigje tjetёr, pёr artin dhe artistin bashkёkohor shqiptar, nuk gjeta.

Dua, pёr ta mbyllur, t’i kujtoj artistёve dhe spektatorёve qё kanё stomakun e fortё dhe pranojnё – edhe sikur “sa pёr tё provuar” – tё marrin pjesё nё evente tё tilla, qё kemi, nё kёtё moment historik, detyrimin e tejkalimit tё fazёs orale tё zhvillimit artistiko-kulturor. E kemi kёtё detyrim qoftё si artistё, qё duhet tё tejkalojnё thёrrimet e pushtetit (“na ёshtё bёrё njё dhuratё”, thoshte Klod Dedja nё njё intervistё nё televizion); qoftё si spektatorё apo publik, qё duhet tё refuzojnё tё njёjtёn çorbё tё servirur nё rrethrrotullimin e tranzicionit 24 vjeçar qё nuk tranziton kurrё.

Mjaft mё me fishekzjarre! Tё jemi tё sigurtё qё fishekzjarret formojnё vetёm personalitete. Tё jemi tё sigurtё qё nё fushёn e artit dhe kulturёs nuk do tё mund tё ketё efekt asgjё qё nuk fillon nga njё strukturё. Ndokush e mban mend “Bienalen”? U ndёrrua qeveria mbёshtetёse dhe ajo u zhduk. U zhduk sepse nuk kishte njё strukturё. U zhduk sepse nuk u krijua njё strukturё solide menaxheriale, por u krijuan personalitetet qё “Bienalen” e kishin ndёrtuar si event. Sikur tё kishte njё strukturё qё gjeneronte art dhe kulturё nё mёnyrё integruese, historia e thotё, asnjё politikan nuk do ta nёnvleftёsonte si instrument gjithpёrfshirёs politikash. Madje do tё bёnte ç’mos pёr t’i dhёnё gjurmёn e vet duke e bёrё mё efektive dhe efikase. Por kjo gjё nuk bёhet duke shkuar gojёhapur dhe nё gjunjё pёrpara politikanit tё rradhёs; bёhet duke kultivuar karakterin dhe vlerёn thelbёsore tё artit: vёnien nё krizё tё pushtetit, cilido dhe i kujtdo qoftё ai.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s