MBI “POLIFONI PA FUSTANELLË” (Romeo Kodra)

Të premten e shkuar në Black Box të Universitetit të Arteve u organizuar një takim me psikanalistin Sergio Caretto të titulluar “Polifoni pa fustanellë”. Pjesëmarrës ishin përveç Sergio-s, Jolka Nathanaili-Penotet, Matilda Odobashi dhe i nënshkruari. Nuk e di ç’u ka mbetur të pranishmëve nga ky takim, por shpresoj që për së paku tendenca polifonike e diskurit të ketë dalë e qartë.

Personalisht mora pjesë duke lexuar një tekst të publikuar edhe në aksrevista.wordpress.com, dhe pikërisht me “Praktika skizogjene dhe proksemia e hapësirës: ‘Blloku’ i Tiranës”. Ky tekst është pjesë e një studimi më të gjerë që i përket interesit tim primar: teatrit, në kuptimin e tij më të gjerë; që nga trupi i aktorit, fjala e deri tek hapësira performative. Teksti i prezantuar në “Polifoni pa fustanellë” është një trajtesë mbi hapësirën konkrete, dhe më specifikisht mbi një hapësirë të përshenjuar dhe përshenjuese: Bllokun.

Më nevojitet në këtë pikë të shpjegoj ç’është ‘përshenjimi’ si term. Për ta bërë të qartë nevojitet një impostim, një pozicionim teatror karshi fjalës. ‘Shenjimi’ konkret, si akt specifik, është diçka, ndërsa ‘përshenjimi’ është diçka tjetër. Ky i fundit është akti dytësor, akti ripërsëritës i ‘shenjimit’, është akti i vlefshëm ‘për të shenjuar’ diçka, është në një farë mënyre akti teatror i aktit ‘shenjues’ primar apo simptoma e një shenjimi real.

Pse e bëj këtë? Pse ky shpjegim? Së pari, për të thënë se nuk është gjë tjetër veçse konfermimi i pozicionimit lakanian mbi përparësinë e gjuhës karshi subjektit: ne vijmë në jetë të zhytur në gjuhë; vijmë në jetë falë gjuhës; ekzistojmë fillimisht në projektet e prindërve tanë siç kanë ardhur ata vetë falë gjyshërve, e kështu me rradhë që nga terri i kohërave. Së dyti, për të vënë pikat mbi ‘i’ rreth konceptit të përshenjuar dhe përshenjues “BLLOK”; sepse koncept është tashmë. Ky koncept nuk erdhi me mbretin Zog, as me fashizmin, as me enverizmin dhe as me bllokmenët e rinj. Ky koncept është i ndërthurur me dëshirën e pavetëdijshme të qenies njerëzore, në tendëncën natyrore të ‘sintezave pasive’ deleuze-iane. Tek të gjithë, pa përjashtim, ekziston tendenca e ndërsjelltë e përshenjimit makinik dhe mekanik me territorin, dhe si rrjedhojë është e kotë dhe e shterpë tendenca e kërkimit të përshenjuesit të parë, fajtorit të parë arkaik (shpresoj që të mos keqkuptohem: nuk po them që gjithçka është e justifikueshme dhe të gjithë janë të pafajshëm). Kështuqë duhet hulumtuar dhe kuptuar proçesi i territorializimit (Deleuze), përndryshe jemi të destinuar të ndjekim – si ai gomari karrotën që ka të lidhur pas shpine – copa, thërrime, fragmente të reales që na përpin parreshtur brenda vetes.

‘900-a e dy Luftrave Botërore shfaqi haptazi një subjekt autoritar të thërmuar, të coptuar, të shkërmoqur. Foucault rreth këtij subjekti teorizon figurën e autorit – dhe rrjedhimisht të të gjithë qarkut semantik të ‘auctoritas’ – si instrumental karshi diskurit, si sintetizues i pluridiskureve qarkulluese. Për Roland Barthes “autori është i vdekur”, rëndësi për të ka teksti si (ndër)thurje tekstile, i vetmi locus vital gjenerator dhe indikator jete.

“Polifoni pa fustanellë” nga kjo pikëpamje ishte thurje e shumzërëshit të lektorëve dhe publikut (folësve) të pranishëm, ku gjithsecili vinte në diskutim dhe denonconte (në kuptimin e vërtetë të fjalës) autoritetin e tij (auctoritas) në mënyrë të vetëdijshme. Diskuret tona (të lektorëve/folësve) specifike ishin fragmente të një realiteti personal, fragmente realitetesh përkatëse të autorëve (auctoritas), realitete që ne (në vetë të parë) performojmë/jetojmë. Nuk ka dyshim që realiteti im personal është një diskur i mbyllur si një bllok hermetik për të tjerët rreth meje, është për ta një realitet i vdekur dhe pa akses. “Nuk ka komunikim” thoshin Sergio dhe Jolka duke përmendur Lacan-in. Vetëm në momentin kur zërat ndërthuren (polifonia) diçka mbetet. Kjo mbetje është diferenca, ndryshueshmëria midis diskureve.

Diferenca që shfaqet vetvetiu nga ballafaqimi i diskureve tona, njësoj sikur të kishte një jetë të vetën, tregon në mënyrë simptomatike edhe mungesën tonë të kontrollit mbi diskuret që teorikisht na përkasin (edhe një herë: është gjuha që na flet!). Jemi pra, përpara një mungese që përmblidhet apo konsiston në mungesën e vetndërgjegjësimit rreth saj (Nuk duhet ngatërruar kjo mungesë me mangësinë tonë fizio-biologjike; diskuri im nuk rreh rreth nikilizmit, kështuqë është mëse e qartë që këtë mungesë e shoh si të kapshme dhe kuptueshme).

Një pyetje rreth ndërhyrjes sime që kish të bënte me argumentimin e mbështetur në etimologjinë çabejane të termit ‘bllok’ – që koinçidon thuajse në mënyrë aksiomatike me funksionin e sintezave pasive deleuze-iane – mu duk si një rast emblematik për të nënvijëzuar edhe një herë nevojshmërinë e vetndërgjegjësimit mbi diskurin apo fjalën si mungesë. Shpesh herë thuhet se jemi tepër mbrapa nga pikëpamja e stabilizimit gjuhësor të studimeve filozofike dhe si rrjedhojë të shumë fushave të tjera që me filozofinë kanë të bëjnë. Atëherë, pse duhet t’më duket si spekulativ argumentimi kur mbështetem në një etimologji të gjuhës sime amtare? Pastaj, mos ndoshta gjuha ime amtare nuk është gjuhë autoritare (auctoritas) në filozofi? Nuk është se më intereson t’i jap autoritetin që i takon gjuhës sonë në fushën e filozofisë apo në ndonjë fushë tjetër; nuk kam tendenca rilindase (“Polifoni pa fustanellë” duhet kuptuar edhe si “Polifoni pa folklor” … është abuzuar së tepërmi me folklorin shqiptar sa na u duk tërësisht e panevojshme t’i mëshonim edhe më tej këtij argumenti ekzotik). Gjuha dhe auctoritas janë një. Kush flet është autoritar sepse autoriteti/gjuha na flet.

Interesi im primar pra, është të bëj një hap përtej tendencave anakronike rilindase, është të ndjek shpalosjen e instancave të autoritetit nëpërmjet gjuhës in toto, në teatër dhe – në rastin konkret të çështjes ‘blloku’ – interesi im qëndron pikërisht tek autoriteti dhe qerthulli i menaxhimit të territorit të tij. Në këtë qerthull natyrisht që formohen subjekte, por janë subjekte që ripërsërisin parreshtur dhe të përpjestuar në fragmente minore subjektet zogiste-fashiste-enveriste-bllokmene.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s