ME DYER TË MBYLLURA: TOPITJE AD LIBITUM (Romeo Kodra nga Gazeta Shqiptare 17 Nentor 2013)

   Bukuria delikate e Eni Janit e bën në të njëjtën kohë edhe simpatike. Ta kritikosh është si rrjedhojë thuajse e pamundur. Që në fillim më duhet të bëj një “mea culpa, mea maxima culpa!” përpara admiruesve të saj dhe të guxoj një kritikë punës së saj sartriane “Me dyer të mbyllura” të cilën e kishte zgjedhur për debutimin në regji; jo sepse më pëlqen të gozhdojë debutantë, por më duhet të përdor këtë kritikë në mënyrë instrumentale drejt një diskuri më të gjerë të lëmës teatrore.

   Të premten, më 1 Nëntor, sapo hyra në sallën e Teatrit Kombëtar, një MAXI TV buçiste nga palku skenik. Mendova dhe shpresova – mëkot – se ishte një gjetje e regjizores. Por jo, ishte thjeshtë një kafshëri akustiko-publicitare prej sponsorit të ngjarjes artistike. Nuk di kush ka patur këtë ide gjeniale por me siguri ka qenë e dikujt që teatrin nuk e percepton jo vetëm si vend të shenjtë, por as të denjë për një respekt minimal. Nuk mjaftonte holli i TK-së? Duhet me patjetër të kthehej salla e TK në një nga sallat e rëndomta të kinemave të kryeqytetit? Një dreq e merr vesh se ç’pjella perverse do të nxjerrin edhe më këto mendje të ndritura të marketing-ut autokton.

   Gjithsesi MAXI TV-ja ripërsëriti ad libitum tre reklama që vazhduan deri në  orën 19.20, dmth. 20 minuta përtej orarit të fillimit të pjesës: e njëjta taktikë kafshërore-reklamizuese që rëndom i ofrohet publikut të kinemave … tashmë edhe në teatër. Publiku bombardohet njësoj në televizion, kinema dhe teatër me reklama të ripërsëritura deri në topitjen më absolute.

Për këtë topitje (nëpërmjet imazhit) flet edhe një vepër e Roland Barthes-it, “L’obvie es l’obtus”. Ky imazh topitës që s’ka të ngopur e të nginjur së ripërsërituri del jashtë çdo lloj mase, çdo lloj sensi, del jashtë shenjuesit të tij dhe tenton rendin e shenjuesshmërisë (Kristeva). Tenton trashjen, dendësinë e kuptimit, por e tejkalon duke përhumbur efektshmërinë me tepri. Është ky një imazh bulimik që nuk ngop me kuptim, por bukos, topit si çdo gjë tashmë në Shqipërinë bashkëkohore.

Edhe vepra e Eni Janit, aktorët e saj, thonë tepër, që në fillim, dhe nuk bëjnë tjetër veçse ripërsëriten gjatë gjithë pjesës teatrore. Që në fillim kuptohen karakteret e tyre, kuptohen personazhet; pra, nuk zhvillohen. Le të shohim se ç’thotë Sartre për këtë në “Qu’est-ce que la littérature?”:

“Teatri, një kohe, bëhej prej karaktereve: viheshin në skenë personazhe pak a shumë komplekse, por të plotë, dhe situata nuk kishte funksion tjetër veçse të ‘ballafaqonte’ këto karaktere duke demonstruar sesi gjithsecili prej tyre modifikohej nga veprimi i të tjerëve. Kam demonstruar tjetërkund si, prej pak kohësh, janë verifikuar në këtë fushë mutacione të rëndësishme: shumë autorë i kthehen teatrit të situatave. S’ka më karaktere: heronjtë […] janë të zënë në grackë, si të gjithë ne.”

Në një intervistë gazetarit Francis Jeanson, Sartre – mbi të njëjtin argument – shton:

“Duhen vënë në skenë situata të thjeshta dhe njerëzore dhe individë të lidhur me to … Teatri nuk mund të paraqesë asgjë më sygjestive se një karakter në ‘bërje e sipër’, dmth në momentin suprem të zgjedhjes dhe vendosmërisë së lirë që e angazhon për një jetë të tërë”.

Për të arritur në thelbin e konceptit teatror sartrian duhet kuptuar ç’është situata, ç’është aparati skenik, duhet kuptuar ç’janë masa, drejtpeshimi, besueshmëria regjizurale, aktoriale, skenografike. Dhe natyrisht kjo nuk arrihet të shpjegohet në pak rreshtat e një artikulli. Për këtë duhen studiuar regjizorët dhe teoricienët e ‘900: Stanislavskij, Artaud, Brecht, Grotowski, Peter Brook.

Eni Jani ka studiuar regjizurë, por për fatin e keq të saj e ka studiuar në Akademinë tonë të Arteve ku ka patur mundësinë të dëgjojë “akademikët” autoktonë që s’kanë denjuar të përkthejnë qoftë edhe një prej të sipërpërmendurve. Eni Jani ka rënë pre e papagallizmave akademike që ripërsëriten edhe këto në mënyrë bulimike që prej viteve ’40-’50 ku shquhen “zbërthimi i tekstit”, “ç’ka dashur të thotë autori” e “tërci e vërci” ad libitum. Përveç kësaj nëse i shtojmë efektshmërinë e potencialit spektakolarizues televiziv, tablloja e formimit regjizurial të Eni Janit kompletohet.

Por, siç thashë në fillim, si mund të kritikohet Eni Jani? Fundja ç’faj ka ajo se formuesit profesional të artit teatror dhe konteksti i saj janë rrënjësisht deformues. Madje është fat që ajo mbetet ende e bukur dhe delikate siç është; vetëm se nuk e di edhe për sa kohë do të jetë akoma. Konteksti, akademikët, sponsorizuesit, mediat, në pak fjalë deformuesit, do të vazhdojnë t’i thonë se përveç se e bukur është edhe e zonja si regjizore, dhe atëherë do të jetë e vështirë që pompoziteti banal të mos infektojë bukurinë dhe delikatesën e saj.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s