“Melancholia” e Lars von Trier. Vizione jashtëkohore nga Vasil Etiko.

             “Melancholia” e Lars Von Trier eksploron disa aspekte të gjendjes së depresionit nëpërmjet metaforës së një planeti të quajtur Melancholia që pritet të përplaset me tokën. Është e qartë se Von Trier e ka përjetuar shpesh këtë gjendje të cilën ai e prezanton në mënyrë indirekte dhe poetike në film, pasi aty preken shumë elementë të gjendjes: pashmangshmërinë e saj me gjithë dëshirën e mirë për të qenë “normal” (Justine që përpiqet të martohet dhe Claire e bashkëshorti i saj, John, të cilët përfaqësojnë njerëzit normalë por që nuk i shmangen dot përplasjes me planetin/gjendjen që është më e fuqishme se ata), format e ndryshme (“zvarritjen” e Justine gjatë dasmës dhe ankthin e Claire në pjesën e dytë të filmit), simptomat (procesi i “shpërbërjes” së ngadaltë të Justine gjatë dasmës së saj), dhe reagimin ndaj gjendjes (pranim dhe rigjallërim, si në rastin e Justine e cila rifillon të jetojë me afrimin e Melancholia-s ose frikë dhe shmangie, si në rastin e Claire e cila fillon të humbasë mendjen kur ndjen ardhjen e planetit).

            Karakteri i Justine, motrës më të “vogël” në sensin e mënyrës së jetesës dhe reagimit ndaj përgjegjësive dhe normalitetit, përfaqëson aspektin më interesant të filmit; në mënyrë specifike, pamja/dukja e saj perfekte, përpjekja për t’u bërë pjesë e një jete normale (dasma dhe rrjedhimisht martesa si hap kritik i integrimit në botën adulte), dështimi dhe “shpërbërja” e saj gjatë këtij procesi, dhe rizgjimi në jetë në momentin që bota po shkatërrohet.

            Dasma e Justine përbën pjesën e parë të filmit e titulluar “Part One: Justine” e cila është tmerrësisht e bukur nga ana pamore; në fakt, në intervistën e regjisorit Von Trier nga Nils Thorsen të titulluar “Longing for the End of All” (Duke pritur/uruar për fundin e gjithçkaje) regjisori shpreh shqetësimin se filmi në pjesën e parë është vizualisht më i pësosur seç duhet. Dasma zhvillohet në një kështjelllë në Suedi dhe është e organizuar nga motra e Justine, Claire, dhe bashkëshorti i saj, John. Në të njëjtën intervistë Von Trier deklaron që Claire përfaqëson njeriun “normal,” sipas tij. Është e qartë nga sjellja e saj – përkujdesja e vazhdueshme për Justine, familja e saj perfekte në dukje – që Claire është e përshtatur me botën dhe rregullat e saj. Edhe emri i saj – që do të thotë “e qartë”, “me dritë” – është i lidhur me pjesën shpresëdhënëse të jetës dhe është një zgjedhje interesante sepse John, burri i saj “racional”, është stereotipi i pasardhësve të periudhës së Iluminizmit. Ai shpreh besim të plotë në rezultatet dhe parashikimet e shkencës (të cilat çojnë në konkluzionin që planetet nuk do të përplasen domethënë planeti Melancholia nuk do ta godasë por thjesht do të kalojë përpara tokës duke krijuar një pamje të mahnitshme) dhe vret veten kur e kupton që përplasja (e papritur dhe e pashpjegueshme shkencërisht) është e pashmangshme. Justine (e lidhur me “të drejtën” sepse ndër të tjera personazhi i saj përfaqëson edhe një version të Von Trier, siç shprehet ai në intervistën e lartpërmendur) përpiqet të bëhet pjesë e botës së Claire dhe John, por dështon që në momentin e hyrjes.

            Si paraqitet “shpërbërja” mendore/emocionale e Justine gjatë dasmës së saj dhe pse ndodh? Mbi vendimin e saj për t’u martuar, Von Trier shprehet se “Justine wants to end all silliness and anxiety and doubt” (Justine do t’i vërë fundin marrëzisë, ankthit dhe dyshimit), domethënë lë të kuptojë që Justine po përpiqet të largojë një pjesë të vetes duke kryer një ritual që do e drejtojë drejt normalitetit. Në fillim të pjesës së parë, çifti duket i lumtur, në pamje një çift ideal. Justine qesh dhe duket sikur është në një farë mënyre dhe më normale seç duhet (jo nervoze, llastohet, e pashqetësuar që është vonë për dasmën e saj, përshëndet kalin ndërkohë që e presin të ftuarit). Por shenjat e shkatërrimit gradual të sipërfaqjes perfekte, fillojnë të shfaqen shumë shpejt.

            Një nga episodet më interesante dhe domethënëse të filmit ndodh brenda 30 minutave të para: Justine largohet nga dasma e zhvilluar brenda kështjellës madhështore të mbushur me njerëz të veshur bukur, të qeshur në dukje, përfshirë këtu dhe Justine, e cila del jashtë në një qetësi absolute, ngre fustanin e mahnitshëm (fustanin e ëndrrave të çdo vajze për këto raste formale) dhe urinon duke parë nga qielli, duke parandjerë afërsinë e planetit. Pjesa më interesante e skenës është shprehja e fytrës së Justine, një shprehje që mund të përshkruhet vetëm si “longing” , njëkohësisht pritje dhe dëshirë. Fjala “longing” është e mbipërsëritur tek intervista e sipërpërmendur e Von Trier por shpreh saktësisht shprehjen dhe dëshirën e Justin-ës në këtë skenë dhe më tej. Veprimi i të urinuarit (një lloj çlirimi i natyrshëm) duke parë me dëshirë dhe kureshtje nga qielli tregon disa gjëra njëkohësisht: largimin nga mjedisi artificial (kështjella luksoze dhe njerëzit e lumtur në dukje) dhe ritualin, martesën, produktin përfundimtar artificial të shoqërisë, që do e shpëtojë nga dyshimi dhe do të shërbejë si një biletë hyrje në botën normale; dëshirën për diçka më vulgare dhe më të natyrshme (urinimin në bar, jashtë, ndërkohë që kështjella ka tualete); dhe një nga çastet e vetme në të cilat Justine duket se ndjen diçka.

           Duke parë qiellin, fytyra e Justine shpreh një lloj dëshire që përfshin edhe seksualen. Në fakt, momentet gjatë së cilave Justine sheh lart drejt qiellit, drejt Melancholia-s që afrohet gradualisht, janë të vetmet momente në të cilat Justine sheh me kënaqësi ose dëshirë diçka ose dikë. Në asnjë moment më normal nuk ekziston dëshirë nga ana e saj, as kur sheh burrin e saj të ardhshëm, as kur takon një djalë të ri me të cilin më vonë ajo kryen marrëdhënie seksuale në një tentativë të dëshpëruar për t’i shpëtuar “asgjësë” ose pafuqisë graduale që vjen duke u rritur gjatë dasmës. I njëjti kontrast midis natyrales (më të fortë) dhe artificiales (më të dobët) shprehet në një nga imazhet fillestare apokaliptike të filmit,në të cilin Justine e veshur si nuse përpiqet të vrapojë ndërkohë që tërhiqet mbrapsht dhe poshtë nga rrënjët e një peme. Qartësisht, fustani gati prej kukulle i Justine krijon kontrast me rrënjët që e pengojnë të vazhdojë përpara.    

            Për dasmën e Justine, Von Trier shprehet se është “her last attempt to fight her way back into life instead of longing herself out of it” (tentative e saj e fundit për të luftuar për rikthimin në jetë në vend që të dëshirojë/urojë të dali jashtë saj). Në fakt, gjatë dasmës, Justine është më e vdekur se kurrë, humb fuqinë (literalisht) në çdo hap: në një moment, atë e zë gjumi ndërkohë që të ftuarit vazhdojnë të festojnë dasmën e saj. Dasma anullohet ndërkohë që bëhet gradualisht e më e qartë se Justine nuk po e përballon mire. Pas saj Justine zhytet totalisht në depresionin që po përpiqej të shmangte pikërisht nëpërmjet dasmës/martesës.

             Por, me afrimin e planetit Melancholia që supozohet do të shkatërrojë botën, ajo fillon të ringjallet në një lloj sensi; i rikthehet oreksi, fillon të ndjejë kënaqësi. Dëshira, e cila ndihet vetëm në episodin e urinës, bëhet e qartë në pjesën e dytë (“Claire”) ku Claire sheh Justine-ën të shtrirë lakuriq jashtë duke parë planetin. Duke parë dhe ndjerë shkatërrimin, Justine-ës i rikthehet dëshira për jetën (paradoksale sepse ajo e di që bota, përfshirë dhe vetë atë, do të shkatërrohet).  

            Pse i rikthehet Justine-s dëshira për të jetuar ndërkohë që planeti afrohet për t’a shkatërruar?  Sepse, thotë Von Trier, Justine është një person melankolik dhe ritualet i duken boshe; “she is longing for something of true value; and true value entails suffering” (ajo dëshiron diçka me vlerë të vërtetë; dhe vlera e vërtetë përfshin vuajtjen). Fuqia që i zhduket gjatë dasmës sinjalizon jo mungesën e dëshirës për të jetuar, por të kundërtën, dëshirë për të jetuar më shumë seç duhet, për të përjetuar më shumë seç konsiderohet normale. Në fund të fundit, edhe dëshira e saj është e drejtuar drejt një planeti të madh, shkatërrues, jo drejt një njeriu, burrit të saj të ardhshëm që në pamje dhe sjellje është imazhi perfekt i një “princi të kaltër”.

            Si person që vuan vetë nga depresioni, është e qartë që Von Trier simpatizon me Justine dhe favorizon personat që vuajnë nga kjo gjendje, të cilët sipas tij ndjejnë, duan, dhe kuptojnë më shumë. Justine, në pjesën e dytë, i shpjegon motrës së saj më normale, por që shpërbehet me afrimin e planetit, se ajo “kupton” gjëra të paditura nga të tjerët si p.sh. që ne jemi vetëm në univers.

            Ritualet, pra, nuk mjaftojnë për njerëz si Justine. Vetëm në një situatë jetë a vdekje (dhe vdekje realisht) në të cilët ndjenjat dhe reagimet bazike rizgjohen, mund të ndjehet Justine e gjallë.  Ajo nuk arrin t’a gënjejë dot veten dhe në fakt ky lloj interpretimi i njerëzve melankolikë – pikërisht të tillë nga dëshira më e madhe për eksperienca të vërteta, të fuqishme, të natyrshme, të nxitura me shumë nga instinktet sesa prej detyrimeve shoqërore – është një interpretim i njohur në letërsi. Justine gjatë dasmës, e shuar dhe pa fuqi, në arratisjet e shkurtra për të parë qiellin me “longing” më kujtojnë menjëherë poezinë e Rilkes “Pantera”, gjatë së cilës poeti përshkruan një panterë të zbutur brenda një kafazi që sheh vetëm hekurat e kafazit dhe asgjë përtej tyre, përveçse në momentet kur instikti parpitmas dhe pa arsye zgjohet dhe “an image enters in, rushes down through the tensed, arrested muscles” (një imazh futet, përshkon muskujt e tensionuar dhe të ngecur/pazhvilluar) dhe pastaj – duke mos pasur ku të shkojë – zhduket papritmas ashtu siç erdhi “plunges into the heart and is gone” (zhytet në zemër dhe pastaj zhduket).

            Në dëshirën e saj për të përjetuar më shumë seç mundet Justine, ose një karakter i tillë, përputhet me përshkrimin e Baudelaire-it (por pa pjesën kreative ose prodhuese në këtë film) nga Walter Benjamin  si një “melancholic above all whose gaze is fixed on the ideal” (melankolik mbi të gjitha, vështrimi i së cilit është i ngulur tek idealja). Portretizimi i Justine si përfaqsuesja e denjë e melankolikëve si lloj (megjithëse të gjithë “goditen” sipas Von Trier) i përmban të dyja këto aspekte: instiktin që mbyt dëshirën për t’u zbutur ose për t’u integruar mirë, dhe dëshirën e pamundur për të përjetuar idealen, të vërtetën. Megjithatë po të krahasohet me Claire (e cila është e trajtuar me një distance më të madhe nga regjisori, por me ngrohtësi gjithsesi) personazhi i Justine është edhe i parritur (aspekti i errët i të qenit idealist – i paformuar, i paguximshëm, i paaftë për t’u lidhur me gjërat dhe të tjerët). Filmi në fakt, ka kontrastin midis të kundërtave si bazë por, siç përmenda, ai përfshin shumë aspekte të cilat nuk mund të diskutohen të gjitha këtu.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s