Artistë bashkëkohorë shqiptarë në ‘Pino Pascali’ të Italisë. (Romeo Kodra)

Në mbyllje të artikullit ‘ONU – UUUFFF!!! – FRI 2013’ të publikuar më 31 Janar 2014 në AKS[1], me rastin e përfundimit të konkursit të përvitshëm të artit bashkëkohor të shpallur prej Galerisë Kombëtare të Arteve, pata shkruar:

“Kam përshtypjen se, jo vetëm që në GKA jemi vite dritë larg çfarëdo lloj reforme apo rilindjeje, por edhe po neglizhohet një gjeneratë artistësh me potencial jo të zakontë. GKA po bën shumë pak për të nxjerrë në pah punët e kësaj gjenerate. Ekspozimi i 12 artistëve dhe 3.500 euro çmime janë therrime për ta. Nuk shihet ndonjë studim apo thellim mbi punët e këtyre artistëve. Nëse këtë nuk e bën GKA që e ka për detyrë (meqë mbahet me taksat e shqiptarëve, të cilët paguajnë për të parë artin e tyre të promovuar siç duhet) nuk shoh kush tjetër duhet ta bëjë. Shpresoj që drejtori Shabani të mos kufizohet në hedhjen e shashkave siç është bërë shpesh gjatë viteve të pafundme të tranzicionit, por të hapë sytë në materialin human që ka nën hundë dhe ta promovojë nëpër Evropë. Fundja nuk u zgjodh për këtë?”

Më 1 Mars, në gazetën “Shqip”, lexoj një artikull[2] promovues të rradhës në të cilin shihet mundi dhe djersa e Drejtorit te GKA, Artan Shabani, që mesa duket ka arritur një rezultat domethënës: ekspozimin më 10 Maj të këtij viti të disa artistëve bashkëkohorë shqiptarë në muzeun ‘Pino Pascali’ të Italisë. Duke qenë se për të njëjtën gjë po ‘pistonoja’ në artikullin tim lajmi nuk bën veçse të më gëzojë. Por duke dashur t’i paraprijë fishekzjarret shurdhuese të rradhës doja të ngrija disa pyetje.

Kush janë artistët bashkëkohor shqiptar të përzgjedhur? Kush i ka përzgjedhur? Si i ka përzgjedhur? Me ç’kritere? E shoh disi të vështirë që nga ‘Pino Pascali’ të ngrihet ndonjëri e të vijë në Tiranë për të përzgjedhur artistët, kështu që me siguri do të jetë vendim i GKA përzgjedhja. Këtu rrezikojmë fishekzjarret!

Pikësëpari, shpresoj të mos ketë përzgjedhje të dyshimta që shkojnë nga ‘përzgjedhja e gocës së babit, apo çunit të mamit famozë’, deri tek ryshfeti i pastër. Duke ditur ku jetojmë, nuk besoj se do akuzohem për ultraskepticizëm.

Së dyti, besoj se është koha që Drejtori të na hapë platformën menaxheriale me të cilën ‘fitoi konkursin legjitim’ në Ministrinë e Kulturës. Aty – siç bëhet në të gjitha platformat menaxheriale (ndjesë për abetarizmin!) – natyrisht ai do të ketë parashikuar promovimin e artit shqiptar dhe në veçanti të artistëve të rinj. Do të ketë parashikuar, që përpara se të fillojë punë, mënyrat dhe qasjet e promovimit sa më optimal të artistëve tanë. Natyrisht do të ketë parashikuar paraprakisht vlerën konkrete që i është dashur të menaxhojë (si menaxher i institucionit artistik më të rëndësishën kombëtar), pra ai paraprakisht e ka parashikuar se kush janë specifikat e artistëve tanë, vlerat artistike të tyre, sepse që këtej e fillon punën një menaxher; duke filluar nga baza konkrete e gjësë që menaxhon. Që të nxjerrësh konkretësinë e gjësë që menaxhohet do të thotë të njohësh kontekstin që e prodhoi, aktorët që e prodhuan si dhe instrumentat me të cilët u prodhua. Natyrisht, drejtori i institucionit më të rëndësishëm kombëtar të artit, që e supozojmë si njohësin më të mirë të artit në vend, këto gjëra i di, por nuk e kuptoj përse nuk ka gjetur ende kohën të na e bëjë të ditur, të na diturojë edhe ne. Jo për gjë, por personalisht kam me shumë merak ekspozimin e artit shqiptar jashtë vendit, ku na shohin ende si ekzotikë apo folkloristikë (në kuptimin degradues të termit). Madje ka shumë shqiptarë pseudo-artistë që kanë shitur jashtë vendit atë që të huajt kanë dashur prej tyre, dhe si rrjedhojë prej nesh. E kam fjalën për ‘emigrantin e përvuajtur’, ‘artistin-intelektual të persekutuar prej diktaturës’ apo cliché-ve të tjera si këto.

Së fundmi, duke ditur që aktualisht në Shqipëri ka një brez artistësh që po thonë diçka origjinale, jo vetëm në kontekstin autokton, por edhe më gjerë (për së paku në rang evropian), nuk do të doja të shitej dhe të digjte mundësitë e veta për dy fishekzjarre të rradhës. Shpresoj të vapen veshët që duhet të dëgjojnë!

5 mendime mbi “Artistë bashkëkohorë shqiptarë në ‘Pino Pascali’ të Italisë. (Romeo Kodra)

  1. Po keshtu ka ndodhur dhe me pare. Parvjet e fiton cmimin Alketa Ramaj me mje foto idiote. E kush konkuroi ke onufri parvjet. Shoqeriae Alketes. Matilda, Endri, Albani e me rradhe. Se kush eshte artist ne Shqiperi e percakton shteti, jo tregu. Keshtu rradha eshte e gjate.

  2. Kush janë artistët bashkëkohor shqiptar të përzgjedhur? Kush i ka përzgjedhur? Si i ka përzgjedhur? Me ç’kritere? E shoh disi të vështirë që nga ‘Pino Pascali’ të ngrihet ndonjëri e të vijë në Tiranë për të përzgjedhur artistët, kështu që me siguri do të jetë vendim i GKA përzgjedhja. Këtu rrezikojmë fishekzjarret!

    pergjigje

    artistet jane perzgjedhur nga kyratoret e fondazionit Pino Pascali
    po keni kundershtime dhe dyshime mund te hapni nje procedure penale dhe e njejta gje do behet nga ministria dhe gka per personin tuaj i cili dizinformon ne menyre diletante publikun

  3. Ylli,
    ku e shihni dizinformimin? Dizinformimi fillon nga deklaratat e drejtorit te GKA qe nuk jep te dhena mbi ngjarjen qe mesa duket po pergatitet. Une kam shkruar qe shoh disi te veshtire qe te perzgjidhen pjesemarresit nga personeli i “Pino Pascali-t” dhe nese ju dini ndonje gje me shume, mjafton te informoni publikun e thjeshte. Personalisht do isha i pari qe do te lumturohej per nje interes ndaj artisteve te braktisur shqiptar.
    Per ta mbyllur, ju them vetem qe perpara se ju si GKA dhe Ministri e Kultures te me tmerroni me “hapjen e procedurave penale” filloni e “hapni platformat” me te cilat keni manipuluar “konkurset publike” te institucioneve qe drejtoni … jo per gje, por keshtu do i tregoni publikut edhe “hapjen e mendjes”.

  4. Pino Pascali ka bere zgjedhjen e artisteve shqiptar, galeria kombetare po jep ndihmesen dhe pagesat doganale

    per cdo info mund te shkruani ne fondazione pino pascali

    1. Jam mese i lumtur. Dua t’ju ndihmoj: marketojeni sa te mundni, nese jeni te zot. Eshte nje rast qe nuk duhet humbur. Mos u merrni me fishekzjarre, por futjuni punes. Dhe mundesisht pa protagonizma, lini ne plan te pare artistet dhe kualitetin e tyre. Shpresoj te mos shoh fytyren e drejtorit/uesve neper televizione … keto gjera lerjani politikaneve. Drejtuesi njihet nga cilesia+sasia e produktit, jo nga numri i prezencave televizive. Kjo po, qe do te ishte dicka e re.
      Pune te mbare!

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s