‘Teatër Eksperimental’ apo ‘Teatër i Komedisë’? Kjo nuk është çështja! (Romeo Kodra – Gazeta Shqiptare 23/03/2014))

Erdhi edhe rradha e Teatrit Kombëtar të Komedisë. Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro-Furxhi siç duket ka vënë në shenjestër edhe këtë institucion publik në vartësi së Ministrisë që drejton. Duhet t’i njohim kësaj Ministreje një farë koherence në vendosmërinë e ndryshimit të institucioneve mbi të cilat ka kompetencë [ndryshim i kufizuar në emërtime dhe emërime, natyrisht. Përtej fasadës? ‘Larg qoftë’, nëse thellohemi!].

Kështu që natyrshëm i erdhi rradha edhe TKK. Nuk kuptoj çudinë e drejtorit Kastriot Çipi dhe bordit artistik të TKK nga kjo pikëpamje. Nuk kuptoj pse kujtojnë se, meqë “TKK ka marrë lavdërime” prej Ministres së Kulturës gjatë një takimi me të, u dashka kursyer nga koherenca ministrore [Prandaj paskan ndenjur urtë deri më tani!?]. Madje kanë nënshkruar edhe një peticion për “shpëtimin e TKK”, me të cilin kërkojnë të mbledhin shumën e ‘paimagjinueshme’ të 1000 firmave.

U them këtyre zotërinjve se janë shumë vonë. Loja ka mbaruar me kohë miq të dashur. Është e lehtë të ngrini zërin kur patatja e nxehtë ju vjen nën të ndenjura. I pata kërkuar një miku të TKK ekspozimin publik për autoritarizmin e Ministres së Kulturës gjatë proçesit të përzgjedhjes së Drejtorit të Teatrit Kombëtar ku – duke u faktuar mbi ligj – mund diskretitohej jo vetëm Ministria e Kulturës, por të tërë ata që ‘Ligjin për Artin dhe Kulturën’ e kanë hartuar. Dhe do të ishte higjenizuar goxha ambjenti kam përshtypjen. Por kërkesës së mbështetjes sime me një ekspozim në vetë të parë me dashamirësi iu preferua ‘një shfaqje në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit’ dhe premtimi i ekspozimit ‘pas zgjedhjes së drejtorit të Teatrit Kombëtar’, domethënë, ‘pas pilafit’, që megjithatë ende jam duke e pritur.

Përshtypja ime është se kush nuk ka hapur gojën përgjatë gjithë këtyre autoritarizmave ministrorë e ka bërë sepse injoron totalisht kontekstin artistiko-kulturor shqiptar, ose është i përfshirë në marrveshje të dyshimta që e kanë sjellë në pozicionin e derimësotëm. Nuk shoh arsye tjetër. Jam i hapur ndaj alternativave.

Si mund të dilet nga kjo situatë miq të dashur të TKK? Është e thjeshtë besoj: duke folur për atë që të gjithë duket se evitojnë; për teatrin si art dhe si art që duhet menaxhuar në mënyrë specifike dhe të posaçme. Pse ju, operatorë të fushës, keni kaq frikë të kundërshtoni Ministren e Kulturës në thelbin e çështjes? Është i çuditshëm fakti që nuk e bëni duke qenë se do të flisni për gjënë që teorikisht njihni më mirë, për profesionin tuaj dhe (shpresoj) pasionin. Jeni të pasigurtë për atë që dini të bëni? Atëherë si keni arritur aty ku jeni? Keni arritur aty si bord dhe si drejtues duke fituar konkurse të hapura me platforma të cilave u dilni për zot sot e kësaj dite? Mos vallë ka të drejtë Ministrja e Kulturës kur flet për “qoka”? Nëse nuk është kështu, pse nuk detyroni Ministren Kumbaro-Furxhi të zbresë një ditë të bukur nga zyra në një debat publik të hapur, me praninë e media-s, në sallën e TKK, ku të mund të vlerësohet vizioni i Ministrisë së Kulturës? Por kini kujdes, do t’ju duhet të justifikoni edhe vizionin tuaj, artistik dhe menaxherial. Jeni të sigurtë që keni bërë art me broadway-izmat që keni vënë në skenë këto pak vite të egzistencës suaj si institucion? Jeni të sigurtë se ajo është komedia e vërtetë, për të cilën mbani emrin dhe jeni përfaqësues institucional? Jeni të sigurtë se ia keni idenë se ç’është një platformë e vërtetë menaxheriale dhe ndërtimi strukturor i një institucioni? Kam përshtypjen se edhe ju miq të dashur do t’ju duhet të ekspozoheni dhe të vlerësoheni për ato që dini. Dhe do t’ju duhet diçka më shumë se ndonjë frazë e efektshme e hedhur tek-tuk për të sugjestionuar profanët e teatrit. Kam përshtypjen se në këtë rast ka pjesërisht të drejtë Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro-Furxhi (dhe unë e di sa më kushton të jem në një gjysëm-mendje me të) kur thotë “le të flasim për menaxhim”, dhe për vizion teatri, do të shtoja unë. Kështu do të zbulojmë kush e luan bluff-in.

Miq të dashur nuk ka zgjidhje tjetër. Gomarin nga balta e nxjerr i zoti dhe jo një gomar tjetër. Duhet ende të shohim kush është i zoti i artit dhe kulturës – i vizionit teatror në veçanti – dhe kush gomerët. Deri më sot kemi parë vetëm gomarllëqe artistike dhe menaxheriale (përjashto raste sporadike si ai i Giselle-it të Nezhës dhe Conti-t të organizuar nga Ilir Kerni), nga ekzekutivi Rama si dhe nga drejtuesit e institucioneve publike.

Është e qartë që Ministres së Kulturës i duhet kjo fishekzjarre e emërtimit idiot, për të zëvendësur një emërtim jo më pak idot dhe ofendues për thelbin e komedisë, sepse do të shpërqëndrojë vëmendjen nga projektligji që ka propozuar për artin dhe kulturën. Miq të dashur, ndokush e ka parë këtë projektligj? Është këtu që duhet vënë me shpatulla pas muri politika autoritare e kulturës autoktone, jo me rendjen pas emërtime idiote.

Kam përshtypjen miq të TKK se ata që nuk e ngrejnë problemin në këtë plan nuk kanë kompetencat e duhura, nuk njohin gjë tjetër përveç etiketave të emërtimeve (rrjedhimisht: posteve institucionale) të lëmës teatrore njësoj si ekspertët e Ministrisë së Kulturës. Dhe Ministrja, të dashur miq, e di më mirë se ju këtë gjë dhe kur ju thotë se “qasj[a juaj është] për interesat personale dhe të pozicionit aktual” po ju thotë se ‘ju erdhi dita’. Mendoni për një vend të ri pune.

14 mendime mbi “‘Teatër Eksperimental’ apo ‘Teatër i Komedisë’? Kjo nuk është çështja! (Romeo Kodra – Gazeta Shqiptare 23/03/2014))

  1. Prandaj nuk ben hajer arti ne Shqiperi se dashakeqesia e njerezve si puna e Kodres nuk ka fund. Me sa duket meqe nuk paska bere nje ekspozim ne TKK i vjen me per mbare te shkaterrohet fare ky teater, meqe nuk ka qene aleat ish-miku ne TKK per te diskredituar ministren per proceduren e perzgjedhjes se drejtorit te Teatrit Kombetar (thjesht se nuk ka fituar vete mbase konkursin per drejtor) i vjen mire qe mbyllet nje Teater i manaxhuar per se mbari, shembullin e te cilit do e ndjekin dhe te tjere tani e tutje.
    Paskan bere shume mire ata te TKK qe nuk te kane hapur deren apo nuk jane solidarizuar me ty. Dhe sa per ate qe shkruan kete artikull, me pak kerkim ne web shof qe qenka pedagog dmth me leksione mbi manaxhimin e ha buken dhe i duket se di te manaxhoje. Ka krijuar gje ky njeri? Se te besh kritike merr dhe fol konkretisht per shfaqjet e vena ne skene ne TKK, si per pjesen vete dhe per produksionin artistik.

    Eshte nje gje te shkarkohen drejtuesit dhe per inate personale dikujt si Romeo Kodra t’i behet qejfi (o zot sa njerez te vegjel dhe te studiuar ne perendim….) dhe krejt tjeter gje te mbyllet nje teater i cili ka patur shume sukses.
    Edhe ato teatro qe jane cope-cope dhe nuk kane funksionuar tamam apo kane bere shperdorime, le t’ua mbledhe Ministria e Kultures qe te ndryshojne dhe te ndjekin shembullin e Teatrit Kombetar te Komedise. Jo te prishim, jo te pakesojme, te shtojme dhe permiresojme punen.
    Palacolleqe te tilla si ky qe flet Kodra i japin krahe asaj fare ministreje.
    Pafytyresi e pa justifikueshme kjo qe lexova me lart.

  2. Teuta D., ka mundesi te thuash emrin dhe mbiemrin e plote? Keshtu te pakten mund te pergjigjem mbi ato qe thua, mbi personin tim.
    Per tani po te them vetem se je duke folur mekot. Me thua: “i vjen mire qe mbyllet nje Teater i manaxhuar per se mbari”. Ku e kam thene? Sa per te menaxhuarin per se mbari mund te shtoj gjera, por pasi te me besh me dije se kush je. Dhe perpara se ta mbyll te lutem nese do te komentosh mbaj nje ton me te qete ose kur jep gjykime te lutem vertetoji me fakte.
    Ne pritje te pergjigjes falenderoj.

  3. Ca thu Moj Teuta! Po me te vertete mendon se Romeo e ka fajin per keq menaxhimin e teatrit ne shqiperi? Pse ata qe gjoja na bekan teater qenkan te zotet por fajin na e paska Romeo (qe si rri stilolapsi ne vend) qe po ju prishkerka pune me shkrimet e tij? Po car kompetencash keni ju zonje te gjykoni nje kritike kaq konstruktive qe ben Romeo? C’do dite i bej pyetje vetes; si ka mundesi qe vetem njerezit medjoker jane te vetekenaqur dhe i bejne komplimente vetes, vet kritikohen, vet analizohen dhe nuk duhet ti kritikoje njeri se behet nami? Une kam pershtypjen se artistet ketu ne shqiperi (si puna jote dhe e Ema Andreas ose shume e shume te tjere) jane aq te pa informuar dhe te pa ditur, injorante, sidomos ne rastin tuaj qe nuk po pranoni nje kritike, saqe nuk kuptojne qe ato qe bejne jane asgje.
    Pa na trego ketu ne shesh te mejdanit, pse na qenka ky teatri i komedise kaq suksesshem qe te shkojme ta shofim edhe ne? Kush jane keta krijues e dramaturge kaq te suksesshem qe ne nuk jua dime vlerat? Cilat jane tematikat qe ata prekin dhe cili eshte publiku qe i ndjek? A identifikohet publiku me ngjarjen? Ke ironizon, kritikon apo promovon tematika. Teatri nuk eshte vetem Shakespeari (me gjith dashurine qe kam per te), teatri ka nevoje te rinovohet te vere ne skene tema sociale, te reja si te huaja edhe sidomos shqiptare. Nuk mund te jene Inis Gjoni apo Ilir Bokshi, patrone te regjise teatrale, ashtu si dhe nuk mund te jete Ema Andrea pioniere e aktrimit eksperimental, qe u shkelye duke shkuar tek cani per te promovuar shfaqjet e saj, ne shqiperi. Dhe, sidomos, nuk mund te jeni ju zonjushe Teuta personi qe duhet te dilni ne mbrojtje te teatrit (edhe pse ne kte rast ju po mbroni shoket e tu) nga Romeo Kodra. Zoti Kodra po i del per zot vete teatrit, nga shoket e tu dhe nga politikat qe jane zgjedhur ne keto 20 vite, sepse duket, nga shkrimet qe ben, qe ai e ka me shume per zemer, me shume se shumica e atyre qe merren me art e me teater ne kte vend.
    Gjeja qe me irritoi me shume nga komenti yt, Zonjushe, ishte kur quan zotin Kodra te vogel edhe pse paskerka studjuar ne perendim. Po te them qe te studjosh ne perendim eshte nje gje shume e madhe per ne shqiptaret, sidomos per ata qe kane studjuar me dashuri e me perkushtim dhe qe mundohen te shperndajne dijen e tyre ne shqiperi pa arrogance sic ben Romeo. Ka edhe shqiptare qe ngelin po derra, po ky nuk eshte rasti.
    Zonjushe te sygjeroj qe te lexosh nga 5 rrjeshta biografi te c’do emri qe Romeo Kodra ka cituar ne kete reviste dhe do te kuptosh qe nuk paske ditur asgje nga kultura, arti, filozofia apo shume e shume gjera te tjera. Kur te lexosh pak nga biografia e tyre besoj qe do te arrish ne nje faze formimi ku meson qe ti nuk paske ditur asgje, dhe do turresh si e etur per te mesuar me shume, sepse dija nuk mjafton kurre, por mos u tremb nga kjo gje do te thote qe je ne rrugen e duhur, se ne kte gjendje qe je ti… pupup, nejse…
    E dashur Teuta, ne shqiperi nuk behet teater, Romeo kte gje e ka thene gjithmone dhe per mendimin tim e ka thene ne menyre shum te permbajtur.

  4. Unë, i dashur zotëri, nuk lexoj gazeta. Kur dua të di ç’thonë ca njerëz mbi një temë që më intereson, përdor internetin. Dhe kështu ka ndodhur të njihem me ty, virtualisht. Ndonëse jo gjithmonë kam ndarë të njëjtin mendim (po të dy e dimë se kjo është një nga gjërat më të mira të kësaj bote) kam pasur përgjithësisht përshtypjen se kam të bëj me një intelektual, një njeri të lexuar dhe që e do teatrin dhe të tillët nuk janë të shumtë këto kohë. Si njeri që punon në teatër, kam dëshirë të të falënderoj për angazhimin tënd me kritika dhe opinione.

    Kështu pra, këto ditë, ndërsa doja të dija ç’kishin thënë ca njerëz mbi konvertimin e Teatrit të Komedisë në teatër eksperimental, hasa shkrimin tënd me titull “Teatër eksperimental apo Teatër i Komedisë? Kjo nuk është çështja!”, postuar në blogun tënd më 16 mars.

    Shkrimi fillon me qortimin se jam (unë si drejtor) ose jemi (ne si Bord) të vonuar në reagimin tonë ndaj nismës ligjore të Qeverisë për ndryshimin e emrit të Teatrit të Komedisë. E vërteta është se peticioni ynë drejtuar kryetarit të Kuvendit mban datën 17 janar, pra vetëm 48 orë pas miratimit të projekt-ligjit. Por më poshtë ti sqaron se kjo është “patatja e nxehtë në të ndenjurat tona” duke aluduar se unë (ne) duhej të kishim reaguar pas konkursit për zgjedhjen e drejtorit të Teatrit Kombëtar. Deduksioni e do që meqë nuk reagova (uam) atëherë, nuk meritoj (më) mbështetje tani.

    Por meqë ti flet në shumës për “autoritarizma ministrorë” dhe për “ndryshime emërtimesh dhe emërimesh” në institucione, dua s’dua, kujtohem se para Teatrit Kombëtar, ka pasur konkurse dhe emërime drejtorësh në Galerinë e Arteve dhe në Teatrin e Operas dhe Baletit dhe nuk më kujtohen reagime të tuat kur “patatet ishin nën të ndenjurat e të tjerëve”. Si është e vërteta z. Kodra? T’u dukën të ndershme ato emërime, apo nuk kishte mbrritur “patatja e nxehtë nën të ndenjurat e tua”?

    Më tej, tri emërimet e lartpërmendura nuk janë shoqëruar me ndryshime të emrave të institucioneve. Asnjëri prej të tri drejtorëve të larguar nuk kishte mandat, sepse asnjëri nuk ishte emëruar sipas kritereve të Ligjit “Për Artin dhe Kulturën”. Përse një njeri i lexuar si ti bën lapsuse të tilla? Nuk të duket se je viktimë e procesit trushplarës të Ministrisë, që ka përzier gënjeshtrat publike dhe thashethemet në “kafene artistësh” se kjo e Teatrit të Komedisë është thjesht luftë për karrike?

    “Loja ka mbaruar me kohë” thua ti, atëherë kur një “artist”, emrin e të cilit nuk e thua, të premtoi por nuk e mbajti premtimin për të “faktuar mbi ligj”, “diskredituar” dhe “higjienizuar” Ministrinë e Kulturës pas konkursit për drejtorin e TK. Do të kisha dashur të mos e kishe reduktuar debatin në nivel thashethemesh për dikë pa emër, që të paska premtuar diçka dhe pastaj të bësh gjykim kolektiv për një komunitet, që nuk të paska mbështetur në një luftë të drejtë, në emër të së mirës së përbashkët. Ministria e Kulturës nuk ka shkelur asnjë nen të ligjit me procedurën e atij konkursi. Duke thënë këtë, nuk po them se procesi ishte detyrimisht i ndershëm dhe transparent. Por ti zotëri hyre në atë lojë me ato rregulla që kishte loja. Pasi e humbe, nuk të takon të qortosh rregullat, aq më pak të kërkosh një reagim komunitar në mbështetjen tënde. Vlerësimi i një platforme menaxhimi nuk mund të mos jetë subjektiv dhe, më lejo të them, se gjykimi im subjektiv për platformën tënde ishte “platformë e një njeriu që nuk e njeh Teatrin Kombëtar”. Mjafton të të them se ti nuk e di sa vetë punojnë në atë institucion. Mos duhet të ndjehem në faj për këtë?

    Por ti nuk mjaftohesh me kaq. Ti bëhesh i paturpshëm dhe thua “… kush nuk ka hapur gojën përgjatë gjithë këtyre autoritarizmave ministrorë … është i përfshirë në marrveshje të dyshimta që e kanë sjellë në pozicionin e derimësotëm.” Unë nuk e di ku ke jetuar ti gjatë 15 viteve të fundit dhe pse nuk e di, ose bën sikur nuk e di, se unë kam 15 vjet që flas publikisht kundër politikat antikulturore të ministrave shqiptarë të kulturës, përfshi edhe kryeministrin aktual. Ku ishe ti Adam, kur Teatri Kombëtar u mbyll me urdhër të ish ministrit sot kryeministër? Ku ishe ti Adam, kur ndërtesa e Teatrit Kombëtar u propozua për shembje nga ish kryetari i Bashkisë sot kryeministër? Ku ishe ti Adam, kur u hartuan tri ligjet për teatrin (2000), artin skenik (2006) dhe artin e kulturën (2010)? Pasi të kujtohesh ku ke qenë vetë, informohu se ku kam qenë unë, pastaj eja e më fol si zoti nga maja e reve.

    Pjesa tjetër e shkrimit tënd i dashur zotëri, është kaq ordinere, sa duket sikur është shkruar nga zonja Selimi, këshilltarja për mediat e ministres së kulturës. Nuk ia vlen të humbas kohën me replika e përgënjeshtrime. Nëse të ha meraku se kush është “gomari e kush zoti i kulturës”, organizoje një debat publik me ministren e kulturës dhe më fto. Do të vij patjetër, se kam edhe unë qejf të ndaj gomarin nga balta dhe kulturën nga sofizmat.

    1. Urime z, Çipi jeni i pari që, në mëse dy vite artikujsh aspak përgëzuese për pellgun e teatrit shqiptar, reagoni kundrejt shkrimeve të mia. Nuk po përdor asnjë lloj ironie në këtë urim.
      E filloni komentin me falenderime ndaj meje të cilat i marr me gjithë qejf, ironike apo jo ironike qofshin.
      Më pas – nuk e di pse – bëni një deduksion në të cilin unë supozohem si mosmbështetës i peticionit të Teatrit Kombëtar të Komedisë kundër autoritarizmit të Ministrisë së Kulturës. I dashur:
      ROMEO KODRA MBËSHTET PETICIONIN E TKK KUNDËR AUTORITARIZMIT TË MINISTRISË SË KULTURËS PËR NDRYSHIMIN E EMRIT … … POR NUK MBËSHTET TKK DHE VËNIET E TIJ NË SKENË, NUK MBËSHTET EMËRTIMIN E ZBRAZUR TË TIJ DHE TËHUAJZUES NDAJ FJALËS ‘KOMEDI’, NDAJ KONCEPTIT TË ‘KOMIKES’, NDAJ GJINISË TEATRORE TË QUAJTUR ‘KOMEDI’. ROMEO KODRA NUK MBËSHTET OBSKURANTIZMIN E PËRZGJEDHJES SË DREJTUESVE TË TIJ (I MUNGON PUBLIKUT PLATFORMA MENAXHERIALE E DREJTORIT) !!! !!!
      Shpresoj, pas kësaj, që të përmirësohet logjika e deduksionit tuaj zoti drejtor!
      Më pas më përplasni në fytyrë angazhimin tim vetëm pas mungesës së emërimit si drejtor i Teatrit Kombëtar. I dashur, unë kam bërë studime edhe për gazetari, dhe zakonisht në këtë profesion nuk mund të flitet pa fakte. Kështu që mendova si të arsyeshme të denoncoja ‘me fakte dhe jo me mëllefe’ atë që nuk shkon në kontekstin ku konkurrova. Duke qenë se verifikova personalisht dhe me fakte proçesin e përzgjedhjeve ministrore, fola edhe për institucione si TKOB dhe GKA që mendoj i janë nënshtruar të njëjtit process, dhe për këto institucione nuk më rezulton se është ndjerë njeri sot e kësaj ditë. Natyrisht edhe unë ‘pas pilafit’ apo pas verifikimit personalisht të faktit, por dua të nënvizoj që s’e ka bërë tjetërkush as para dhe as pas meje. Ju sugjeroj të vazhdoni leximin e këtij blogu dhe nëse do të më thoni që ka ndonjë person tjetër që ka bërë një gjë të tillë përpara meje dhe me fakte, atëherë mund të diskutojmë me të vërtetë çështjen e adamizmit.
      Pastaj më nënvizon një ‘lapsus’ (që mesa duket e sheh vetëm ti që sipas meje duhet të kesh probleme me logjikën e deduksionit dhe leximin e një testi të shkruar … apo je thjeshtë tendencioz?) pas së cilit kapesh për të më treguar mua trushplarjen e Ministrisë. Hidhu i dashur dhe fol atë që ke për të thënë, nëse ke për të thënë! Kështu s’të kupton njeri. Sa për mua nuk e kam thënë asnjëherë “tri emërimet e lartpërmendura janë shoqëruar me ndryshime të emrave të institucioneve”, po e thua ti me deduksionin e turbullt.
      Flet zotërote edhe për ligjin. E ke lexuar? E di ku çalon? Duhet nënvizuar që kush e ka lexuar dhe nuk ka vënë re që Ministrja e Kulturës zgjedh si t’i dojë kokrra e qejfit drejtorët e institucioneve kombëtare të artit dhe kulturës ka qofte ndër sy. Mund të nxirrni deduksionin edhe për veten tuaj këtu! Mos u merrni me platformën time menaxheriale (e vutë re që është e vetmja e bërë publike? një përgëzim e prisja prej jush) dhe të më tregoni numrin e punëtorëve në TK që njoh më mirë se ty dhe qoftexhinj të tjerë. Jo për gjë, por s’e keni aq shkollë!
      Unë kur hartoheshin dhe aprovoheshin ligjet e 2000, 2006, 2010 kam qenë jashtë Shqipërie dhe nuk kam bërë asgjë për të penguar këto ligje. Ti çfarë peticioni ke promovuar kundra tyre? Bordi yt?
      E mbyll me Selimin që s’di kush është dhe më thua atë që të kisha thënë unë ty dhe bordit tënd, të bëj unë një debat publik me ministren dhe të ftoj zotërinë tënde. Nuk jam drejtor i një Teatri Kombëtar dhe nuk më është e mundur për arsye ekonomike. Ti njeh ndonjë drejtor që ka hapësira për një gjë të tillë? Ti njeh ndonjë drejtor të ndonjë Teatri Kombëtar që e ka për detyrim sipas ligjit të organizojë manifestime intelektuale (neni 6)? Nëse i heq qoftet nga sytë dhe del përpara pasqyrës ndoshta e gjen ndonjë.

  5. Se cili prej nesh ka probleme te renda, besoj se e ka te qarte lexuesi i ketij blogu. Nese do nje keshille te fundit nga ana ime, here tjeter lexoje edhe nje here shkrimin para se ta postosh. Ti mund te me quash “qoftexhi” por kjo nuk ndryshon asgje ne faktin se e njoh TK, teatrin shqiptar dhe ligjin shqiptar (ne dac edhe ate italian!) me mire se ti. Dhe sa per (mos) integritet moral, jo ti qe po cukit vezen per te dale, por edhe ata qe kane nje jete ne teater, nuk me akuzojne dot. Meqe ke studiuar gazetari, qemto faktet. Sa per fillim, kam dhene doreheqjen si nendrejtor i TK me 1999 per te pasur te drejten etike per te kundershtuar publikisht ministrin E. Rama. Kam kundershtuar me cdo menyre publike projekt-ligjin e ish-drejtorit Xh. Ferri dhe kam propozuar nje variant alternativ, ne vitin 2000. Kam organizuar peticionin per mos shembjen e nderteses se TK me 2002, kur isha ende i papune. Keto sa per fillim. Vazhdimin zbuloje vete, nese te intereson.

    1. Po del nga argumenti, reklama ne kete blog eshte me pagese. Mos u dridh shume dhe mos fol per polemika me te tjere por fillo e publiko platformen si fillim sepse per njohuri teatri sic duket nuk e mban dot diskutimin. Ose hap nje blog tendin dhe shfry sa te duash per cfare te ta kete enda dhe jepu keshilla atyre qe t’i kerkojne se per mua do te te duhet te lexosh dhe studiosh disi me shume per t’me dhene keshilla.

    2. Ne vetvete Cipi e pranon vete qe ka bere ca gabime. Mosshembja e teatrit ishte nje gabim. ajo salle vetem salle teatri nuk eshte. Plus qe eshte me Amiant, dhe pothuaj 60 % e punonjesve te teatrit kane vdekur me kancer. Cipi se ka idene se si punohet me ndricim sepse ne teatrin tone kombetar ska ndricim teatror. Por Deadly Cipi eshte pak kalama. Ka mbledhur kalamanjte e tjere ke tkk dhe duke na zgerdhire kujton se ben teater.

      1. Nuk e di nese jam dakort me ty ne kete pike. Duhen dhene fakte mbi ate qe thua, pra mbi rrezikshmerine e amiantit (une nuk e di ne ka amiant ne ndertesen e TK dhe TKK). Personalisht, persa i perket shembjes se godines, mendoj se – perkundrazi – duhet vleresuar si objekt (nese do te vertetohet qe s’perben rrezik). Une di p.sh. qe ajo godine eshte e vetmja e mbetur ne Shqiperi nga periudha e ndertimeve te fashizmit per te cilen eshte perdorur nje teknologji novatore e industrise se ndertimit. E kam fjalen per ndertimet parafabrikate qe Mussolini po aplikonte ne shkalle te gjere per te kursyer, por pa humbur efektshmerine madheshtore te ndertimeve moderne. Nuk di te jene bere studime persa i perket kesaj trashegimie arkitektoniko-industriale ne vendin tone, keshtu qe do te me vinte keq te prishej pikerisht per kete zbrazeti studimore.
        Gjithsesi ky i imi eshte vetem nje opinion subjektiv.

      2. Shko verifikoje ne teater. Dhe jo cdo gje e vjeter ka vlere. Ne na duhet teater modern, jo nje grumbull derrasash. Dhe ajo si ndertese ska lidhje si konstrukt me ndertesat e tjera te fashizmit, si nga materiali si dhesiguria. Mjafton shiko catine dhe izolimet dhe e kupton. Plus qe si skene ska as korridore, as dhoma grimi, asgje.

      3. Une personalisht nuk do isha aq i sigurte. Jam dakort qe nga pikepamja funksionale teatrore le per te deshiruar, por di qe ne bote vleresohen pasurite arkitektonike deri ne mundesine e tyre te fundit. Dhe si pasuri e historise se teknologjise apo industrise se ndertimeve arkitektonike me duket se eshte mese e vlefsheme. Nese nuk do te perbente rrezik, une do te isha per rikuperimin e kesaj ndertese me nderhyrjet e nevojshme per nje funksionim me adekuat.

      4. Ti dashnori paske me pak tru se ekskavatori.
        Ne teater nuk ka amiant. Ka pupulit. Dhe pupuliti nuk eshte aspak i demshem per shendetin. Po bythelepiresit e Edit edhe kete e sajuan.
        Cilat statistika ke ti per vdekjet e punonjesve te teatrit? Pa me numero dhjete vdekje prej te cilave gjashte qenkan nga kanceri? Kush vdiq nga kanceri? Kadri Roshi apo Sulejman Pitarka? Violeta Manushi apo Drita Pelingu? Qe te gjithe shpenzuan jeten aty dhe vdiqen pasi kaluan 80at.
        Ajo ndertese eshte historike! Do te shembet vetem kur qeveria te jape garanci se do te rindertohet nga e para me te njejten fasade. Ne qe i vume dogane armeve kimike do te behemi barrikade per ruspat e Rames nese nisen drejt teatrit.
        Po te keni b[…], ndertoni nje teater tjeter nga e para!

  6. Perkundrazi te kam bere shume reklame gratis duke replikuar ketu me ty. Nuk kam ndermend te vazhdoj te ta bej kete nder. Mbetsh me te mira!

  7. Zoti Cipi po shof qe ju flisni vetem me Un di, un kam, un bej, un isha, un do te jem etj etj. dmth me ra ne sy shume fjala un, me sa njohuri kam, di qe nje njeri qe thote gjithmone un, un, un justifikon veten nga falimentimet. Nje artist, se paku qe ka ne dore te beje art sic jeni ju zoti Cipi, nuk mund te dale neper TV dhe neper blogje e te beni politike, nuk ju ka hije. E di perse? Sepse teatri ne vetvete eshte medium ku mund te vini ne skene gjerat qe ju shqetesojne duke kritikuar kedo dhe c do gje qe juve ju shqeteson ashtu sic kane bere kudo ne bote. Ne momenti qe ngelni pa pune atehere mund te shkruani neper gazeta te kritikoni apo te dilni edhe ne TV tek Cani (nje injorant i pa shoq) dhe te denonconi c te te doje zemra.
    Zoti Kodra ne momentin qe nuk i eshte dhene mundesia te drejtoje apo te marre pjese ne nje reforme teatrore e ka per detyre te shkruaje dhe te kritikoje kedo qe merret me teater apo me reforma teatri perderisa ky i fundit nuk funksionon. Kritika eshte ne sherbim te permirsimit te c do gjeje qe ekziston pa te nuk ecet perpara, ktu ne shqiperi fatkeqsisht nuk ka dhe nuk ka pasur kritike arti, te pakten ne 20 vitet e demokracise, dhe them shyqyr qe doli zoti Kodra qe po e ben kete.
    Po car artistesh jeni ju qe i ktheni pergjigje dhe ofendoni kritiken? Ju duhet ta pranonit kritiken e zotit Kodra dhe nese kishte gjera te paverteta, ti shtroje si pika qe ju jeni munduar ti beni te dhe te thonit nuk ju ka degjuar njeri dhe por pa nervozozem nuk eshte artistike. Ne fund duke shtuar qe do vazhdoni te permiresoheshit ne te ardhmen dhe te falenderonit zotin Kodra per formatin.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s