Claudio Magris në Shqipëri.

Prej dy ditësh ndodhet në Tiranë për prezantimin e dy librave të tij – “Udhëtim pa mbarim” dhe “Mikrokozmose” – Claudio Magris. Kritikun italian e ndoqa në lectio magistralis-in e tij në Universitetin Shtetëror dhe në konferencën e prezantimit të librave në bibliotekën e Institutit Italian të Kulturës.

Nuk e di përse, por prisja diçka të jashtëzakonshme prej disa javësh, që kur mora vesh mbërritjen e shkrimtarit. Siç ndodh shpesh, pritshmëritë e jashtëzakonshme janë dështime po aq të jashtëzakonshme.

Kisha një ndjenjë mirënjohjeje dhe respekti për prof. Magris-in duke qenë se është i pari që bëri të njohur në Itali – me organizimin e një konference ndërkombëtare, që më 1977 – një autor austriak për mua shumë të dashur, mbi të cilin jam diplomuar: Thomas Bernhard. Përveç se për Bernhard-in, puna e Claudio Magris-it ka qenë një orientim themeltar për mua në lëximin, rrokjen dhe kuptimin e kulturës mittelevropiane në përgjithësi siç janë Musil, Joseph Roth, Kafka, Krauss, Danubi, Perandoria Habsburgase, etj.. Sëfundmi, konsiderata ime për shkrimtarin italian arriti një lloj niveli – thuajse sublim – kur vura re që trajtimi i hapësirës së shkrimit bëhej në një mënyrë thuajse teatrore.

Këtë hapësirë teatrore të shkrimit, Claudio Magris shkon dhe e rrëmon “përtej” kufijve (gjeografik, sociologjik, psikologjik, politik, njerëzor), duke qenë vetë ai njeri i kufirit (lindur në Trieste …qytet kufitar). Këtë hapësirë që ai gjen në “udhëtimet përtej”, thuajse një nomad bashkëkohor, në sytë e mi nuk ishte e nuk është shndërruar kurrë në një vend, për faktin e thjeshtë sepse autori nuk është ndalur kurrë, nuk është kurrë interesuar të përvetësojë/kolonizojë këtë hapësirë të zbuluar; njësoj siç ngjet në teatër ku çdo vend është një jo-vend, fiktiv. Hapësira e këtij autori nuk kristalizohet në gjeografi sepse është një hapësirë magmatike, në evoluim të vazhdueshëm. Magris shpërhapet në pafundësi, në ekspansion të vazhdueshëm, në liri të plotë. Dhe është kjo liri që më tërheq prej veprës së tij. Deri sa mbërriti në Tiranë.

Këtu, në Shqipëri, zbulova një tjetër Magris. Zbulova një ‘mirëmendimtar’ (shih 1984 – Orwell për kuptimin) që shkon tek Fabio Fazio (Adi Krasta italian, për ata që nuk e njohin) si një figurant që shpërndan pilulat e kulturës, zbulova atë që pranon kompromiset me mjetin televiziv, atë që nuk ve në diskutim të qenurit e tij Autoritet në lëmën që trajton, dhe që përcjell e ushtron Autoritarizëm kur lihet me qejf e dëshirë të (sh)përdorohet nga Tjetri[1]: Tjetri i masmedias apo edhe thjeshtë ai i Instituteve Italiane të Kulturës nëpër botë, që propagandojnë Bashkimin Evropian “bashkimi i parë i bërë pa luftë dhe në të cilin duhet besuar” siç thotë ai.

Këtë Bashkim, personalisht nuk do e shihja aq “politically correct”, nuk do e shihja si një ndërmarrje që di të menaxhojë dhe të menaxhohet në mënyrë perfekte, thuajse eko-logjike, dhe që i propozon botës modelin e tij perfekt. Natyrisht, nga ana tjetër kemi modelet made in USA: shih nën zërin “Irak” ose “Afganistan”, për sqarime të mëtejshme; ish-KGB: shih nën zërin “Putin” dhe “Ukraina”; apo një skllavëri të re në salcë kineze: mjafton të shihen kushtet e punës dhe skenaret apokaliptike që po “zbulohen sëfundmi”[2] në Itali, edhe se – si gjithmonë – njiheshin, por bëhej sikur nuk shiheshin. Dhe kjo e fundit është një dukuri jo italiane, por tërësisht evropiane: deri sa ka interesa në lojë bëhet sikur nuk njihen kushtet; sapo zbulohet diçka menjëherë mbahen distancat për të shpëtuar fytyrën e qelibartë.

Kështu edhe Claudio Magris (bën sukur?) nuk ve re – duke ardhur në një vend vite dritë larg nga pikëpamja intelektuale (mjafton të mendojmë që në Shqipëri nuk janë përkthyer ende Bachtin, Barthes, Eco – vepra semiologjike – Derrida, etj. për t’iu mbajtur vetëm lëmës së kritikës së tekstit letrar) dhe politike (mbi demokracinë shqiptare nuk besoj se më duhet të zgjatem dhe të bëj krahasime me realitete të tjera evropiane) – që nuk është shenjë e mirë vajtja dhe shërbesa (me një intervistë eksklusive) në emisionin televisiv të bashkëshortit të Ministres së Kulturës, e për më shumë, në një kanal tv privat. Nuk ve re që Shqipëria është në miniaturë  një lloj “fshati global” (terminologji për të e “dyshimtë” sepse beson që “bota është shumë e ndryshme nga pikëpamja kulturore”) që sintetizon në vetvete “të kamur si Claudio Magris dhe favelat brasiliane”. Nuk ve re sepse – siç thotë dhe kupton më se miri edhe ai vetë – i privilegjuar në xhirot e tij në Tiranën “upper class” që economikisht është vite dritë larg nga nënbota e bregut të Lumit të Tiranës që ndodhet në një distancë jo më të madhe se 1 kilometër në vijë ajrore nga qendra e frekuentuar prej tij këto ditë.

Në Shqipëri këto gjëra vihen re, vihen re në rradhë të parë, sepse vizionet që perspektivat e aleatëve të radhës rusë, kinezë, amerikanë apo evropianë janë për ne – qartësisht – zgjedhje-jo-zgjedhje; së dyti, sepse duke qenë historikisht MBI “perden e hekurt”, madje mbi telin me gjemba që na përshkon mishrat, i ndjejmë dhe shohim në pozicionin e privilegjuar të rradhë së parë. E me sa di unë, vizionet tona të së sotmes – mbi “të kamurit si Claudio Magris dhe favelat braziliane” – do të jenë ato të Evropës të së nesërmes, falë ideologjisë masmediatike të indiferencës që fshihet nën maskën e politically correct. Kjo – ne shqiptarëve – na përafron shumë me atë ndjenjë të “finis Austriae” roth-iane që prof. Magris njeh shumë mirë, atë ndjenjë (kafkiane gjithashtu) të të qenurit të zënë në grackë brenda ingranazhit të pushtetit të padukshëm që na mbikëqyr të gjithëve pa asnjë mundësi shpëtimi: deri në fund.

Ambivalenca e të thënit, e diskurit, e fjalës së prof. Magris ndihet që kur flet për një “shkrim ditor (etiko-politik, racional)” dhe një tjetër “nokturn (narrativ, jo-racional, alternativ, teatror)” dhe që përputh të dyja këto si të mos kish një skizofreni të pandreqshme (në më të mirën e rasteve) ose oportunizëm intelektualistik në këtë sintetizim. Me sa duket atij nuk i ka shërbyer aventura politike (ka qenë senator në vitet ’90, për ata që nuk e kanë njohur më parë) për të kuptuar lojën e madhe të pushtetit tëhuajzues dhe të tëhuajzuar që bie ndesh me etikën e të qenurit artist; nokturn siç u tha, i mugët dhe i papërcaktueshëm (caku është kufi, apo jo?), i munguar vetvetes dhe  – mbi të gjitha – i ndërgjegjshëm për këtë (“Mitteleuropian mund të jesh vetëm me heqje” thosh Musil, meqë ra fjala). Madje, e shoh si degraduese për veprën dhe personin e tij këtë dëshirë për të justifikuar me çdo kusht të pajustifikueshmen: Politika dhe Arti[3] nuk shkojnë, nuk kanë shkuar kurrë dhe as do të shkojnë nën të njëjtët çarçafë. E këtë e nënvizoj duke ditur që në Shqipëri kemi një Kryeministër ish-artist me shumë “artistë” që i xhirojnë përreth për të lypur favorizime apo përlarë tituj. Prandaj të shohësh një emër si ai i Claudio Magris-it të prekë këto limite të ulëta të ndershmërisë intelektuale duke u kompromentuar me “politikëra” por-evropiane dhe masmediake nuk i bën nder as atij dhe as atyre që dëshmojnë dashje-pa-dashje këtë degradim.


[1]    http://www.youtube.com/watch?v=FCMlx0pkiOM Duket sikur Pasolini i 40 viteve me pare ka kaluar dhe eshte fshire nga koha.

[3]   “Kurajoja intelektuale e se vertetes dhe praktika politike jane dy gjera te paperputhshme” thosh ende P.P.Pasolini dhe Arti nenkupton detyrimisht kete kurajo intelektuale.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s