ISHIM MË MIRË KUR ISHIM MË KEQ? (Valerio Furneri)

Protestat dhe demonstratat e rrugës që kanë shënuar kronikën ndërkombëtare vitet e fundit dhe që ndërlidhen midis të tjerash me parrullat e punëtorëve që kanë humbur vendin e punës; me manifestimet e studentëve të indinjuar, që edhe pse me një diplomë apo kualifikim profesional nuk shohin të ardhme, sepse shfrytëzohen, të nënpaguar dhe të pasigurt; me protestat e dhunëshme të pranverës arabe dhe sheshit Taksim; gjithçka sjell ndërmend ngjarje të ndodhura në Evropë dy dekada më parë, kur të nesërmen e rënies së Murit të Berlinit, me shembjen e Bashkimit Sovjetik dhe në përgjithësi të Komunizmit, miliona njerëz që ishin lavdëruar në perëndim të Perdes së Hekurt për zgjedhjen e demokracisë u gjendën përpara pagesës së çmimit, fillimisht të shpronësuar prej pjesëmarrjes dhe proçesit vendimarrës në ngjarje që i preknin në vetë të parë, dhe më tej deri tek puna që shumë prej tyre humbën si shkak i kalimit nga ekonomia e planifikuar në të ashtuquajturën ekonomi të tregut të lirë. Një nga aspektet më të diskutueshëm të kësaj çështjeje është sigurisht ai i privatizimit. Pas shembjes së regjimit komunist fabrikat dhe industritë e shtetit duheshin privatizuar jo vetëm për faktin e dukshëm të nevojshmërisë paraprake të kalimit në kapitalizmin e lakmuar, por edhe me argumentin e vetëm që në këtë mënyrë mund të ktheheshin në konkuruese dhe produktive ‘rrangalle’ të kota që deri atëherë i kishin peshuar shtetit, domethënë kolektivitetit.

Pikërisht këtë çështje trajton edhe tregimi i fundit i shkrimtarit gjerman Volker Braun (1939) i titulluar Die hellen Haufen (Bandat e bardha) botuar në 2011. Me origjinë nga Dresdeni i Gjermanisë lindore, Braun në tekstet e tij ka patur për zemër tematikat e punës. Që herët, thuajse të nesërmen e rënies së Murit të Berlinit, kishte botuar një poezi të titulluar Das Eigentum (Prona), ku tematizonte problemin e pronës së shtetit dhe se ç’duhej bërë me të kur të afirmohej kapitalizmi. Tani, mëse njëzet vjet më vonë nga faktet e treguara aty, autori rimerr në mënyrë kritike temën e privatizimeve duke iu përgjigjur në mënyrë indirekte atyre që likuidonin DDR (RDGJ – Republika Demokratike e Gjermanisë) si një shënim në fund të faqes së historisë. Në tregimin e tij Braun-i nuk kufizohet në kronikën e fakteve të historisë së re të Gjermanisë së post-bashkimit, por – duke e ndërthurur me ngjarje historike si lufta e bujqëve të 1524-1526 – kryen një seri reflektimesh prej të cilave del një konstante: shfrytëzimi i masave prej një klase elitare të fuqishme që kujdeset vetëm për interesat e saj specifike, dhe luftën e pabarabartë që rrjedh prej saj. Në rastin konkret, tema qendrore e tregimit është privatizimi i minierës së Bischofferode në Thüringen, pjesë përbërëse e kompleksit industrial Thomas Müntzer, që si të gjithë aktivitetet produktive të RDGJ ishte Volkseigen, pra pronë e popullit. Braun kombinon mençurisht ngjarjet historike, si protestën e punëtorëve të Bischofferode (në trillimin letrar Bitterrode) me trillimin e pastër narrativ: nuk janë të karakterizuar vetëm personazhet që dalin nga masa e turbullt dhe anonime e punëtorëve, edhe emrat e vendeve dhe personazhe realë modifikohen (kështu për shembull ministri Klaus Schucht, përgjegjës i privatizimit të Bischofferode bëhet Schufft, fjala “Schuft” me një «f» do të thotë batakçi). Gjithashtu protestat e punëtorëve janë të treguara në vërtetësinë e tyre historike përsa i përket shkaqeve dhe rreziqeve që ishin në lojë, pra piksëpari humbja e vendit të punës, por prej këtej Braun lë mënjanë fushën faktike dhe duke ju drejtuar drejtpërsëdrejti lexuesit e fton shprehimisht ta ndjekë në fushën e minuar të mundësive: përshfaqja e një manifestimi punëtorësh që shkojnë në Berlin (fakt i ndodhur realisht) ekzagjerohet me ndërfutje skenash të dhunshme prej forcave të rendit; greva e urisë (fakt i ndodhur realisht) arrin kulmin me vdekjen (fiktive) të një prej promovuesve; pakënaqësia dhe protestat degjenerojnë në një luftë civile midis punëtorëve dhe forcave të rendit që në fund do shtypin në gjak protestat, siç kish ndodhur në mënyrë analoge me luftën e bujqëve pak shekuj më parë.

Përshfaqja nuk ka për qëllim një kuadër manikeist, me të mirët nga një krah – punëtorët që fillimisht protestojnë në mënyrë paqësore – dhe të këqinjtë nga tjetri, pra shtetin, afaristët lobues dhe forcat e rendit, dora e tyre e armatosur, që mbajnë monopolin e dhunës, por ka si të tillë demonstrimin e potencialit subversiv që mund të shpërthejë prej motove të lëvizjeve masive kur krijohen kushtet prej mbajtësve të pushtetit që vendosin mbi fatet e shumicës. Në këtë tregim Braun propozon sërisht dialektikën antike midis të pasurve të pushtetshëm dhe të varfërve të shfrytëzuar, dhe me anë të një filtri letrar ja rikthen lexuesit të pasuruar me një sërë sugjerimesh për reflektim: për shembull mbi faktin e historisë, që megjithëse e gjerë dhe e pasur në aspekte shkruhet dhe standartizohet prej fitimtarëve, në këtë rast kapitalistëve, që janë gjithmonë gati të celebrojnë dhe lartësojnë fitoret e tyre (ribashkimin e dy Gjermanive, rikthimin në stanin e ekonomisë së tregut të pjesës lindore, vetëvendosjen në qendër të ndryshimeve epokale), por që heshtin për çmimin e këtyre fitoreve, kostoja e të cilave u bie mbi supe, si zakonisht, punëtorëve të nënshtruar vendimeve të marra nga lart kundra dëshirës së tyre, siç janë mbyllja e stabilimenteve dhe fabrikave prodhuese ose privatizimi i tyre që përkthehet në humbjen e vendit të punës dhe papunësi.

Një tjetër aspekt interesant që trajton Braun është ai i pronës. Në trillimin narrativ një sindakalist nxit punëtorët që të reklamojnë pjesën e tyre, pra pasi është shfaqur paevitueshmëria konkrete e privatizimit të minierës, u thotë që të kërkojnë gjithsecili dëmshpërblimin përkatës. Është në këtë pikë që midis punëtorëve lind konfuzioni: asnjëri prej tyre s’e kishte menduar më parë pronësinë e minierës si diçka personale, në fakt miniera si të gjitha aktivitetet ishte e përcaktuar me ligj si Volkseigen, domethënë pronë e popullit, dhe jo pronë e punëtorëve, as e nënpunësve apo drejtorëve, dhe as e shtetit. Ajo është e patjetërsueshme dhe nuk është në dispozicion të qytetarëve të përveçëm privat, e megjithatë fakti që një organ i caktuar ‘shpronëson’ popullin prej fabrikave të veta për t’ia shitur, shpesh për dy kacidhe, personave apo grupeve sipërmarrëse dëshmon edhe një herë arrogancën dhe makutërinë e kapitalizmit që sheh në ribashkimin e Gjermanive jo një ngjarje historike dhe një sfidë kulturore, por një biznes, një pushtim të kuatave të tregut dhe një spastrim të konkurrencës së mundshme. E gjitha kjo nën llustrën hipokrite të demokratizimit dhe mirëqenies së popullit që injorohet për të mos thënë nëpërkëmbet në momentin kur këto i pretendon. Meqë ra fjala ngjarja e përshkruar nga Braun-i kujton shumë ato të ndodhura kohët e fundit në vendin tonë [Itali]. Vetëm pak vite më parë qeveria e atëhershme e Belusconi-t vendosi të bllokonte bisedimet me Air France për blerjen e kompanisë kombëtare të fluturimeve, Alitalia që po jepte shpirt. Plani i rikuperimit që parashikonte edhe shkurtime gjithsesi ishte e keqja më e vogël. Por në emër të kombit të kompanisë u preferua ndërprerja e bisedimeve me francezët dhe ju besua kompania një konsorciumi italian me një gjetje gjeniale: ndarja në dy shoqëri të ndryshme e kompanisë, lënia e menaxhimit të pjesës së shëndoshë një grupi sipërmarrësish italian dhe varja në qafë e pjesës së ‘sëmurë’, pra borxhet, shtetit, domethënë kolektivitetit. Gjithçka natyrisht për të mirën publike, por në kundërshti me sa ishte në interes të së mirës publike. Dhe rezultatet janë mëse të dukshme për të gjithë.

E njëjta gjë vlen edhe për Die hellen Haufen: në kulmin e luftës civile të vënë në skenë prej shkrimtarit tonet ulen, thuajse të ishte një rizgjim prej makthit. Asnjë ngjarje e dhunshme nuk ka ndodhur realisht, e megjithatë trillimi dhe fantazia nuk vënë në diskutim aspak vërtetësinë e kësaj historie që, e shkruar në versionin zyrtar prej fitimtarëve, ka edhe detaje të heshtura prej storiografisë që i përkasinë një morie njerëzish digniteti i të cilëve nuk është në shitje. Në fakt shumë prej atyre që dhanë shtysën e parë për fillimin e të ashtuquajturit ‘revolucioni paqësor’ që si rrjedhojë solli rënien e Murit të Berlinit u gjendën përballë një iluzioni: iluzioni i një ndryshimi real nga poshtë që ndryshon gjërat demokratikisht. Madje në pak kohë vëllezërit e perëndimit trokitën në derë duke shpjeguar – me poza klasike atërore dhe qasje pedagogjike – se çfarë do të thoshte demokracia: pikësëpari marka gjermane për të gjithë. Edhe në këtë rast rezultatet në një periudhë të shkurtër, të mesme dhe të gjatë, janë përpara syve të të gjithëve. Braun nuk kërkon të celebrojë të shkuarën e RDGJ e as ta transfigurojë poetikisht si për të thënë ‘ishim më mirë kur ishim më keq’, por rikujton se si gjërat mund të kishin ndjekur një udhë tjetër, fundja kush kishte manifestuar në 1989 për të patur demokraci nuk kishte luftuar për majmjen e grupeve sipërmarrëse gjermano-perëndimor, as për të dëgjuar predikime mbi ç’është apo ç’nuk është demokracia. Në tregimin e tij Braun demaskon hipokrizinë e perëndimit kapitalist përveç shpalosjes së një humanizmi të shumëllojshëm të përbërë prej personash në mish e në shpirt me shqetësimet dhe aspiratat e tyre reale dhe legjitime. Për ta mbyllur me fjalët e Barun-it “është e vështirë që historia e sapo treguar të jetë e trilluar, vetëm një gjë do të ishte po aq e shëmtuar: që kjo histori të kish ndodhur realisht”.

Një mendim mbi “ISHIM MË MIRË KUR ISHIM MË KEQ? (Valerio Furneri)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s