ONU – UUUFFF!!! – FRI 2013 (Romeo Kodra)

Dje, më 30 Janar 2014, Silva Agostini me videon e saj ‘Mutual Red’ u shpall fituese e edicionit të XX të konkursit ‘Onufri’. Në këtë edicion jubilar, që shihte pjesëmarrjen e 12 prej 130 artistëve që kishin aplikuar, pritej mbi të gjitha risia.

Në 4R e promovuara prej Ministrisë së Kulturës (Rinovim, Reforma, Risi, Rilindje), rinovimi (R1) është parë, në rastin e Galerisë Kombëtare të Arteve, në emrin e drejtorit të ri Artan Shabani; reforma (R2) do të shihej nga platforma menaxheriale që drejtori i ka prezantuar Ministrisë së Kulturës por të cilën për mungesë kohe kjo e fundit nuk na e ka vënë ende në dispozicion; risitë (R3) priteshin dhe po i shohim prej aktiviteteve të para të ndërmarra prej drejtorit të ri të GKA të cilat japin të dhënat të qarta edhe për idenë e reformës së tij; rilindja (R4) është premtimi që qeveria Rama ende mendon se do ta përmbushë përgjatë këtij mandati të parë. Por, le të shohim në ç’pikë jemi përsa i përket institucionit më të rëndësishëm të artit në vend.

Edicioni i XX i ‘Onufrit’ nuk i kushtoi më shumë se dy javë kohë kuratorit të zgjedhur prej drejtorit të ri. Kjo shihet nga moskoherenca thuajse totale e prurjeve të artistëve me konceptin kuratorial ‘Elozhe dyshimit’. Besoj se të gjithë vizituesit e ekspozitës panë që ndër këto punë filli ndërlidhës i Arjanës ishte ndjesia ankthgjeneruese e të qenurit pezull, në ekuilibër të pasigurt. Artisti bashkëkohor shqiptar në këtë pezulli është krejtësisht pasiv. Në mënyrë paradoksale pezullia mbizotëruese në punët e këtyre artistëve kthehet në potencë shprehimore. Dyshimi – i sugjeruar në konceptin kuratorial – nënkupton një subjekt i cili është aktiv dhe që ndërmerr apo ka ndërmarrë (duke u penduar më pas) një veprim. Në këto punë, thjeshtë, nuk gjendet askund një subjekt i tillë.

Kujt i duket se shpreh ndonjë dyshim fytyra e Endri Danit në fotografitë e tij? Ergin Zaloshnja ka ndonjë dyshim mbi eksperiencën e tij jetiko-artistike? Parapërgatitjet ad libitum të Irgin Senës janë fryt dyshimi apo autizmi makinik? Ekuilibristët e fitueses së çmimit dhe tensioni i tyre muskular është fryt i ndonjë dyshimi apo stërmundimi fizik? Ivi Topp ka gjithçka, por jo dyshime. Të mos flasim për Driton Selmanin; dyshimi i vetëm është ai i jurisë: Ja japim çmimin për këtë vepër perfekte apo presim të bëjë ‘salto mortale’?

Në motivimin e jurisë, për dhënien e çmimit Silvia Agostinit, thuhet: “Ndjesia e fortë e binomit dyshim/besim është shfaqur në një mënyrë thelbësore të fuqishme. Pra, nëse flasim për dyshimin, gjëja që na tërhoqi ishte faza kur subjekti, i cili është i pranishëm brenda konceptit kuratorial, qëndron pezull dhe reflekton tension. Është një vepër ku mund të kridhesh menjëherë, një subjekt i pastruar nga zbukurimet e tepërta dhe i sjellë thjesht dhe fuqishëm te publiku. Imazhet e veprës vepronin fuqishëm, duke mënjanuar një prirje lehtësisht estetike. Gjithashtu menduam se duke qenë juri e një konkursi ndërkombëtar, puna fituese duhet të ishte një vepër që përcillte në mënyrë të vlefshme një problematikë sa lokale aq edhe globale, në një mënyrë të vetëmjaftueshme”.

Më duket si një kacavjerrje nëpër xhama mbajtja brenda thonjëzave të paqena të konceptit kuratorial që edhe juria – pas kuratorit – i bën kësaj pune të vetëmjaftueshme dhe që, mbi të gjitha, shpreh tjetër gjë. Duke e konceptuar rolin e një jurie disi më shumë se tërheqje shpërblimesh qyl do të kisha dashur të dija prej tyre nëse nuk mendojnë se kjo video është një tjetër hulumtim i Silva Agostinit mbi gjeometrinë fraktale në art? Nuk u ka shkuar ndërmend anëtarëve të jurisë që ‘Mutual red’ mund të jetë e lidhur me lojën e kameras dhe gjenerimin e formave gjeometrike prej saj si në videot e mëparshme (shih Fractal Release ose Responding Environs) të Agostinit? Mbase e vetmja e metë e kësaj pune ishte pikërisht në lëvizjet e tepërta të kameras (do të kishte qenë më mirë statike) që shpërqëndronin prej tensionit të krijuar të kokave në ekuilibër.

Kam përshtypjen se, jo vetëm që në GKA jemi vite dritë larg çfarëdo lloj reforme apo rilindjeje, por edhe po neglizhohet një gjeneratë artistësh me potencial jo të zakontë. GKA po bën shumë pak për të nxjerrë në pah punët e kësaj gjenerate. Ekspozimi i 12 artistëve dhe 3.500 euro çmime janë thërrime për ta. Nuk shihet ndonjë studim apo thellim mbi punët e këtyre artistëve. Nëse këtë nuk e bën GKA që e ka për detyrë (meqë mbahet me taksat e shqiptarëve, të cilët paguajnë për të parë artin e tyre të promovuar siç duhet) nuk shoh kush tjetër duhet ta bëjë. Shpresoj që drejtori Shabani të mos kufizohet në hedhjen e shashkave siç është bërë shpesh gjatë viteve të pafundme të tranzicionit, por të hapë sytë në materialin human që ka nën hundë dhe ta promovojë nëpër Evropë. Fundja nuk u zgjodh për këtë?

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s