Teatri Kombëtar në udhë ose në kryq: çështje evropianizimi. Romeo Kodra (Gazeta Shqiptare, 20/12/2013)

Më 26 dhjetor mbyllen aplikimet e konkursit për pozicionin e Drejtorit të Teatrit Kombëtar të shpallur nga Ministria e Kulturës. Nga të katër anët – dhe jo vetëm në teatër – kërkohen 4R: rinovime, risi, reforma, rilindje. Por nga cilët i presim? Kush do t’i realizojë dhe si? Këtë e di ekzekutivi i zgjedhur më 23 qershor, ose – për së paku – kështu shpresohet.

Deri më sot, përsa i përket kulturës, rinovimet (R1) janë parë dhe kanë të bëjnë ekskluzivisht me personat e zgjedhur në krye të institucioneve kombëtare më të rëndësishme, siç janë ata të Teatrit të Operas dhe Baletit, Muzeut Historik, Cirkut, Qendrës Kulturore për Fëmijë dhe Teatrit të Kukullave. Risitë (R2) do të shihen kur krerët e sapozgjedhur do të organizojnë eventet e para të institucioneve që drejtojnë. Reformat (R3) nuk dihen, sepse platformat e gjithsecilit prej këtyre të sapozgjedhurve janë të panjohura për publikun dhe dihen në detaje vetëm nga Ministria e Kulturës së cilës i falim mirëbesimin tonë. Por, në përzgjedhjen e krerëve të porsazgjedhur, është për tu vënë re diçka interesante dhe problematike: asnjëri prej tyre nuk ka një formim studimor në menaxhim arti, edhe pse kërkohej specifikisht në thirrjet e konkurseve ministrore. Si rrjedhojë, gjenerohen dyshime mbi qëndrushmërinë e reformave që mendohet të ndërmarrin drejtorët e rinj. Kam përshtypjen se strukturat menaxheriale nuk improvizohen; për to duhet – dhe na kërkohet nga partnerët evropianë – profesionalizëm. E thoshte edhe Andy Eagle, konsulenti uellsian i British Council, njëzëri me Ministren M. Kumbaro-Furxhi, një muaj më parë. Së fundmi, rilindja (R4) supozohet të na materializohet në fund të mandatit të ekzekutivit Rama.

Deri këtu logjika dhe mirëbesimi (shprehja e mirëmenduesve “lërini të punojnë”) i japin një vazhdimësi dhe koherencë zgjedhjes së shqiptarëve më 23 qershor. Kjo koherencë vlen edhe për përzgjedhjen e kreut të Teatrit Kombëtar. Dhe këtu artikulli mund të mbyllej. Por duke qenë se mbi teatrin jam interesuar vazhdimisht dhe mbi historikun e dinamikave politike të ndërmarra në vite mbi këtë institucion jam i informuar, nuk më duket e mjaftueshme kjo logjikë dhe ky mirëbesim. Personalisht nuk më mjafton logjika e mirëmenduesve. Unë di dhe kujtoj – për publikun që pa dashje e ka harruar – se refreni i 4R-ve në teatër është konsumuar prej vitesh: mjafton për këtë t’i hedhim një sy shkrimeve të Mihal Luarasit në “Teatri Kombëtar në udhëkryq” që datojnë vitet 1999, 2000, 2001; pra thuajse mbi një dekadë më parë.

Duke qenë se z. Luarasi e shoh si njeriun e vetëm në Shqipëri që mbi lëmën teatrore flet me koherencë mbi konceptin e profesionit të tij dhe idesë së Teatrit Kombëtar (pëlqehet apo jo, kjo nuk më intereson; më mjafton koherenca sepse tregon sistematikë pune dhe njohuri shkollore dhe eksperiencë direkte mbi të) nuk po i përsëris problemet që ka shtruar. Gjithkush – nëse i interesuar – mund të lexojë dhe konstatojë personalisht që ato mbeten qartësisht të njëjtët, që prej botimit të shkrimeve të tij. Nëse lexohen këto shkrime jam i bindur se vështirë do të besojmë akoma në retorikën e 4R dhe të jemi ende mirëmendues. Problemet e dekadave të shkuara ripërsëriten në Teatër, dhe më shumë se në një “udhëkryq”, siç thotë prof. Luarasi, duket se Teatri Kombëtar vazhdon e vërtitet në një rrethrrotullim duke bërë të vjellin ata që janë brenda dhe ata që janë jashtë (të gjithë duan reforma, siç u tha më sipër, brenda e jashtë TK), të cilët shohin këtë makinë të çmendur pa shofer ose me shofer të alkoolizuar që s’di ç’rrugë të marrë prej dekadash. Teatri nga kjo situatë nuk përfiton asgjë përveç moçalishtes aktuale; përfitojnë vetëm pushtetarët e rradhës dhe kolonia parazitare me të cilën qarkohen, të cilët s’kanë të nginjur me mjeljen e këtij institucioni-“lopë publike” të quajtur TK.

Për të mos e lënë topin ekskluzivisht në duar e politikës do të doja të shtroja një argument për të bërë një hap përpara, drejt daljes prej rrethrrotullimit marramendës.

Mihal Luarasi në shkrimet e tij, edhe pse jep drejtime dhe ide të qarta mbi perspektivat e mundëshme të TK (por pa dhënë një platformë menaxheriale, me sa di unë), nuk ka përmendur fatkeqësisht një argument të thjeshtë por bazik: mënyrën e përzgjedhjes së kreut të këtij institucioni. Duke qenë se përzgjedhja është edhe akti themeltar i fillimit të punës së mbarë dhe i 4R-ve të dëshiruara prej të gjithëve, marr përsipër të shtoj disa gjëra të vogla por të domosdoshme mbi këtë argument.

Duke qenë se për institucionet e tjera kombëtare të kulturës zëra koridoresh kishin “profetizuar” emrat e drejtorëve (përpikmërisht të gjetur) disa javë, për të mos thënë muaj, përpara shpalljes publike, dhe duke qenë se e njëjta gjë po ndodh edhe për TK, do të ishte mirë që përzgjedhja të bëhej me një konkurs publik real. Do të sygjeroja që, për njohuri publike dhe eleminim dyshimesh mbi dallavere të brendëshme ministrore, të viheshin në dispozicion – on line në sitin e Ministrisë ditën e mbylljes së aplikimeve – platformat dhe dosjet e secilit konkurues për tu krahasuar midis njëra tjetrës prej gjithkujt, dhe për të parë përputhshmëritë me kriteret e kërkuara nga Ministria. Kështu, kam përshtypjen, papagajtë që fryjnë duke ledhatuar veshët e politikës do të dalin zbuluar. Pas kësaj konkuruesit do të mbronin dhe shpalosnin (me pyetje/përgjigje prej ekspertëve) platformat/dosjet e tyre përpara një jurie ekspertësh të artit teatror dhe menaxhimit të teatrit ditën e konkurimit të hapur për publikun. Do të ishte mirë të jepeshin edhe referencat bibliografike të përdorura prej konkuruesve – për të eleminuar dyshimet mbi plagjatura të rëndomta të shitura për gjetje origjinale – të cilat mund të verifikohen direkt on line nga juria, meqë tashmë thuajse gjithçka është e përftueshme në rrjetin internet.

Duke thënë këto gjëra më duket vetja sikur po shpik ujin e ngrohtë, më duket sikur po bëj pedagogji apo alfabetizim të rëndomtë. Ç’ka u tha më lart është thjeshtë proçedura normale e një konkursi publik në vendet evropiane. Por më mirë të akuzohem për pedagogjizëm dhe alfabetizim të rëndomtë sesa për menefregizëm. Personalisht nuk kam asnjë dëshirë ta shoh TK të gozhduar në kryq, por në udhë, për të luajtur me titullin e Mihal Luarasit. Sepse kjo është perspektiva që i paraqitet në të ardhmen e shpejtë: o merren vendime për të formuar një strukturë të qëndrueshme dhe efikase, ose do të humbasim përgjithmonë Teatrin, artin e parë të institucionalizur në Shqipëri (1945) dhe për koinçidencë, por jo rastësisht, në Evropë (arti i parë i institucionalizuar në kulturën evropiane është teatri i athinasve të lashtë). Këtë specifikim të fundit e them duke nënvizuar in primis përgjegjësinë e qeverisë Rama, Ministrisë së Kulturës dhe personalisht të znj. Kumbaro-Furxhi. Këto ditë, me vendimin që do të marrin, ata kanë mundësinë të tregojnë evropianizimin e tyre. Nuk na mbetet veçse të presim.

P.S. Personalisht do të publikoj platformën/dosjen time ditën e përfundimit të aplikimeve në http://www.aksrevista.wordpress.com hapësirë të cilën ja ofroj falas edhe Ministrisë së Kulturës për të publikuar dosjet e konkuruesve të tjerë, duke i garantuar privatësinë e të dhënave personale, nëse Ministria në fjalë nuk ka ende një sit interneti për një shërbim të tillë publik.

Një mendim mbi “Teatri Kombëtar në udhë ose në kryq: çështje evropianizimi. Romeo Kodra (Gazeta Shqiptare, 20/12/2013)

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s