Teatri Kombëtar drejt Rilindjes … me plaformën e Hervin Çulit? (Romeo Kodra)

Në muajin dhjetor të 2013 bëra një shkrim të titulluar “Teatri Kombëtar në udhë ose në kryq: çështje evropianizimi.”. Shumë gjëra kanë ndodhur dhe ndryshuar që atëherë, por përplotësimi gradual i 4R është përshpejtuar përtej pritshmërive. Dhe busulla nuk shenjon drejtimin e Evropës.
“Rinovimit” (R1), të verifikuar me zgjedhjen e drejtorit të ri të TK, dhe “risisë” (R2) të vënieve në skenë të dramave mediokre (përveç profesionalitetit të Alfred Trebickës, edhe pse në një dramë bajate broadway-ane, niveli ka qenë ai i çorbës së zakonshme), u është shtuar edhe efekti i parë i “reformës” (R3) së deformuar dhe deformuese të drejtorit Hervin Çuli; personi që ministrja Mirela Kumbaro-Furxhi ka zgjedhur dhe deleguar për të nxjerrë Teatrin Kombëtar nga këneta e derimësotme dhe për ta çuar drejt Rilindjes (R4).
Por, cili është ky efekt i “reformës” së Çulit?
Më 22 prill, Ministria e Kulturës publikoi në faqen zyrtare disa thirrje konkurrimi për vende pune. Dy prej tyre më bënë përshtypje. E para i përket pozicionit të “Specialist Grafik Designer”. Sipas logjikës dhe strukturës menaxheriale të Çulit ky grafist – personi që do të merret me krijimin e fletushkave, banerave, materialeve publicizuese dhe të marketingut – na u dashka domosdoshmërisht të jetë i “diplomuar në pikturë/skenografi”. Madje na u dashka domosdoshmërisht të ketë një eksperiencë jo më pak se “tre vjeçare në institucionet publike”.
Tani, unë si cinik që jam, dhe i gatshëm të mendoj gjithmonë për më të keqen, them se, pas leximit të thirrjeve ministrore, një hije dyshimi duhet t’i vijë edhe lexuesit më profan, edhe atij që me shumë mund arrin të llogarisë që 2+2=4. Duke qenë se në Shqipëri ka edhe degë studimesh universitare në Art&Design, logjika do ishte që të vihej kjo si kusht i formimit akademik të kandidatëve. Kam frikë se në trurin e Hervin Çulit apo në listat e QOKAVE të ministres Mirela Kumbaro-Furxhi kandidati “ideal” për këtë post ka emër dhe mbiemër.
Gjithkush prej mirëmenduesve orwellian të kopshijeve tona mund të mendojë, për të justifikuar ministren dhe drejtorin, se mund të ketë një lapsus në thirrjen për konkurrim. Por, për t’ju mbushur mendjet “top” mjaftohem të citoj thirrjen për pozicionin e “biletashitëses”:
“Të ketë përvojë menaxheriale mbi 3 vjet në shitjen e biletave në institucione kulturore-artistike”.
Drejtori Hervin Çuli dhe minstrja Mirela Kumbaro-Furxhi, këta gjeni të menaxhimit të prasit fluturues dhe patates së qëruar, kërkojnë që biletashitësja e TK të ketë përvojë menaxheriale, madje mbi tre vjet, dhe mbi të gjitha në institucione artistiko-kulturore. Kam përshtypjen se duhet të jenë nja 4 apo 500 vetë të tillë në Shqipëri, apo jo!?
Do të doja të ndalesha dhe të zbërtheja zbrazëtinë nga pikëpamja menaxheriale që del në pah – në mos për gjë tjetër – nga moskoherenca e thirrjeve që një institucion nxjerr. Ka libra, studime, ka literaturë të tërë, që shpjegojnë deri ku duhet të shkojë koherenca menaxheriale e një institucioni, që natyrisht përfshin dhe përshfaq identitetin dhe etikën menaxheriale të tij edhe në modalitetin e thirrjeve për plotësimin e personelit.
Por, dua – për të mos e lodhur lexuesin me teknicizma – të ndalem ekskluzivisht tek gjëja më acaruese dhe e pafytyrë.
Lexuesi duhet të dijë që në konkursin për postin e drejtorit të TK, nga MK, nuk kërkohej si kriter formimi akademik menaxherial për institucioneve artistiko-kulturore. Madje kriteret mbeteshin në vagullsinë e “të ketë arsim universitar dhe kualifikime plotësuese në fushat e – artit, – menaxhimit, – drejtimit të projekteve kulturore”, duke u kujdesur kështu t’i mbanin të shkëputura artin, menaxhimin, drejtimin e projekteve për t’i lejuar vetes të zgjidhnin një kandidat që përafërsisht përputhej me profilin e kërkuar dhe të mos i hapnin telashe me justifikim e kësaj zgjedhjeje. Nën të njëjtën vagullsi mbeteshin edhe kriteret e tjera që i kërkoheshin kandidatëve; nën të njëjtën vagullsi mbetej edhe kriteri i eksperiencës (i papërcaktuar në kohë). Por, kjo nuk do të thotë gjë: drejtori Çuli, nga lartësia e tij virgjërore, e paprekshme dhe e pakorruptueshme, kërkon nga biletashitësja të ketë eksperiencë “mbi tre vjeçare në menaxhimin e shitjes së biletave”.
Konkluzionet aritmetikore mirëmenduesve!
Përse humbas kohën me shkrime dhe ankohem? Përgjigjia është e thjeshtë: sepse më vjen natyrshëm dhe konteksti më jep stimuj çdo ditë e më shumë. Ka edhe disa kënaqësi të vogla, si p.sh. artikulli i Altin Bashës publikuar sot (24 prill) në gazetën “Shqip”, “Takimi Mbarëkombëtar për Dramën Shqipe (pjesë me 1 akt)”, në të cilin përmendet për herë të parë – përveç “Milosaos” dhe http://www.aksrevista.wordpress.com – hapja e platformave menaxheriale të konkurseve. Shpresoj – përtej kënaqësisë që më jep ky sinjal sensibilizimi – që gjithsesi të mos merret me shumë ironi dhe të qeshura shpërdorimi i taksave publike prej batakçinjëve të mirënjohur sepse ka njerëz që për ato taksa derdhin djersë dhe nuk arrijnë në fund të muajit. Është e vërtetë që jemi në gjendje tranzicioni dhe sarkazma tipike borgjeze na vjen natyrshëm, por për disa ky tranzicion do të thotë 24 vjet emergjencë të përditshme.

Një mendim mbi “Teatri Kombëtar drejt Rilindjes … me plaformën e Hervin Çulit? (Romeo Kodra)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s