“SHAME” (TURPI, 2011) i Steve McQueen. Vizione jashtëkohore nga Vasil Etiko.

   Shumë artikuj mbi Shame të Steve McQueen e kategorizojnë filmin si një trajtim të temës së vartësisë ndaj seksit. Është ky një përshkrim i thjeshtuar dhe sipërfaqsor, një e “rënë shkurt”, tipike e shumicës së analizave, reçensioneve, përmbledhjeve. Në fakt, vartësia e protagonistit, Brandon, ndaj seksit është aq e theksuar dhe e dukshme sa duhet anashkaluar për të kuptuar më tepër. Seksi, në këtë film, përfaqëson diçka të ngjashme me drogën/ilaçet në Requiem for a Dream (Rekuiem për një ëndërr). Në mënyrë specifike droga ilaçet, alkoli përfaqësojnë rrugën e shkurtër drejt emocioneve; një rrugë e çliruar prej etapave rraskapitëse të vullnetit dhe kohës.

   Vartësia në Shame përdoret si rast ekstrem për të ilustruar problemet dhe mënyrën e jetesës së njeriut të sotëm. Kështu pra, Brandon përdor seksin për të evituar marrëdhënie më të vërteta, por dhe më të mundimshme, të cilat do të kërkonin investim, përgjegjësi, dhe si rrjedhojë mungesë rehatie. Ai është një përfaqësues i denjë i kohës sonë: me një jetë të dyfishtë, të vetmuar, por të struktuar si një rutinë e qartë, ai përdor seksin dhe pornografinë për t’i shpëtuar vetmisë pa sakrifikuar asgjë nga vetja.

   Filmi fillon me Brandon-in i cili është ngritur nga gjumi për të filluar ditën duke parë lart në tavan pa asnjë shprehje; as negative as pozitive. Vështrimi i tij është neutral, i pashpresë, nuk pret asgjë nga dita e re: një nënshtrim ndaj jetës më i frikshëm se dëshpërimi pasi nuk përmban asnjë emocion. Në fakt, ngjyra e çarçafëve (blu në gri) dhe e apartamentit (i bardhë, gri) përcjellin ndjesinë e diçaje të ftohtë, të pashpirt. Ndërkohë që Brandon fillon udhëtimin e tij në metro, në sfond dëgjohen rënkimet e një gruaje dhe prezantohet në copëza nata e një dite më parë e ndërthurur me mëngjesin. Nata e kaluar me një prostitute që e sheh me një lloj dëshire – por as të babëzitur as indiferente, pra neutrale – së cilës i jep direktiva si të zhvishet; mëngjesi i dedikuar masturbimit në dush; pasditja duke parë porno përpara kompjuterit.

   Ndërkohë që preokupimi i Brandon-it me seksin është i prezantuar që në minutat e para të fimit, është po aq e qartë që ka një lloj distance midis kënaqësisë që ai kërkon pa pushim dhe mungesës së emocionit në fytyrën e tij, e cila kryesisht duket e lodhur nga gjërat që ndodhin; ekzaktësisht siç priten të ndodhin.

   Rutina e vetmuar, por e krijuar, dhe rrjedhimisht e preferuar nga Brandon, ndërpritet nga ardhja e motrës së tij, Sissy, me të cilën Brandon ka një raport njëkohësisht të afërt dhe distant. Afërsia e tyre fizike është e dyshimtë – Sissy, për shembull , shfaqet komplet lakuriq para të vëllait; megjithatë e kaluara e tyre nuk diskutohet ose tregohet gjatë filmit. Të vetmet fjali mbi të shkuarën e përbashkët  që Sissy thotë dhe që nënkuptojnë një lloj traume janë: “Ne nuk jemi njerëz të këqinj. Vetëm vijmë nga diçka e keqe (from a bad place)”. Është e dukshme që Sissy këkon dashurinë dhe afrimitetin e të vëllait (në skenën e parë – ndërkohë që pret për Brandon-in – ajo po dëgjon një këngë refreni i së cilës përsërit frazën “I want your love”) edhe në mënyrë të tepruar në momente, por ai nuk mund t’i japi çfarë ajo kërkon. Ai nuk di si të reagojë ndaj emocioneve; ai e ka krijuar realitetin e tij; ka krijuar “burgun” (term i përdorur nga regjisori Steve McQueen për të përshkruar vartësinë e Brandon-it) e tij neutral, por të tejngopur me aktivitet fizik/seksual.

   Është e qartë që Brandon ndjen afërsi, keqardhje, ngrohtësi për të motrën; në fakt, çdo ndjenjë e tij e sinqertë është e referuar asaj. Në një nga skenat më prekëse të filmit, ai bashkë më shefin e tij dëgjon Sissy-n që këndon New York, New York në një pianobar. Skena është prekëse, shpreh natyrën emocionale dhe të brishtë, thuajse fëminore, të Sissy-t dhe mallëngjimin e Brandon-it i cili përlotet nga performanca – pra, ai nuk është monstër; diçka ndjen. Por nuk ka durim, nuk ka kohë, dhe as energji të mjaftueshme të jetë i përgjegjshëm për dikë tjetër. Më vonë, ftohtësisht, Brandon i thotë Sissy-t që ajo është një peshë për të, duke shfaqur paaftësinë e çdo marrdhënieje njerëzore; Sissy nuk është një vajzë në internet, nuk paguhet për të reaguar siç duhet.

   Problemi kryesor i Brandon është vlerësimi i gjërave konkrete dhe refuzimi i problemeve emocionale. Në dialogun e fundit me Sissy-n ai, i zemëruar, thotë që ajo duhet t’i tregojë gjërat me veprime, jo vetëm me fjalë. Dialogjet me Sissy-n gjithmonë rezultojnë në një çlirim fizik: zënie me të, seks, vrap. Bëhet e qartë se obsesioni i Brandon-it me seksin shërben si një kanalizim i devijuar i emocioneve të cilat ai nuk i përballon dot. Një rast i qartë është reagimi ndaj Sissy-t dhe shefit të tij të martuar që kryejnë marrëdhënie seksuale në apartamentin e Brendon-it. Natyrisht i acaruar dhe i sikletosur nga zhurmat dhe zërat e tyre, ai nuk përballet me ta, por fillon të vrapojë nëpër qytet. Kjo skenë në mënyrë indirekte shpjegon edhe më tej problemin e Brandon-it: i paaftë dhe pa dëshirë për të sqaruar problemet dhe marrëdhëniet me të tjerët verbalisht, ai i “bie shkurt” dhe zhvendos ndjenjat e tij në aktivitete fizike.

   Sekuenca e fundit ilustron qartësisht arratisjen e Brandon-it në seks; madje tregon se problemi emocional është në proporcion me përgjigjen fizike. Bëhet fjalë për zënien finale me Sissy-n dhe degjenerimin seksual që pason. Sissy kërkon që ata të ndihmojnë njëri tjetrin, të jenë të afërt. Brandon e sheh afërsinë emocionale dhe ndihmën e kërkuar si peshë; i zemëruar nga pesha, i “burgosur” nga nevoja e Sissy-t për të, ai e përzë.  Për t’i shpëtuar ndjenjave (faj, përgjegjësi, neveri, paaftësi për t’u marrë me dikë tjetër – të papërcaktuara ekzaktësisht si shumica e emocioneve në filmin e McQueen), ai zhytet në një shthurrje pa kufi (sekuenca përfshin seks oral nga një mashkull dhe një “threesome”). Përfshirja e episodit me mashkullin tregon që Brandon është përtej preferencave seksuale; ai do vetëm kënaqësi fizike (që sa më shumë përsëritet aq më pak mjafton dhe aq më ekstreme duhet të jetë), harrim nëpërmjet sfilitjes fizike dhe çlirim. Gjatë natës, Brandon ngjan gradualisht e më i dëshpëruar deri sa në episodin e fundit, në të cilin ai bën seks me dy femra, fytyra e tij duket e lodhur deri në shpërbërje. Qëllimi i seksit deri në çmenduri është një tendencë drejt fshirjes së vetevetes.

   Paralelisht, Sissy tenton të vetëvritet. Secili zgjedh metodën e vetë të shpëtimit.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s