Gjenitë e legjislacionit në Ministrinë e Kulturës. (Romeo Kodra)

Ministria e Kulturës në një letër të datës 7/2/2014, e cila mu dorëzua të premten më 14/2, më kthen përgjigjen e kërkesës sime të datës 17 Janar 2014. Në të thuhet:

“Në përgjigje të kërkesës tuaj nr.173, datë 17.01.2014 (e jona) ku kërkoni t’ju vihen në dispozicion një kopje e platformave të kandidatëve fitues dhe indikatorëve të vlerësimit që janë përdorur për procedurat e konkurrimit për pozicionin e Drejtor i Teatrit Kombëtar, ju sqarojmë si vijon:

Së pari: Lidhur me kërkesën mbi indikatorët e vlerësimit, ju bëjmë me dije se Komisioni është mbështetur në “Kërkesat e përgjithshme” të parashikuara më nenin 12 të ligjit 8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nënpunësit civil”, Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.173, datë 07.03.2003, “Për emërimin, lirimin ose shkarkimin nga detyra të drejtuesve të institucioneve në varësi të Këshillit të Ministrave, Kryeministrit, ose të Ministrit” si dhe “Kërkesat e Veçanta” ku ndër to bën pjesë edhe platforma.

Së dyti: Lidhur me kërkesën për t’ju vënë në dispozicion platformat e kandidatëve të përzgjedhur ju informojmë që kjo e drejta e informimit, ndryshon nga e drejta e riprodhimit ku sipas ligjit nr.9380 datë 28.04.2005 “Për të drejtat e Autorit dhe të drejtave të lidhura me të” i ndryshuar, lejohet vetëm riprodhimi i asaj pjese të procedurës që lidhet me personin tuaj dhe jo me kanditatët e tjerë dhe me riprodhimin e dokumenteve të prodhuara nga institucioni për këtë procedurë.

Për sa më sipër, konform nenit 52 të Kodit të Procedurave Administrative, ju jeni paraqitur pranë Ministrisë së Kulturës për të inspektuar dosjet e disponuara nga administrata për këtë proces. Nëse informacioni i inspektuar nga Ju nuk ishte i mjaftueshëm, mund të vini përsëri për të riparë dosjen.

Duke ju falenderuar,

SEKRETARI I PËRGJITHSHËM

ELIRA KOKONA[1]

Nuk di nëse E(d)lira Kokona është një person tjetër nga ai me të cilin kam komunikuar herën e fundit në Ministri, apo është thjeshtë gabim digjitimi i emrit në letrën zyrtare që mora. Gjithsesi, vë re se absurditetet e thëna me zë u dilkan për zot edhe haptazi në Ministri të Kulturës. Kam përshtypjen se kanë tepër besim që me përdorimin e burokratikishtes do të bëjnë njerëzit ta hanë sapunin për djathë.

Së pari, Komisioni i zgjedhur prej ministres Kumbaro-Furxhi ishte tërësisht një sajesë pseudo-demokratike. Pyes gjenitë e legjislacionit në Ministri të Kulturës: Ku është shkruar se kush e zgjedh këtë Komision? Në ç’ligj? Cilat janë kriteret e zgjedhjes së kandidatëve për këtë Komision? Është e kotë të presim që të përgjigjen, sepse nuk është shkruar në asnjë ligj. Ministria me këtë pseudo-Komision mbuloi autoritarizmin e vet me të cilën tre persona – nënpunës të lartë dhe të mesëm të vetë Ministrisë, të cilët mund t’i imagjinoni sa të pavarur ishin – që zgjodhën Drejtorin e Teatrit Kombëtar [kujtoj: asnjëri prej tyre nuk ka asnjë lidhje më teatrin apo menaxhimin e teatrit] nxorrën një vendim për tre kandidaturat që sipas tyre ishin më të përshtatshmet. Ky vendim nuk u justifikua nga Komisioni [për tu kuptuar: nuk thuhet në procesverbal se cilat janë pluset apo minuset e çdo platformave] sepse ky Komision siç thashë nuk kishte as edhe një njohuri tekniko-praktike mbi teatrin. Nuk kuptoj si ky Komision mundi të vlerësojë “Kërkesat e Veçanta” dhe platformat. Nga e dinin këta qyqarë se ç’janë indikatorët e vlerësimit të një platforme menaxheriale për një institucion mbi të cilin nuk kanë as edhe një ide të përafërt? Këta dhanë tre emra dhe verbalizuan pa i justifikuar në procesverbal.

Së dyti, gjenitë e legjislacionit në Ministri të Kulturës na thonë se për platformat e personave që kanë marrë pjesë në konkursin PUBLIK për zgjedhjen e Drejtorit të TK na u dashkan të drejtat e autorit. Tani, ka ndonjë punëdhënës aq idiot sa të mos kontrollojë si dhe sa të dojë cv-në dhe punën e punëmarrësit? Punëdhënësi në këtë rast jam unë, jemi ne si PUBLIK. Gjenitë e legjislacionit të Ministrisë së Kulturës (që unë ende më duhet të kuptoj se ç’kultivon, edhe pse një ide po e krijoj) na thonë se për të parë dosjen e Hervin Çulit, Drejtor i zgjedhur i TK, dhe platformën e tij na u dashka t’i marrim leje. Po sikur, larg qoftë, Hervin Çuli të ketë kopjuar platformën e tij? Po sikur unë të dua ta denoncoj? Pyes gjenitë e legjislacionit të Ministrisë së Kulturës: si t’i them gjykatësit, ‘shko e shihe po deshe vetë, e gjen tek dosja e Komisionit, por mos harro t’i marrësh leje më parë’? Po bëj thjeshtë një hipotezë, sepse dosja e Drejtorit po të ishte e kopjuar do e cilësoja si të kopjuar keq dhe me gabime, ose thjeshtë nuk do e cilësoja si platformë të shkruar prej një menaxheri.

Së fundmi, gjenitë e legjislacionit në Ministri të Kulturës mbyllin letrën duke evidentuar inspektimin tim të dosjes. Këtë gjë kam përshtypjen se e bëjnë që nëse një ditë do të paraqitemi tek gjykatësi t’i demonstrojnë me këtë shkresë zyrtare dashamirësinë dhe hapjen totale kundrejt publikut. Madje më ftojnë që të shkoj edhe herë të tjera nëse nuk ishte e mjaftueshme hera e parë. Me këtë kam përshtypjen se duan të më komunikojnë diçka. Do vete e të hedh një sy, mbase pa pritur e pa pandehur dosja mund të jetë kompletuar, dhe atëherë do të di si të argëtohem.


[1]   Gabimet ortografike dhe gramatikore janë lënë siç ishin në letrën zyrtare.

2 mendime mbi “Gjenitë e legjislacionit në Ministrinë e Kulturës. (Romeo Kodra)

  1. Ne krye te te gjithe ketij maskaralleku qendron sekretarja e pergjithshme e Ministrise se Kultures Elira Kokona. Ajo ka bere nje masaker me te gjithe tenderat me prokurim te drejtperdrejte ne Ministrine e Kultures. Ministria ka qene 2 muaj nen terrorrin e saj dhe te kumbaros qe detyronin njerezit te firmosnin. Elira Kokona eshte sekretarja teknike e komisionit te papes qe drejtohej nga kumbaro. Njerezit kane firmosur nen presionin e latgimit nga puna. Jane 100 deshmitare ne ministrine e kultures qe e provojne kete.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s