“Pietà” e Kim Ki-duk. Vizione jashtëkohore nga Vasil Etiko.

Në dramën e Jean Paul Sartre-it “Me dyer të mbyllura” një nga tre personazhet kryesorë, Garcin, hyn në një ferr të mobiluar si një dhomë të shekullit XIX dhe pyet: “Ku janë mjetet e torturës?”. Pyetja shkakton të qeshura tek gardiani i ferrit i cili njeh të vërtetën që tre personazhet kryesorë do ta kuptojnë më vonë: mjetet e torturës janë të panevojshme sepse mekanizmat e duhura për të torturuar veten dhe të tjerët janë brenda nesh.

Në filmin “Pietà” të Kim Ki-duk, mjetet e torturës ekzistojnë si në dukje ashtu edhe në brendësi. Mekanizmat e brendshëm përkojnë me ata të jashtëm në intensitetin dhe pakalueshmërinë e dhimbjes që krijojnë. Për këtë Seoul-i i Kim Ki-duk-ut është një ferr i vërtetë, një ferr industrial. Qyteti, përveç fasadës “normale” – që shfaqet veçse një here, kur personazhi Kang-do shëtit me “mamanë e tij të huazuar” (Mi-sun) -, shfaqet në varfërinë e tij metalike më absolute, industrial dhe me biznese të dështuara familjare, të shtypura në periferitë e tij.

Në këto periferi ftohtësia metalike e makinerive përcakton fatin e personave. Me këto makineri Kang-do – i cili punon për një shoqëri financiare që jep kredi me interesa të lartë – gjymton përdoruesit e tyre për qëllimin kryesor që është  shlyerja e borxhit. Është me makinat, të cilat punëtorët supozohen të zotërojnë, që Kang-do arrin shlyerjen e borxhit, duke marrë lekët e sigurimit të punëtorëve tashmë të sakatosur.

Dhimbja, fizike (prerje duarsh, rrahje, etj.) dhe emocionale (poshtërim i punëtorëve përpara familjarëve të tyre), është e shkaktuar nga vartësia ndaj parave. Të gjithë, të torturuarit apo të vetëvrarët nga borxhi i pashlyeshëm, punojnë me pjesëtarë të familjes dhe janë përfaqësues të biznesit të vogël që regjisori i prezanton si të dështuar dhe të margjinalizuar. Prindërit, gratë, fëmijët janë në vartësi ekskluzive të parasë që – siç thotë Mi-sun – “janë fillimi dhe fundi i gjithçkaje”;  fillimi i çdo dëshire dhe fundi – si qëllim, por edhe si shkatërrim i jashtëm dhe i brendshëm – i qenieve njerëzore.

Paratë dhe makineritë, përveç dhimbjes fizike, janë origjina  e një cikli dhimbjesh shpirtërore, humbje dinjiteti dhe hakmarrje. Kang-do – vegla e një sistemi – jo vetëm merr paratë dhe gjymton viktimat, por edhe i poshtëron. Megjithëse ky rol i Kang-do-së prezantohet në një pamje të parë si pushtet absolut, në përfundim të filmit bëhet e qartë që çdo element i tij – vetmia, mungesa e familjes, ftohtësia e tij e shkaktuar nga kjo mungesë – mbart dobësinë/mospraninë e ndjenjave themelore njerëzore të cilat mundësojnë përdorueshmërinë e Kang-do-së si një vegël perfekte në gjymtimin/eliminimin e viktimave, në krijimin e zëvendësuesve të tij të ardhshëm dhe në veteliminim si pjesë sistemike e natyrshme dhe e detyrueshme.

Në një skenë, e cila ilustron këtë cikël, një fëmijë i vogël godet Kang-do-në me një stilolaps për të marrë hakun e të atit tashmë të sakatosur. Terreni është gati për një zëvendësim të ardhshëm të Kang-do-së. Në një rast tjetër, gruaja e një viktime të rradhës ofron vetveten për të shpëtuar burrin e saj dhe, si rrjedhojë, biznesin, por nuk arrin asgjë: i shoqi gjymtohet dhe ajo e dorëzon më kot dinjitetin. Por, Kang-do vetëvritet nën rrotat e makinës së saj në fund të filmit. Fatkeqësisht, kuptimi është thjesht ndërgjegjësimi i Kang-do-së për rolin e tij si pjesë e një cikli.

Ky akt në mbyllje të filmit shpjegon pjesërisht titullin dhe afron – nëpërmjet një krahasimi tërësisht të përmbysur – Kang-do-në dhe Mi-sun-in me Jezusin dhe Marinë (Maria/Mi-su vajton mbi të birin ende të gjallë por të parikuperueshëm i cili nga nga ana e tij lutet për jetën e Marisë/Mi-sun duke kujtuar se jeta e saj kërcënohet nga një pengmarrës … por është një trill i Marisë/Mi-sun që do të shohë të birin të rikuperuar prej së keqes).

Vetësakrifica e Kang-do-së (ashtu si ajo e Mi-sun-it dhe të gjithë huamarrësve të sakatosur) është kritika më e ashpër e zbrazëtisë së botës moderne. Sakrifica ka humbur qëllimin e saj origjinal; diçka sakrifikohet, jepet nga vetja, për të siguruar një të mirë në këmbim, një shpëtim, një rikuperim apo rihabilitim. Në këtë rast sakrifica nuk prodhon asgjë, ajo është thjesht pjesë e shkatërrimit makinik të parasë. Kang-do veteliminohet për të krijuar vend për “mish të ri/fresh meat”.

Një mendim mbi ““Pietà” e Kim Ki-duk. Vizione jashtëkohore nga Vasil Etiko.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s