Così fan tutte … dhe justifikimi i fondeve publike. (Gazeta Shqiptare, 9/3/’14, Romeo Kodra)

Më 19 Shkurt isha i pranishëm në vënien në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit të Così fan tutte, të W. A. Mozart. Nuk kam ndonjë kompetencë të spikatur të kantos, por di ç’është aparati skenik. Di gjithashtu që kjo vepër e Mozart-it është e ndërtuar dhe luhet e tëra mbi një ekuilibër perfekt që shërben për të nxjerrë në pah kontrastin ç’ekuilibrues të ngjarjeve dhe ndjenjave kaotike të lidhjeve dashurore. Në pak fjalë: magjia e një libertini të shthurur si Mozart-i na shfaq në këtë vepër shthurjen jo natyrore të besimit tonë të verbër mbi racionalizmin e qenies sonë.

Kjo vepër është e tëra një pasqyrë, një strukturë e ndërtuar në mënyrë racionale që, në mënyrë po aq racionale, nxjerr në pah jo-racionalizmin e argumentit të trajtuar: besnikërinë e gruas, fundja të qenies njerëzore, gjithmonë pre e dëshirës dhe jo e arsyes – mbi të gjitha në dashuri. Nga pikëpamja e realizimit skenik ky kontrast, që të dalë në pah, kërkon përpikmëri ekzekutive (me gjithë eksperiencën vura re se gaboi minimalisht dy herë fjalët edhe Emiljana Paljusha); ekzaktësi ‘recitative’/pjesët e recituara (akti i parë është katastrofik nga kjo pikëpamje); dhe mbi të gjitha ritëm.

Mbi ritmin dua të ndalem pak. Këtu – pra, me ritmin – fillon profesionalizmi. Siç thashë katastrofike ishin pjesët ‘recitative’ të aktit të parë dhe këtu dirigjenti ka përgjegjësinë e vet. Ma ha mendja se është punuar pak për arsye kohe, por kjo nuk përbën justifikim në këtë rast. Edhe sikur të jetë punuar pak me Ligoratti-n, trupa e Operas e ka vënë më parë këtë vepër në skenë. ‘Avokatët mbrojtës’ të trupës do të më vinin në dukje që “gjithsesi kasti performues ishte i ri”. Por, kush tha që duhet të kënaqemi me këtë cilësi? Kush tha që janë pak 500 lekët e çmimit të biletës? Harrohen rrogat me fonde publike të trupës së TKOB?

Me ritmin ka probleme edhe skenografia. Pse gjithë ajo rrëmujë formulash pseudo-gjometrike apo matematikore në një skenografi që kërkonte gjithsesi një lloj rregulli me kuadratet e njëpasnjëshëm në fugë perspektive? Kur do të mësojmë të dozojmë elementët? Mjaft më me këtë bulimi objektesh, ngjyrash të tejngarkuara! Nëse ‘avokatët e trupës’ do të më bëjnë me dije se “skenografi Taulant Pustina ka dashur të sugjerojë disi jo-racionalizmin e dëshirës mozart-iane” do i përgjigjesha që nuk ka nevojë të sugjerojë asgjë skenografia sepse prish efektin që Mozart-i do t’i japë në mënyrë ekskluzive publikut, i cili prej një perfektësie simetrike totale artistike kupton që në jetë asgjë nuk është simetrikisht e përputhshme dhe perfekte. Mozart-i kishte kaq besim tek publiku! Pustina, jo? Kjo mani e Mozart-it kuptohet edhe nga mungesa e rimave të tepërta të libretit të Da Pontes p.sh., që tregon kërkimin e Mozart-it i cili prej çdo fjale kërkonte sintoninë perfekte jo me vargjet poetike, por me notat muzikore. Kur W.A.M. e kërkon nga libretisti këtë gjë, në një periudhë sundimi kulturor të fjalës së shkruar siç ishte ‘700, nuk mendoni se do ta kërkonte edhe nga skenografi, në një periudhë sundimi kulturor të imazhit si ajo e sotmja? Kam përshtypjen se edhe këtu efekti i bulimisë (të themi sa më shumë, sa më shpejt!) ka peshën e vet.

Kjo mungesë ritmi ndikon ndjeshëm mbi të gjitha në aparatin skenik, dhe këtu regjizori (Nikolin Gurakuqi) nuk duket se mbante fillin e përshfaqjes. Është detyrë e regjizorit të pastrojë sinkroninë dhe të mbajë ritmin e skenës. Është regjizori që sheh (duhet të shohë) mungesën e koherencës ritmike të veprës muzikore (që udhëheq dirigjenti sipas partiturës mozart-iane) me skenografinë dhe me lëvizjen e performuesve mbi palkun skenik. Si mund të duket e pranueshme – edhe për një publik modest siç jemi ne shqiptarët – që të bjerë sa gjatë gjerë Guglielmo (Aurel Thellimi)? [Prej këtij momenti braktisa përshfaqjen, rreth 20 minuta përpara përfundimit] Nuk kërkojmë të ketë një kontroll trupor prej balerini klasik (edhe se ne jemi mësuar tashmë të shohim të bjerë sa gjatë gjerë edhe balerinën e parë të TKOB Enada Hoxha[1]), por së paku një minimum duhet ta pretendojmë, apo jo? Ndoshta do e ndihmonte tek tuk një vrap nga Liqeni dhe më pak video clip-e televizive? Është turp tu kërkojmë këtyre ‘artistëve’ të justifikojnë siç duhet fondet publike të rrogave të tyre?

Dua ta mbyll me një notë pozitive. Kjo i shkon atij ‘peshku pa ujë’ që mu duk se ishte Armand Likaj; i vetmi që më jep idenë e një personi që ka kuptuar se të qenurit artist vjen si rrjedhojë e të qenurit punëtor serioz. Faleminderit për justifikimin e rrogës!

P.S. Përshtypja është se me ardhjen e Drejtorit të Përgjithshëm Ilir Kerni trupa e baletit (sidomos në rastin e ‘Giselle’ të Petra Contit dhe Eris Nezhës) është përmendur disi, por kemi një rënie të trupës lirike. Për t’ju dukur i bezdisshëm mjaftueshëm ‘avokatëve të TKOB’, doja të dija nëse ekziston figura e drejtorit artistik në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit? Nëse po, kush është? Dhe mbi të gjitha, kur do të fillojë punë?

Një mendim mbi “Così fan tutte … dhe justifikimi i fondeve publike. (Gazeta Shqiptare, 9/3/’14, Romeo Kodra)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s