Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit: ‘Halili dhe Hajria’ dhe ‘filli i Arianës’. (Gazeta Shqiptare, 23/2/’14, Romeo Kodra)

Të shtunën, 1 Shkurt 2014, isha i pranishëm në vënien në skenë të veprës ‘Halili dhe Hajria’ të TKOB. Drama e Kol Jakovës e koreografuar plot 51 vjet më parë prej baletmaestros Panajot Kanaçi është vepra e parë në historinë e baletit shqiptar. Nëse në artet skenike fjala repertor ka ndonjë kuptim atëherë për referencë, në fjalorin e shqipes, ka këtë vepër. Për së paku deri të shtunën e 1 Shkurtit.

Personalisht, për t’i bërë një kritikë këtij “spektakli” (thonjëzat janë të detyrueshme), nuk di nga t’ja filloj. Për të shkruar mbi gjërat mendoj se ato duhet të kenë për së paku një lloj dinjiteti, të cilin ky “spektakël” nuk mbart as në vlerat më minimale. Për të justifikuar shkrimin gjej tre arsye që shkojnë përtej asaj që më panë sytë në TKOB.

Arsyeja e parë është detyrimi etik i pasionit dhe profesionit tim për artet skeniko-performative dhe dëshira për t’i parë skenat shqiptare me art dhe artistë dhe jo të zaptuara me “spektakle” batakçinjsh. E dyta, që vjen si rrjedhojë e së parës, është skandali i shuarjes së repertorit që shoh tashmë të kryer brenda një institucioni kombëtar siç është Teari i Operas dhe Baletit. Arsyeja e tretë është një vajzë 10-12 vjeçare, së cilës i dedikohet ky shkrim, që gjatë gjithë spektaklit të së shtunës pyeste të ëmën, ‘Ça tha?’, duke dashur të kuptonte gjuhën e gjesteve të balerinëve.

Në mënyrë fiktive po e quaj këtë vajzë Ariana, të cilën – sipas mitologjisë – reformatori i madh athinas Teseu e kishte braktisur, edhe pse ajo me fillin e saj i kish shpëtuar jetën, atij dhe athinasve. Doja me këtë shkrim t’i jepja një fill Arianës për të dalë nga labirinti aktual i artit skeniko-performativ shqiptar.

E dashur Arianë, ke të drejtë që pyet mamin për të kuptuar se ‘Ça i tha?’ ai balerini kolegut të tij, sepse baleti – edhe pse pak e kujtojnë siç bën ti – është një gjuhë, një kod. Kodi i balerinëve shqiptar është ai i metodës Vaganova. Agripina Vaganova ishte një pedagoge nga ish-Bashkimi Sovietik, vend në të cilin ishte formuar edhe baletmaestri Panajot Kanaçi, autor i veprës ‘Halili dhe Hajria’ të cilën ti po mundohesh ta kuptosh. Ky baletmaestër – të cilit nuk i zë shpirti qetësi aty ku është, duke parë se si është katandisur vepra e tij – kodit gjuhësor të Vaganovës i shtoi kodin e valleve folkloristike shqiptare. Këto të fundit në gjuhën e pedagogjisë së baletit quhen valle karakteri, sepse studjohen specifikat folkloristike të kërcimeve të shumë kombeve (Tarantella, Mazurka, etj.). Kodi i jep pjesës që vihet në skenë fjalën që ti do të kuptosh. Për shembull, një lëvizje e duarve në ‘Liqenin e Mjelmave’ ndryshon me lëvizja e duarve në ‘Zhizel’ apo ‘Karmen’; për të mos folur me lëvizjen e duarve tek ‘Halili dhe Hajria’. Kjo vlen edhe për lëvizjen e këmbëve apo pozicionin e trupit. Shtoj gjithashtu që tek ‘Halili dhe Hajria’ kur mjeshtri kompozitor Tish Daija fut një intermexo me muzikë të Shqipërisë së mesme, baletmaestri detyrohet të ndjekë dhe të rimojë me lëvizje të karakterit shqiptar. Kjo gjë kërkon saktësi dhe perfektësi ekzekutimi, që mamaja jote në këtë rast nuk sheh sepse, me të drejtë, balerinat i ngjajnë me ato të tallavave të turbo-folkut shqiptar bashkëkohor. Saktësia dhe perfektësia është tjetër gjë; është ajo e gjuhës së Vaganovës që ngrihet e bëhet sublime kur i shtojmë atë që baletmaestri Kanaçi i ka bashkangjitur prej folklorit autokton.

‘I kujt është faji?’ do të pyesësh ti. Unë do të përgjigjem duke i rënë pak gjatë e dashur Arianë. Faji është se në trupën e baletit të TKOB nuk ka një koripetitor, nuk ka një pedagog, koreograf apo regjizor; nuk ka njerëz që të nxjerrin më të mirën prej trupës së balerinëve. Këta të fundit, nga mungesa e dhënies së detyrueshme të llogarisë, kanë harruar se çfarë është puna e vërtetë. Dhe, më kupto e dashur Ariana, nuk po flas për një çerr të veshur si jeniçer. Unë nuk mund të gjykoj fëmijë që i kanë marrë nga shkolla e baletit dhe i kanë plasur në skenë duke i dhënë rolin e jeniçerëve, sepse këta të shkretë nuk kanë mbaruar ende së studjuari. Skena është e vështirë; ajo ka nevojë nga 6 deri në 8 orë punë në ditë, duke filluar që në moshë fare të vogël.

Unë e kam fjalën për balerinën e parë Arianë e dashur që, jo vetëm që bie nga puantet duke bërë një ‘suevì’ (thjeshtë ecje në majë të puanteve), por mirë që nuk thyen edhe hundët duke rënë përtokë sa gjatë gjerë. Në sallat e Shkollës së Baletit një herë e një kohe, balerinat e moshës tënde e kishin për turp të binin nga majat e puanteve dhe jo më të rrëzoheshin. Në TKOB kjo ndodh e dashur. Ndodh madje që publiku në fund të shfaqjes të duartrokasë, sepse është mësuar të shohë të njëjtën balerinë dhe kolegë të saj të kërcejnë në spektakle televizivë ku publiku shkon e duartroket sipas komandimeve të autorëve të programeve. Ç’të them e dashur Arianë: majmunëri hesapi! Ti e dashur mundohu të mos bëhesh si ata. Për ta evituar të këshilloj të mos shohësh programet e mësipërme dhe të mos lexosh panegjirizma injorantësh të fushës së arteve skenike[1]. Fundja dihet që arti është diçka elitare. [Ah, dhe mos harro: elitar nuk është e kundërta e ‘malokut’! Edhe një njeri që vjen nga malet është elitar kur njeh ç’është etika, kultivimi i punës së ndershme, dinjiteti njerëzor. Kemi shumë ‘qytetarë’ – me kostume, kollare e foulard, që lyhen e zhgërryhen dhe që malësorëve nuk u janë të denjë tu lëpijnë as opingat – të cilët duke sharë ‘malokët’ kanë përfituar duke uzurpuar kulturën shqiptare. Arianë, shqiptarët dhe asnjë popull tjetër, nuk mund të ndahen në qytetarë dhe ‘malokë’, por në elitarë dhe jo elitarë. E thoshte Pasolini, por këtë ta shpjegoj një herë tjetër.]

Ndodh në TKOB që të mos shkojnë së bashku muzika dhe baleti, Arianë. Ndodh sepse nuk ka regjizor që sheh dirigjentin dhe balerinin njëkohësisht, që sheh mospërputhshmëritë në gjuhën e aparatit skenik (sepse edhe kjo është një gjuhë më vete).

Ti, pas gjithë kësaj, do të thuash që, edhe pse je aq e vogël, gjithsesi ke dy neurone funksionues në kokë dhe për këtë kupton që faji është i drejtorit të sapozgjedhur Ilir Kerni, Do të shtosh që nuk është një menaxher i mirë dhe s’ka si të jetë pa studjuar për të qenë i tillë. Do të thuash që si menaxher duhet të dijë të paraqesë një platformë reformuese koherente që të përmbledhë që nga eleminimi i erës kundërmuese të banjove të TKOB e deri tek eleminimi i numrit të tepërt të solistëve që ka sot trupa (sikur të ishin të tërë Barishnikovë apo Pavllova); që nga paraqitja e materialeve të marketingut e deri tek zgjidhja e absurditetit të moshës 60-65 vjeçare të pensioneve të balerinëve; që nga rivendosja e figurave profesionale të strukturës së trupës e deri tek reformimi i ligjeve që prekin fushën e arteve skenike.

Mund të kesh të drejtë Arianë. Por nuk është vetëm kaq dhe, mbi të gjitha, jo kaq e thjeshtë. Edhe unë kam dyshime mbi aftësitë menaxheriale të drejtorit. Personalisht do ta shihja perfekt në rolin e koreografit. Madje do t’i jepja përgjegjësinë e plotfuqishme jo vetëm të trupës së TKOB, por edhe të Shkollës së Baletit.

Duhet të dish Arianë që këtë drejtor Ministria e Kulturës – Ministri që përsa i përket menaxhimit të institucioneve kulturore kombëtare do ta shihja më mirë në Malësi të Madhe të kultivonte patatet e atyre ‘malokëve’ të përbuzur – e ka pritur me gërshërë në dorë duke i kërkuar shkurtimin e 30% të personelit. Sipas teje, Arianë, ka guxim ky drejtor t’i kërkojë Ministrisë figurat e domosdoshme profesionale që të përmenda më sipër? Për mendimin tim është një arritje e madhe që drejtori Kerni ja doli mbanë të mos pranonte 30%-shin e shkurtimeve. Madje ka meritën e rivitalizmit të repertorit, edhe se gjendja është – siç të thashë – skandaloze. Ka meritë edhe për thirrjet dhe ftesat që u bën artistëve shqiptarë nga jashtë, për t’i demonstruar personave si ty dhe kujtuar shqiptarëve që e kanë harruar se ç’është baleti i vërtetë. Dhe duhet të mos e harrosh Arianë, sepse prej këtej do të nisë edhe filli yt nëse do të duash nesër të reformosh kulturën dhe artet skenike shqiptare, për ta nxjerrë nga labirinti.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s