Dita e Verës, paganizmi profan dhe liturgjia e politikës së konsumerizmit. (Romeo Kodra)

Festa e Ditës së Verës në vendin tonë është dukuria paradigmatike që tregon shkallën më profane apo injorancën e kulluar të njohurive mbi paganizmin në Shqipëri. Një herë e një kohe festat e fillimit të stinës së verës në shoqëritë njerëzore zhvilloheshin për të sinkronizuar me ritmin e natyrës jetën e bashkësisë, për të forcuar kohezionin e brendshëm dhe integrimin tërësor të këtyre shoqërive. Sot, kjo festë është kthyer në një absurd të vërtetë. Absurditeti fillon me shndërrimin ad hoc të saj në festë kombëtare. Ky shndërrim i forcuar është kryer gjatë qeverisë Nano (2004) dhe është ruajtur deri më sot.

Që është një idiotësi e vërtetë mjafton të kujtojmë se festat e fillimit të verës organizoheshin në shoqëritë rurale sepse këto kishin marrdhënie direkte me stinët, për shkak të mbjelljeve, korrjeve, etj. Me ardhjen e stinës së re, që Flora të çelte lulet dhe Fauni të eksitonte për mbarështim bagëtinë dhe kafshët, shoqëritë rurale u luteshin tu falej begatia dhe pjelloria duke i sakrifikuar ç’u kish mbetur nga rezervat e vitit që sapo ish mbyllur me ikjen e dimrit. Me këtë sakrificë të rezervave të fundit demonstronin besimin e plotë tek perënditë dhe përuljen e pakushtëzuar karshi një ritmi kozmik që i tejkalonte njerëzit në fuqi dhe njohuri të misterve. Në të njëjtën kohë mbyllej një cikël i vjetër dhe hapej një i ri nën atmosferën festive të shkëmbimit të dhuratave, mes vetes – si individë të një komuniteti – dhe natyrës. Ky përplotësim 360º i marrdhënies njeri-natyrë nëpërmjet shkëmbimit të dhuratave, i të falurës reciproke, kjo etikë e dhuratës apo dhurimit (Shih, Marcel Maus,  Essai sur le don) forconte një lidhje të natyrshme që vetëm shoqëritë rurale janë ende në gjendje ta perceptojnë në konkretësinë e saj më të prekshme. Në qytet, kjo festë është tërësisht aliene, e tëhuajzuar.

Ndokush mund të pyesë: ç’të keqe ka nëse qytetarët festojnë, qoftë edhe një festë fshatare? E keqja, do të përgjigjesha, qëndron në shkëputjen dhe ç’rrënjosjen e një qytetari prej qytetit. Kjo justifikohet edhe nga vetë etimologjia e ‘festës’ që vjen nga latinishtja ‘estía’ – ‘vatra e shtëpisë’, apo sanskriptishtja ‘vastya’ – ‘shtëpi, banesë’. Pra, festa ka të bëjë me banesën, me ruajtjen, integritetin dhe trashëgiminë e saj. Dhe ‘banesa’ e qytetarëve është ‘qyteti’. Do të kisha dashur të shihja të njëjtin angazhim qytetar për festimin e një festë tipike qytetare: Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 Marsin. Sepse kjo është festa që një qytet duhet të festojë më shumë, duke qenë se në shoqërinë bashkëkohore (sidomos shqiptare) gruaja është ende elementi jo tërësisht i integruar, elementi jetik i kësaj shoqërie, por që fatkeqësisht – në mënyrë aspak koherente – jeton ende e tëhuajzuar prej banesës së korpusit social.

Festat pagane të shoqërive rurale zhvilloheshin sipas udhëzimeve të krerëve të këtyre bashkësive njerëzore që shpesh ishin në të njëjtën kohë udhëheqës dhe ruajtës të mistereve sakrale, pra edhe ruajtës të liturgjisë. Edhe në rastin e ‘liturgjisë’ etimologjia hedh dritë qartësuese: nga gjuha e Platonit dhe Aristotelit na vjen si ‘shërbim publik’. Po si është ky shërbim publik në Shqipërinë bashkëkohore?

Për t’iu përgjigjur pyetjes po rendis disa tituj të të përditshmeve on line të këtij 14 marsi 2014:

Gazeta ‘Shqip’ – “Aktivitetet për Ditën e Verës, Bashkia ‘përplaset’ me qeverinë”;

Gazeta ‘Panorama’ – “Aktivitetet e Ditës së Verës, Veliaj: Bashkia të mos bllokojë, por të ndihmojë. Bozdo: U kërcënuam.”;

Gazeta ‘Tema’ – “Me sherr politik ka nisur, me sherr politik do vazhdojë” [për Ditën e Verës];

Përveç kafshërisë absolute të sensit qytetar të antagonistëve, në vetvete duket qartë se kjo festë-jo-festë është një mish i huaj për qytetin – e injektuar forcërisht me fiktivitetin e saj nga politika idiote dhe tëhuajzuese të stilit ‘panem et circenes’ – dhe krijon natyrshëm këto tensione mes aktorësh politik që interes primar kanë shfrytëzimin simulakrial të kësaj feste posaçërisht simulkariale për qytetin. Simulakra, që përkon me kopjen e një imazhi të paraqitur [shihet qartazi që jemi shumë larg esencës së mistereve të festave rurale pagane], është çmimi i lakmuar prej politikanëve autoktonë. Pra, thelbi qëndron në garën e përvetësimit të imazhit autoritar dhe ekskluziv si ‘shpërndarës zyrtar i thërrimeve dhe lëmoshave për barktharët’ [kështu do të kuptojmë cilët duhet të falenderojmë]. Dhe ne, barktharët e Tiranës dhe Shqipërisë mbarë, ende nuk kemi kuptuar këtë lojë devijuese të dëshirave tona për të festuar, për të çliruar tensionet e të përditshmes që falë kësaj loje nuk kanalizohen drejt natyrshmërisë së integrimit dhe kohezioni komunitar, por na ç’rrënjosin përfundimisht prej vatrës së banesës sonë, qytetit dhe qytetarisë.

Mungesa e ritualit – që në stadin aktual të kësaj feste është kufizuar në konsumimin e një ballokumeje efemere të shoqëruar domosdoshmërisht me lëngje për rrezikshmërinë e lartë të ngecjes në fyt – është zëvendësuar me tregje të improvizuara në të cilat shiten mallra konsumi për kënaqësinë e tregtarëve të vegjël, që paguajnë shifra të majme për konçesionet e posaçme të lëshuara nga ekzekutivet vendore dhe qëndrore, të cilëve me sa duket taksat e shqiptarëve nuk u mjaftojnë asnjëherë. Gjithçka vërtitet rreth një qarku vicioz ku e sakrifikuara e vërtetë është etika e dhuratës dhe dhurimit mauss-ian e suprimuar përfundimisht nga shenjtërimi i interesave konsumeriste të një kapitalizmi, sa kafshëror aq sakral, që na ka rënë për hise.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s