Platformë artistiko-menaxheriale për Teatrin Kombëtar … dhe një specifikim mbi thirrjen ministrore. (Romeo Kodra)

platforme artistiko.menaxheriale.TK

LEJOHET KOPJIMI … ME CITIM! ÇËSHTJE NDERSHMËRIE INTELEKTUALE … POR GJITHSESI S’MË NGELET HATRI.

Kjo platformë artistiko-menaxheriale për Teatrin Kombëtar është dorëzuar në Ministrinë e Kulturës prej meje më 26 Dhjetor si pjesë e dosjes sime për konkursin e postit e Drejtorit të TK të shpallur prej Ministrisë.

Si në të gjitha thirrjet për aplikim, edhe në këtë rast, tendenca është ajo e përplotësimit të kritereve të thirrjes që Ministria e Kulturës kishte publikuar në media. Problemi më i ndërlikuar është t’i përgjigjesh konkretisht, me një ide apo gjetje, një prej objektivave artistikë të kërkuar:

-Të hartojë një program dhe kalendar të qartë me shfaqje repertori dhe prodhime të reja, në funksion të diversitetit artistik dhe zgjerimit të audiencave.

Në kontekstin në të cilin ndodhet teatri shqiptar kjo përbën, për mua si hartues i platformës, pikën më delikate. Së pari, sepse nuk është e mundur – në gjendjen aktuale – që TK të ketë një repertor. Cila pjesë mund të quhet e tillë sot? Ka aftësi trupa e TK të shfaqë një pjesë të tillë duke i ruajtur karakterin origjinar? Natyrisht që jo! Kjo dihet tashmë; dhe prej shumë kohësh madje (shih arsyet brenda platformës). Së dyti, personalisht teatrin e repertorit, për të cituar Peter Brook-un, e shoh si vdekatar (Hapësira boshe). Shpresoj që Ministria e Kulturës të mos ketë ide të tilla për të ardhmen e TK. Një teatër e krijon me punë repertorin e tij; dhe natyrisht nuk e krijon në një, dy, tre apo katër vite. Repertori krijohet me kërkim të vazhdueshëm dhe principe të qarta artistiko-menaxheriale. Në pak fjalë: repertori në fillim krijohet, dhe pastaj shfaqet.

Kam frikë se në një objektiv të tillë të kërkuar nga thirrja ministrore për postin e Derjtorit fshihet një orjentim dhe kanalizim i teatri drejt broadway-izmit. Nëse hartuesit e thirrjes mendojnë se TK ka një repertor, atëherë ose duhet ta specifikojnë se cili është, ose janë të pa informuar mbi gjendjen aktuale të TK. Nëse nënkuptojnë me ‘shfaqje repertori’ pjesë të dëgjuara dhe të suksesshme të dramaturgjisë kombëtare dhe ndërkombëtare, ateherë kanë gabuar në terminologji. Nëse janë të bindur që duhen vënë pjesë të dëgjuara dhe të suksesshme për të zgjeruar audiencat, atëherë e shohin ngushtësisht rëndësinë e TK si udhërrëfyes të tendencave artistiko-teatrore dhe mbi të gjitha e shohin si të nënshtruar drejt konsumerizmit.

Nëse TK do t’i nënshtrohet kësaj logjike do t’i futet një tregu të ezauruar dhe të zaptuar prej medium-it televiziv me të cilin nuk mund të konkurojë. Betejën në këtë fushë e ka të humbur që pa e filluar. Rrjedha e kësaj do të na sjellë brenda sallave teatrore personazhë të famshëm që do na ndihmojnë të shesim bileta, por jo të bëjmë teatër. Broadway-i p. sh. – që ka si bukë të gojës këto gjetje ‘fantastike’ – shet për aktorë Pamela Anderson-in, Paff Daddy-n apo ku di unë. Nuk mund të imagjinoj se ç’mund t’i qepen skenës shqiptare nëse Ministria aprovon apo krijon mundësinë për tu ndërmarrë iniciativa të tilla.

Teatri shqiptar si formë arti, për fatin tonë të keq, sa vjen e po njehsohet me televizionin dhe po i nënshtrohet kosumerizmit të tij përmbytës. Një aktor i formuar në Univesitetin e Arteve s’ka më ndryshim nga një aktor të formuar në Universitetin e Lagjeve (shih arsyet branda platformës). Kush prej nesh e dallon se cili aktor i Portokallisë ka mbaruar Universitetin e Arteve, dhe cili atë të Lagjeve? Ja pra, për këtë po flitet.

Televizioni i jep audiencës së tij të njëjtin format pështjellosës duke ja karamelosur me spektakël (shih Shoqëria e Spektaklit të Guy Debord) dhe duke ja shitur për art. Sa herë dëgjohen zëra në talent-show të shitur për Vaçe Zelën e re? Ndoshta në çdo sezon? Sa herë këta zëra ja kanë dalë me të vërtet mbanë? Përgjigjia sigurisht që është asnjëherë, dhe për faktin e vetëm sepse televizioneve u intereson vetëm zëri dhe jo artisti.

Artisti është përtej vlerës monetare në të cilën bazohet konsumerizmi televiziv dhe jo i fragmentuar anatomikisht në një të thjeshtë për t’i shtrydhur vlerën e nevojshme që bën të xhirojë makinën spektakolare. Artisti dhe zëri i tij, arti i tij, janë të pandashëm dhe thyejnë vazhdimisht skematizmat; gjë kjo që bie ndesh me shfrytëzimin e menjëhershëm dhe aty për aty të medium-it televiziv, i cili do të gjenerojë pikësëpari të ardhura nëpërmjet argëtimit të publikun pa i lënë kohë artistit të formohet.

Teatri Kombëtar nuk duhet të futet në këtë rrjedhë. Jo sepse e them unë dhe megalomania ime për një post institucional, por sepse këtë e thotë historia e teatrit. Kur me ardhjen e kinematografisë, dhe më vonë të televizionit, spektakolariteti filloi të mbizotërojë në artin performativ aktorial, zgjidhja e natyrshme e reformatorëve të artit teatror, të rënë në krizë të thellë dhe me rrezikun objektiv të zhdukjes si formë arti, ishte përthellimi në kërkim, shdërrimi i teatrit në shkencë (deri në shek.XIX ishte artizanat). Epoka historike solli Stanislavskij-n, Mejerhold-in, Artaud-në, etj., etj.; solli në pak fjalë jo vetëm daljen nga kriza, por edhe hovin e teatrit drejt një pararoje të vazhdueshme në organizimin e jetës bashkëkohore të qytetërimit përëndimor.

Shpresojmë që kjo të ndodhë edhe tek ne.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s