Mbi intelektualët (Romeo Kodra)

Intelektuali ёshtё detyrimisht i angazhuar. Pa u stёrholluar nё kёrkime historiko-filozofike do tё mjaftonte fjala pёr ta vёrtetuar kёtё: prej intus “brenda” ose mё mirё, ìnter “ndёr” dhe lègere “tё mbledhёsh”, “tё zgjedhёsh”. Nё pak fjalё tё bёsh njё pёrmbledhje nga brendёsia e njё konteksti, tё zgjedhёsh njё sintezё pёr tё dalё nga aporitё e rastit, tё marrёsh njё pozicion. Dhe kjo, natyrisht, do guxim dhe pёrgatitje; fjalё magjike qё sintetizojnё profesionin e kritikut: thelb ontologjik i çdo intelektuali.

Nё Milosaon e 7 Korrikut 2013, sociologu Zyhdi Dervishi nё njё spektёr tё gjerё pёrcaktimesh mundohej tё sinkronizonte termin – ç’ka do tё thotё intelektual nё Shqipёri – me konceptin filozofik tё intelektualit nё stadin historik aktual. Nё tё njёjtin numёr tё tё pёrjavshmes kulturore tё Gazetёs Shqiptare, pak faqe mё tej, akademiku Josif Papagjoni shkruante njё artikull gjysёm reçensё gjysёm apologji pёr njё nga figurat mё tё rёndёsishme tё intelligencija-s shqiptare: prof. Alfred Uçin dhe librin e tij “Estetica e Litteratura” (Estetika dhe Letёrsia) tё botuar nё italisht. Pёrafria e dy artikujve i shfaqte lexuesit tё rastit nё mёnyrёn mё therёse problematikёn e intelektualit.

Profesor Uçi ёshtё nga tё paktёt autorё qё kanё patur privilegjin tё shkruajnё libra metateorikё letrarё dhe filozofikё nё periudhёn e diktaturёs enveriste dhe nё epokёn e pafundme tё tranzicionit tё sotёm. Ai ka qenё, si tё thuash, surfist i suksesshёm i letrave shqiptare si pak tё tjerё. Gjithsesi nё artikullin e prof. Papagjonit ndihej njё lloj shqetёsimi ndёrtekstual qё e kthen atё qё duhet tё ishte njё reçensё nё njё apologji. E them kёtё sepse reçensat gazetareske kanё elementet e tyre informative, interpretuese dhe vlerёsuese qё – pёrveç tё parave – mungonin totalisht nё artikullin e prof. Papagjonit. Pra, nuk mbetej asgjё tjetёr nё artikull pёrtej tё dhёnave informative dhe çerekut të tij tё parё krejtësisht apologjik. Dhe termin apologji po e pёrdor kёtu nё bazё tё etimologjisё sё saj greke: diskur nё mbrojtje tё dikujt apo diçkaje. Pse lind kjo nevojё kamomilizuese ndaj turbullimit ekzistencial tё veprёs sё prof. Uçit nё shkrimin e prof. Papagjonit? Vjen si rrjedhojё e njё dёshire justifikuese pёr publikimet dogmatike tё viteve tё diktaturёs? Vjen si rrjedhojё e njё justifikimi kundrejt tё qenurit (ende!!!) surfist i kreshtёs sё valës së tranzicionit?

Pёrgjigjen kёtyre pyetjeve mund tua japё vetёm autori i artikullit. Mua personalisht mё intereson intelektuali si kritik dhe pёr kёtё mё duhet tё pёrdor, dhe “shpёrdoroj” deri diku, emrin e profesor Uçit si shembull konkret pёr tё argumetuar arsyetimin tim nё lidhje me intelektualin. Do tё mё duhet gjithashtu, duke abuzuar me etikёn e modestisё, tё citoj edhe shkrimin tim tё parё pёr Milosaon tё 27/5/2012 – tё cilin e kishte kuotuar pёr koinçidencё edhe profesor Uçi nё njё shkrim tё mёpasshёm kritike teatrore  –  qё mendoj sqaron shumё mbi problematikёn nё fjalё.

Thuajse njё vit mё parё duke marrё shkas nga premjera e Henri VI nё Teatrin Kombёtar mu duk e arsyeshme – meqё ishte edhe shkrimi im i parё – tё deklaroja edhe bazat e qasjes sime si kritik. E shoh tё nevojshme ta pёrsёris:

Në esenë e tij “Grada Zero e Shkrimit” Roland Barthes (Rolan Bart) ka ngritur që në 1953 një pyetje themelore mbi çdo lloj shkrimi (teorik, filozofik, kritik, fiktivo-narrativ): a ka mundësi të shkruhet pa asnjë shenjë paraprake, një shkrim neutral? A ka mundësi të shkruhet pa trashëguar, pa u korruptuar, pa huazuar nga gjithë literatura (teorike, filozofike, kritike, fiktivo-narrative) që na ka paraprirë në kohë? Ishte ky një problem kolosal për intelektualin francez që gjendej në një kontekst tejet të bukosur në të cilin Sartre predikonte akoma humanizmin e shkrimit të politizuar ku bota kishte përsëri një mundësi shpëtimi. Rolan Bart del nga qorrsokaku duke përballur problemin kryesor të kritikut, të njeriut të letrave: shkrimi është – ndryshe nga gjuha dhe stili që përvetësohen nga autori – i kryer, i përfunduar, i lënë në dorë shoqërisë, i komunikuar; në pak fjalë i mbaruar, i vdekur. Kritika me anë të shkrimit pranon vdekjen: ekzistencën e qorrsokakut. Konkluzioni, në kontekstin francez, është tragjik sepse i jep fund çdo marrëdhënie me trashëgiminë intelektuale dhe kulturore që ka bërë historinë e Perëndimit, por në të njëjtën kohë i jep përgjegjësinë më të madhe kritikut që personalisht mbart dhe gjendet i përfshirë në realitetin brenda të cilit vepron.

E ritheksoj: është koha që ata që shkruajnë, kritikët, pra intelektualët, të mbartin (deri në fund) përgjegjësitë e veta. Kjo punë do kurajo (Pazolini docet!); në mos për të mbartur përgjegjësitë e të djeshmes, përsëpaku të së sotmes. Përndryshe nuk ka dalje nga qorrsokaku. Prandaj, pa dashur të bëj gjyqe, por duke marrë përgjegjësitë e mia, them se veprat e prof. Uçit janë të tejkaluara. Nga njëra anë publikimet e tij para viteve ’90 kanë një pozicionim marksist dogmatik, që përsa i përket estetikës – edhe në nivel ndërkombëtar – është demonstruar dhe pranuar si krejtësisht sterile (maksimumi i kritikës marksiste arrihet në veprën gjeniale të Lùkashit [György Lukács] të cilën nomenklaturat diktatoriale lindore jo mё kot e kanё mohuar in toto dhe s’më duket se estetët tanë e kanë njohur përpara 1990) dhe mbartëse e diktateve leninisto-staliniste të filtruara nga Ždanov dhe, tek ne, Enver Hoxha (ose kush e di se kush për të). Nga ana tjetër, pas ’90, publikimet e prof. Uçit integrojnë gjithçka të re valët e ndryshimit të sistemit sillnin në brigjet e estetikës shqiptare pa një ndryshim konkret në metodologji, në qasje; në pak fjalë, pa dhënë “gradën zero të shkrimit” prej të cilit nisej, si dhe me njё ngurtёsi pёrvetёsimi konceptesh vartёse e mungesёs sё pёrjetimit tё atmosferёs (perёndimore) nё tё cilin kёto koncepte gjeneroheshin dhe problematizoheshin.

Në këto publikime të periudhës së dytë kemi një zbutje fiziologjike tonesh që rimojnë me perëndimin dhe rrënimin e dogmës që në vetevete siç u tha nuk përbën ndonjë ndryshim metodologjik apo qasjeje. Dhe kuptohet që ndryshimi nuk është i lehtë; për të nevojitet vënia në diskutim, në mos përmbysja e themeleve ekzistenciale, nëse duam të mbajmë një dinjitet prej intelektuali që bëson në punën e vet. Kjo gjë nuk ndodh me prof. Alfred Uçin i cili përhumbë lexuesin në zbrazëtinë e zymtë terminologjiko-retorike si shumë akademikë të tjerë të cilët falë saj shpresojnë të marrin poza të kush e di se çfarë dinjiteti intelektual.

Unë nuk jam Marat-i i 2013, kështuqë nuk kam fuqinë e fjalës, por kam një detyrim intelektual të them ç’mendoj mbi pasionet e mia, aq më shumë kur këto përkojnë me një interes publik më të gjerë. Në këtë rast me prof. Uçin pasioni më/na bashkon. Rrjedhimisht e shoh si detyrim të jap edhe mendimin tim të pakërkuar prej tij, por të nevojshëm për mua dhe shpresoj pёr tё tjerёt.

Pikësëpari do të ishte mirë për profesorin të mos shkruante më për estetikën kur përkthimi i autorëve të huaj më me zë dhe më të përgatitur se ai do të ndihmonte të gjithë kontekstin, sidomos studentët, dhe do të shmangte krahasimet me gjigandët evropianë që për momentin e vendosin në një prizëm qesharak.

Së dyti do të ishte më me vlerë një punë e tij ku të evidentohej kufiri i dogmës së pushtetit brenda estetikës sonë autoktone të periudhës diktatoriale duke qenë se ka një eksperiencë ekzemplare në këtë fushë, dhe do të ndihmonte jo vetëm studiuesit e sotëm (mua, in primis, e pranoj, do të më hapte dritare që aktualisht i shoh aq hermetike) të kuptonin ç’ishte por edhe ç’është dogma e pushtetit në estetikën bashkëkohore, dhe jo vetëm shqiptare. Fokusimi në këtë pikë do ta shndërronte apo zbulonte profesor Uçin në një lloj miniere ari për të cilën konteksti ynë ka aq nevojë, meqë kërkon medoemos të transmetojë origjinalitetin dhe specificitetin e tij historik, artistik dhe kulturor në panoramën globale brenda së cilës jam i bindur kemi se ç’të themi (në Evropë ka më shumë se çerek shekulli që thellohen në ato që quhen Est Europian Studies ku konteksti shqiptar nuk është prekur thuajse aspak).

Por kjo do të thotë të ndjesh që ka një problem radikal në kritikën e kulturës, artit dhe letrave shqiptare. Ndoshta duhet të ndjesh që është një problem strukturimi brenda institucioneve që interesohen mbi këto çështje (akademi, universitete). Ndoshta nuk është problem që duhet të ndjejë vetëm një person, por një kontekst i tërë. Është problem intelektualësh detyrimisht të angazhuar.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s