Çufo dhe Tipi në kërkimi të verdhushkave … ose, çfarë na mëson Sherlock Holmes-i i bankave? (Romeo Kodra)

Pak ditë më parë më rastisi të lexoja tek një e përditshme shqiptare një artikull të regjizorit Erion Kame mbi librin e Gjuhës Shqipe të shkollave fillore. Më bëri përshtypje ‘klithma’ siç e quante autori  kundrejt një situate të rëndë të teksteve shkollore për fëmijë që i ngjanin materialeve reklamuese të supermarketeve apo bankave. Fëmijët në pak fjalë shihen dhe formohen si ‘target group’ i aktiviteteve komerciale që në bankat e shkollës.

Jo më shumë se dy-tre ditë më vonë shoh se regjizori kishte për të vënë në skenë një pjesë për teatrin e kukullave të titulluar, ‘Çufo dhe Tipi në kërkimi të verdhushkave’. Kurioz për të parë se si ishte transformuar artistikisht ajo klithmë e acaruar e shfryrë në media prej Erion Kames, sot, më 15 mars, vendosa të shihja në Teatrin e Kukullave Çufon dhe Tipin në version bashkëkohor.

Ndodhitë e dy prej personazheve më të famshën të kukullave shqiptare ishin marrë nga një tekst i përmendur prej regjizorit Kame në artikullin e sipërcituar:

“Gjergji dhe Joni, dy shokë klase duke shkëmbyer fotot e lojtarëve të kombëtares gjatë pushimit midis orëve. Joni blen nga Gjergji një foto për 1000 lekë. Joni që i fiton këto para do të blejë një biçikletë, por i duhen edhe shumë të tjera, sepse biçikleta kushton shumë më tepër se aq. Në ndihmë na i vjen Albana, e cila e këshillon që këto para t’i fusë në bankë dhe të hapë një llogari, ashtu siç ajo ka bërë vetë pak kohë më parë.

Deri këtu, tregimi përveç mediokritetit artistik, pasi është shkruar në formë dialogu, dhe unë mund të flas shumë gjatë këtu, nuk ka ndonjë gjë kush e di se çë…”

Edhe Çufo i Kames kishte një shumë parash të cilat nuk i mjaftonin për të blerë një biçikletë, dhe e vetmja gjë që ndryshonte tek pjesa teatrore ishte mungesa e propozimit të bankës, e zëvendësuar këtu me një arkë kursimi monedhash për fëmijë në formën e një derrkuci të vogël, si ato që shihen shpesh në kinkaleritë e qyteteve tona. ‘Deri këtu pjesa, përveç mediokritetit artistik’, pasi është kopjuar thuajse tërësisht nga libra të rëndomtë, dhe hijes së dyshimit të analogjisë së arkës së kursimit (derrkucit) me bankën, ‘nuk kishte ndonjë gjë kush e di se çë’. Interesante pjesa bëhej kur – për shkak të verdhushkave që kishin ikur me pushime – Çufo kërkonte të shkëmbente 2 mollë me një litër qumësht me mikeshën e tij lopën e cila nuk pranonte, por e ftonte që të shkëmbente mollët me tre vezë të pulës pikaloshe dhe më vonë të kthehej tek ajo që me gjithë qejf do ta shkëmbente një litër qumësht për tre vezë.

Gjetja më dukej fantastike: eleminimi i monedhës dhe rivendosja e një tregu të bazuar tek shkëmbimi. Mendova se Erion Kame po nguliste në mendjet e fëmijëve mundësinë e jetesës edhe pa një numër llogarie në bankë (për të cilin skandalizohej në artikull kur ia kish kërkuar e bija). Shkëmbimi si koncept në teatër i ka rrënjët e thella, që nga Tespi (prurësi legjendar i tragjedisë në Athinën e Lashtë), tek lolot e mesjetës, tek kompanitë shëtitëse, e deri tek një prej reformuesve më të mëdhenj të teatrit të ‘900, Eugenio Barba, për të cilin ky koncept është themeltar. Por çuditërisht regjizori nuk e mbyll këtë shkëmbim, i cili mbetet i pakryer. Një tjetër hije dyshimi kjo.

Pjesa kalon përsëri tek kërkimi i verdhushkave të Çufës që këtë herë – falë sugjerimit të Tipit – shkon t’i kërkojë ndihmë kërmillit, sepse “ai ecën ngadalë dhe ngjitur me tokën”. Edhe këtu mendova se Erion Kame po nguliste një mesazh tek fëmijët, mesazhin e një jete që merr ritme të tjera, ndryshe nga ato të së përditshmes (‘fast & furious’, ‘fast food’, ‘fast’ gjithandej); si dhe mesazhin e afrimitetit me tokën, me kultivimin e saj. Por mëkot, regjizori vazhdonte të më ç’orjentonte me këto simbole lemzatike të paplota që nuk përfundoheshin kurrë. Madje kërmilli ishte edhe paksa debil dhe e zinte gjumi papritur. Kjo është hija e tretë e dyshimit.

Por zgjidhja e vërtetë e problemit të Çufos vinte nga Kaçurreli, një qen që i dhuron arkën e kursimit të monedhave në formë derrkuci. Personalisht pa dashje po filloja të mendoja keq; po filloja ta shihja Bubin Kaçurrel dhe arkën e tij të kursimit si përfaqësues i bankës, i një banke që do të shesë imazhin e saj të besuar (qeni si kafshë besnike); sidomos në këto kohë të vështira për sistemin bankar që ka humbur besueshmërinë anë e mbanë botës për katastrofën e 2008.

Pjesa mbyllej me para që bien nga qielli si një metaforë e trashendentalizmit të monedhës që ka zëvendësuar tashme misterin e së përtejmes. Në pak fjalë, Zotit nuk i zihet besë; parasë – në bazë të shumës – që ç’ke me të! Gjithçka është e mundur me to! Gjetja e regjizorit më kujtonte ‘Ivanin e tmerrshëm’ të Ejzenštejn-it gjatë kurorëzimit, një imazh që Roland Barthes-i do ta quante ‘obtus’, topitës, tejngopës, një ‘surpuls’, një mbivlerë e tepërt. Paratë që bien si shiu nga qielli nuk shenjojnë nevojshmërinë e tyre imanente (pra, për t’i mundësuar Çufos blerjen e biçikletës), por shenjojnë vetveten, riformulojnë shenjueshmërinë e tyre, krijojnë një status. Sa më shumë të kursesh apo të kesh në bankë aq më shumë statusi yt vlerësohet. Kështu je dikushi.

Për ta mbyllur kujtoj se për Sherlock Holmes-in tre të dhëna përbëjnë një prove, po kështu edhe për mua tre dyshime. Ah, për pak sa nuk harrova: kjo shfaqje është e sponsorizuar nga institucione bankare. Dhe vazhdoj e mendoj edhe më keq. Më duket si një gjetje e pabesë, si një vënie në skenë, edhe artikulli i regjizorit. Më duket si diçka e ndyrë edhe futja në shkollat fillore i një kursi hyrës apo edukimi financiar i sponsorizuar nga Ministria e Arsimit me mbështetjen e bankave. Kam përshtypje se këtu diçka e fëlliqur po ndodh, po bie erë, dhe mendoj se do na qelbë brezat e ardhshëm.

Gjumë të ëmbël fëmijë dhe prindër të dashur!

2 mendime mbi “Çufo dhe Tipi në kërkimi të verdhushkave … ose, çfarë na mëson Sherlock Holmes-i i bankave? (Romeo Kodra)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s