ONUFRI XX: Elozhe dyshimit dhe llogjet e dyshimta. Romeo Kodra.

Me 26 Dhjetor 2013 në Galerinë Kombëtare të Arteve u hap ekspozita kolektive ‘Elozhe Dyshimit’. Ekspozita – e cila do të jetë e hapur deri më 2 shkurt 2014 – është përzgjedhja përfundimtare për Edicionin e XX të Çmimit ‘Onufri’ që organizohet çdo vit nga Galeria Kombëtare e Arteve.

Do të doja me këtë rast të kisha bërë një shkrim mbi perfektësinë e “Thonë se s’mundesh me i mbajtë dy bostanë me një dorë” të Drilon Selmanit, mbi aftësinë e fotografimit të momentit historik të kompozuar me aq kujdes, në ngjyra dhe dinamizëm, në këtë vepër arti par exellence; do të doja të kisha bërë gjithashtu një shkrim mbi presionin e pushtetit të së përditshmes mbi personin Ergin Zaloshnja dhe jo vetëm mbi “bujarinë” e blatimit të statusit të artistit që i njeh pushteti institucional i Galerisë Kombëtare të Arteve apo Interpolit; do të doja të kisha shkruar mbi sarkazmën e Endri Danit dhe (de)formimit të ‘njeriut të ri’ shqiptar që kështu i deformuar po shkon drejt mplakjes; do të doja të vazhdoja të këshilloja Ivi Topp që – njësoj si në ‘Ardhje’ të TICA-s së 19 qershorit 2013 – të mos mimetizohet me Anri Salën, por të hetojë proçesin krijues të tij; do të doja të argëtohesha më sugjerimet intelektuale të ofruara nga vepra e Irgin Senës dhe lidhjet ndërtekstuale me leximin e ‘Las Meninas’ të Velasquez-it nga Michel Foucault-ja; do të doja të flisja për interpretimin e njëzëshëm që artistët i bëjnë titullit ‘Elozhe Dyshimit’ si lutje funebre kundrejt pezullisë së tranzicionit që në mënyrë paradoksale kthehet në një artikulim artistik pjellor dhe që ndoshta mund të përmbledhë këta artistë në një karakter artistik specifik autokton mbi të cilët duhen investuar energji prej institucioneve të artit, kritikës, mediave. Do të doja, por s’mundem, sepse – siç thonë amerikanët – kam probleme me atë ‘elefant në dhomë’ (elephant in the room) që për mua është puna e Alban Mujës ‘Gjermanët kanë pak frikë prej meje’.

Puna e Mujës është një video me metrazh të shkurtër që tregon të përditshmen e një personazhi të njohur në qytetin e Mitrovicës. Ky person(azh) në mjerimin dhe varfërinë e tij ekonomiko-intelektuale hiqet si Hitleri dhe nën dritën e diellit merr poza dhe gjestikulon si diktatori nazist për argëtimin e turmave. Spektakli i dhënë për masat dhe i ushqyer prej tyre prek thuajse të gjithë: që prej bashkëqytetarëve të tij e deri tek trupat diplomatike të Evropës.

Që në fillim më duhet të specifikoj: jam pro hapjes së vazhdueshme të diskutimeve mbi të shkuarën totalitare të çdo koordinate gjeografike qoftë shqiptare, evropiane apo të çdo pjese tjetër të rruzullit, dhe në çdo fushë të jetës; mbi të gjitha në art. Me këtë më duhet të shtoj që nuk është e mjaftueshme hapja e diskutimit, por edhe kompetenca (në rastin në fjalë, kompetenca artistike) mbi argumentet të cilat trajtojnë.

Pas këtij specifikimi më duhet të ngre një pyetje: ku qëndron elementi artistik i ‘Gjermanët kanë pak frikë prej meje’? Pyetjen e ngre mbi elementin artistik të imazhit filmik si bazik në medium-in e zgjedhur (video-art? short-film?), por edhe si trajtesë e artistit mbi subjektin e zgjedhur për veprën e tij. E ngre këtë pyetje sepse nuk arrij ta shoh këtë punë përtej një dokumenti filmik që do të ishte perfekt për një lajm televiziv, që gjithsesi do të kishte nevojë për hapjen e një diskutimi sociologjik. Në stadin aktual kjo punë, siç është paraqitur në GKA, është thjeshtë një altoparlant i lënë në dorë një varfanjaku të mjerë që me llogjet e tij të dyshimta gjen mundësinë të bëhet i famshëm nëpërmjet GKA. Dhe artisti ka bërë pak punë (mirëpres përgënjeshtrimet) për të nxjerrë jashtë në evidencën e tyre “ato pjesë të historisë që duket sikur lëvizin e dallgëzojnë nën sipërfaqe” sepse ato jo vetëm që s’lëvizin e dallgëzojnë nën sipërfaqe, por lëvrijnë tashmë nën dritën e diellit të qyteteve tona dhe askujt nuk i bëjnë përshtypje. Artisti nëse do të provokojë, mund ta bëjë në të njëjtin kontekst (p.sh. pse artisti nuk i vë përballë këtij Hitleri një person tjetër apo vetveten me një maskë të Slobodanit dhe duke bërtitur “Kosovo je Srbija!”, madje t’i kërkonte edhe para për performancën?) dhe jo ta ekspozojë në mënyrë identike, madje të shumëfishuar në potencialin e tij subversiv falë GKA. Do guxim kjo punë! Arti s’është për të gjithë!

Kam besim, dhe shpresoj, që intelekti dhe ndershmëria artistike e Alban Mujës mund të shohë mangësinë ose të diskutojë e punën e tij. Po kështu kam besim dhe shpresoj në intelektin dhe ndershmërinë artistike të kuratorëve dhe drejtorit të GKA. Atëherë, ka mundësi të shpjegohet dhe të artikulohet më mirë kjo punë? Më duket minimumi i mundshëm. Konteksti mbarëshqiptar ka nevojë të dalë jashtë folklorizmave dhe provokimeve sipërfaqësore që realiteti ynë vërtet ofron, por që me to nuk mund të karakterizohet apo përgjithësohet. Besoj se meritojmë më shumë si popull, por edhe si publik.

Personalisht e kam disi me merak këtë argument sepse prej shumë spekulluesve të historisë së shqiptarëve (sidomos të atyre jashtë kufijve aktualë) shihemi si pro-nazi-fashistë. Shumë historianë baresh (qartësisht anti-shqiptarë) në Evropë na ndajnë – dhe në mënyrë jo aq të fshehur – si shqiptarët/kosovarët fashistë dhe serbët komunistë që prej konfliktit të II Botëror. E njëjta gjë ndodh me çamët dhe grekët.

Meqë në prezantimin e këtij ‘Onufri’ si qëllim «është të promovojë dhe mbështesë rolin vital që luan arti në rritjen e ndërgjegjësimit publik, si dhe aftësisë së artit për të “matur pulsin” e kohës sonë» do të më dukej  e dyshimtë kjo vepër dhe ‘matja sipërfaqësore e pulsit të kohës’ që po i bëhet realitetit pa e vënë realisht dhe me kompetencë në diskutim. Me këtë art të lehtë në një institucion artistiko-kulturor kombëtar, me këtë nazi-revival autokton që s’na përket pavarësisht mjerimit dhe varfërisë sonë, nuk po i japim tepër kredite historianëve anti-shqiptarë të Evropës?

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s