Ç’ka dashur të thotë autori me këtë vepër? (Nga “Gazeta Shqiptare” 22/7/2012) Romeo Kodra

Në një ditë të nxehtë të fundit të Majit (një nga ato ditë të nxehta maji që në Tiranë shpesh ndodh të ngjajnë me ato të Gushtit), në provimin e fundvitit shkollor për lëndën e “Leximit” (isha në përfundim të klasës së katërt fillore … do të ketë qenë ndoshta viti ’88) një pyetje e shkruar në dërrasën e zezë nga “zyshë Fotika” më ngriu gjakun dhe më bëri të më shkojnë djersë të ftohta: “Ç’ka dashur të thotë autori Naim Frashëri me veprën e tij Bagëti e Bujqësi?”. Pyetja ishte aq e përgjithshme sa nuk më mbetej tjetër veçse të përhumbesha nëpër fjalë boshe dhe të kota. Natyrisht, si çdo papagall-nxënës i mësuar më së miri, përsërita në fletën e bardhë fjalët që kisha dëgjuar nga “zyshë Fotika” në orët e mësimit, ashtu siç përsërisja në çdo mbyllje hartimi në klasë që meritat ishin të Partisë dhe xhaxhit Enver … pavarësisht temës së trajtuar (edhe sikur tema të ishte “Dita e parë e verës” meritat diheshin se kujt i përkisnin).

Në një ditë të nxehtë të fundit të Qershorit (një nga ato ditë të nxehta Qershori që në Tiranë shpesh ndodh të ngjajnë – edhe këto – me ditët e nxehta të Gushtit), në faqet e Milosao-s (jemi më 24 qershor 2012) profesor Alfred Uçi ngre një pyetje “vendimtare”, “origjinale” për të mos thënë “gjeniale”: “Cili ka qenë kuptimi që ka dashur të shprehë dramaturgu (William Shakespeare) te kjo pjesë e trilogjisë (Henri VI), e shkruar në këtë periudhë pjekurie krijuese?”. Nuk isha në provimin e fundvitit të lëndës së “Leximit” të klasës së katërt fillore dhe djersë të ftohta nuk më dolën, por – më duhet ta pranoj – një rrahje zemre e ndjeva. Një rrahje zemre e ndarë më dysh midis jetës dhe vdekjes, si çdo rrahje zemre. Një emocion i dyfishtë brenda një rrahjeje: emocion nostalgjik që më solli menjëherë në mendje “zyshë Fotikën”, klasën e katërt, Tiranën e viteve ’80, një epokë të humbur, një kohë të vdekur që s’kthehet më nga njëra anë; dhe nga tjetra, një emocion indinjues që më lidh dhe përfshin jo më me lëndën e “Leximit” të shkollës fillore (lëndë e vdekur) por me një lëndë tjetër që më lidh dhe përfshin akoma më shumë: me lëndën e teatrit (e pavdekshme, pavarësisht gjasave).

Për fat të keq – dhe nuk është thjesht faji i kujtesës sime të rigjallëruar papritur (shih më tej përse) – dhe në mënyrë paradoksale më duket më e gjallë pyetja e mësueses sime të shkollës fillore sesa ajo e të nënshkruarit prof. Alfred Uçi. Ndërsa “zyshë Fotika” ka si justifikim profesionin e saj sepse kishte të bënte me nxënës të shkollës fillore, për profesor Uçin profesioni kthehet në akuzë. Nuk mund të shkruhet një shkrim kritik duke patur për bazë nxënës të klasës së katërt fillore. Me pyetjen Ç’ka dashur të thotë autori me këtë vepër? jemi pikërisht në alfabetizmin e gjykimit kritik. Shpresoj që parashtrimi i një pyetje të tillë nga prof. Uçi të jetë thjeshtë një deformim profesional (për shpirtmadhësi po e quaj pedagogjizëm i tepruar) dhe jo paragjykim për lexuesit që besoj se kanë një koeficient intelektualo-formativ disi më të lartë se atë të nxënësve të shkollave fillore.

Por kjo do të thotë edhe diçka tjetër. Prof. Uçi edhe pse ka lexuar shkrimin tim (po shfrytëzoj rastin për ta falenderuar për kohën që i ka dedikuar), në të cilin që nga titulli shihet qartë që i referohet një kritike strukturaliste dhe post-strukturaliste, injoron totalisht faktin që fjala “autor” (“dramaturgu” thotë ekzaktësisht prof. Uçi) nuk është vetëm një term, por edhe një koncept filozofik me të cilin janë përballur filozofë (Foucault, Deleuze), shkrimtarë (Joyce mbi të gjithë), kritikë (Barthes), semiologë (Umberto Eco), artistë (Andy Warhol) etj., etj.. Si ka mundësi të pyesësh akoma Ç’ka dashur të thotë autori? kur kemi problemin e “autorit” të pazgjidhur? Si ka mundësi që nuk është kuptuar (akoma?!) që çdo lexues është një interpretues, është një përkthyes, është një tradhtar dhe tradhtues i veprave që lexon? Së fundmi, kjo do të thotë që formimi kritik i prof. Uçit – për mendimin tim – ka mbetur pak a shumë si formimi i aktorëve të teatrit tonë (që mundohesha të shpjegoja në artikullin e 27 Majit), rreth fundit të ‘800-ës fillimit të ‘900-ës. Dhe është pikërisht për këtë arsye që pyetja më duket më pak e gjallë – ose më mirë të themi e vdekur dhe e pafrytshme – sesa pyetja e një mësuese të shkollës fillore bërë papagall-nxënësve të saj në provim. Pastaj, nuk është paksa ofenduese për regjizorin Adonis Filipi kjo pyetje? Për mendimin tim z. Filipi nuk besoj se ka mangësi në kuptimin e veprës së Sheakespeare-it (më duket se në profesionin e tij disa vite eksperiencë mbi shpatulla i ka), por në realizimin teatror koherent të idesë së tij që ka krijuar mbi këtë vepër. Kështu që besoj se do të ishte më mirë sikur kritika të bazohej mbi teatrin dhe teatralitetin dhe jo mbi literaturën që ka të tjerë parametra gjykues. Shpresoj që prof. Uçi këtë ta dijë. Dhe nuk mjafton fjala “superregji” – e vjetër sa vetë Wagner-i (babai i idesë së regjizorit modern që do të zaptojë rolin e aktorit të parë në hierarkinë e brendëshme të kompanive teatrore nga fundi i ‘800-ës e gjatë gjithë shek. XX) tek i cili, besoj e di me siguri edhe prof. Uçi, kjo fjalë problematizohet akoma më herët se tek Stanislavskij-i, Mejerchol’d-i apo të tjerë regjizorë modernë – për të demonstruar instrumenta kritikë të vlefshëm dhe mbi të gjitha bashkëkohor.

Duket sikur me prof. Uçin ndajmë të njëjtat shqetësime, por zgjidhjet i kemi totalisht të kundërta. Personalisht nuk besoj që mirëkuptimi dhe justifikimi i Teatrit Kombëtar për veprat që ndërmerr të realizojë duhen lidhur me një kontekst të përgjithshëm shqiptar. Hallexhinjtë dhe të vuajturit gjenden tjetërkund. Nuk ka nevojë asnjeri për mëshirë, dashamirësi dhe zemërgjerësi, aq më pak nga kritika britanike apo ndonjë kritikë tjetër, qoftë edhe timen apo të profesorëve autoktonë. Mjafton një shëtitje përgjatë lumit të Tiranës për të kuptuar se ç’janë kushtet e vështira të mbijetesës dhe hallexhinjtë e vërtetë. Të tjerat nuk janë veçse alibi.

P.S. Rikujtoj prof. Uçin që Henri VI: grada zero e teatrit? e them unë dhe jo kritiku anglez Matt Treuman që në shkrimin e tij në The Guardian u limitua të kritikojë vetëm shfaqjen që kish parë në Londër. Henri VI: grada zero e teatrit? e them jo vetëm për teatrin, por edhe për kritikën teatrore. Dhe është pikërisht për të mos krijuar alibi mbi trashëgiminë e halleve dhe hallexhinjve; është për të marrë përgjegjësitë e së sotmes në të mira dhe në të këqija, pa u shmangur, justifikuar o fshehur prej askujt. Kjo besoj se ka një vlerë pozitive njëkohësisht për artistët e teatrit, por edhe për kritikët.

Lini një Përgjigje

Plotësoni më poshtë të dhënat tuaja ose klikoni mbi një nga ikonat për hyrje:

Stema e WordPress.com-it

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj WordPress.com. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Google

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Google. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Twitter-i

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Twitter. Dilni /  Ndryshoje )

Foto Facebook-u

Po komentoni duke përdorur llogarinë tuaj Facebook. Dilni /  Ndryshoje )

Po lidhet me %s